Lajme

Në Tiranë të fiskalizuar 36% e bizneseve të vogla, Dhamo: Të shtyhet deri në shtator

Nga të dhënat e Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve për ecurinë e fiskalizimit rezulton që procesi pa gjoba deri më 31 dhjetor 2021 është ende larg mbylljes.

Në rrethe numri i bizneseve të vogla të fiskalizuar është i ulët. Konkretisht sipas shifrave të Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve për Monitor rezulton se në Tiranë nga 39,219 biznese të vogla aktive vetëm 36% e tyre janë fiskalizuar.

Fiskalizimi po ecën ngadalë edhe për qytetet e mëdha ku në Durrës nga 10,160 biznese aktive, rreth 34% e tyre janë fiskalizuar. Rrethi i Elbasanit ka ecurinë më të dobët në të gjithë vendin për fiskalizimin. Nga 6,283 biznese të vogla të regjistruara vetëm 22% e tyre kanë ndryshuar faturimin. Edhe për qytetet si Fieri bizneset e fiskalizuar zënë 27% të totalit të bizneseve aktive, në Korçë janë 33%, Shkodra dhe Vlora janë 28% biznese të fiskalizuar në raport me totalin e biznesit të vogël aktiv. Në rrethet e vogla si Sarandë dhe Dibër janë fiskalizuar 23% e totalit të bizneseve aktive për secilin qytet.

Për biznesin e madh, referuar të dhënave rezulton se përkatësisht në çdo degë rajonale ecuria e fiskalizmit vijon nga 60 deri 77% e bizneseve të mëdha të fiskalizuara në raport me totalin sipas secilit rreth.

Lexo më shumë  Dosja e SPAK/ Banda e Suel Çelës shoqëroi Edi Ramën në Elbasan

Vetëm biznesi VIP sipas të dhënave të tatimeve është pothuajse 100% i fiskalizuar.

Kontabilisti Sotiraq Dhamo thotë për Monitor se nga ecuria vihet re që jo vetëm bizneset e vogla nuk shqetësohen për fiskalizmin, por edhe degët rajonale të tatimeve.

“Në këtë situatë duhet patjetër një qëndrim i Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve dhe Ministrisë të Financave dhe Ekonomisë. Si do të veprojnë? Dhe duhet të shprehen tani dhe jo në fund të dhjetorit. Duhet të hartojnë një plan, se si do të realizohet ecuria në 2022, çfarë ndryshimesh ligjore duhet të bëhen, etj. E rëndësishme është që të jenë gjerat e qarta dhe të realizueshme”.

Në kahun tjetër kontabilisti Sotiraq Dhamo ngre shqetësimin se është e vështirë që procesi të shtrihet në të gjithë vendin. Për këtë arsye ai rekomandon që bizneset e zonave rurale të faturojnë me sistemin e vjetër edhe për disa vite me kushtin që të gjitha bizneset brenda 31 janarit 2021 të kenë mbyllur aplikimet për t’u pajisur me certifikatë elektronike.

“Jam i sigurt që procesi duhet të shtyhet, sepse nuk shikoj se si mund të realizohet brenda 1 muaji e gjysmë ajo që nuk është realizuar për 8 muaj të paktën. Mbase duhet të dalin nga skema e fiskalizimit bizneset tregtare në zonat rurale të thella se nuk besoj se do të fiskalizohen. Këto biznese të mbahen me kasat edhe për disa vite, por duhet të kërkohet aplikimi te AKSHI brenda vitit apo brenda 31 janarit për të gjithë dhe pastaj përfundimin e fiskalizimit brenda 31 korrikut për biznesin e madh dhe brenda 9 mujorit të 2022 për biznesin e vogël. Kjo mund të ishte një zgjidhje. Por nëse nuk pajisen me certifikatë brenda afatit të vendosen gjoba. Ndërkaq DPT duhet të garantojë se platforma do të funksionojë në rregull dhe nuk do të ketë probleme. Të vendoset në udhëzim apo ligj që çdo problem që shkaktohet nga keqfunksionimi i platformës të mos penalizohet”, shprehet Dhamo.

Lexo më shumë  KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës përfundojnë stërvitjen “Golden Sabre 2024”

Nga 1 shtatori kur nisi fiskalizimi për biznesin e vogël dhe deri tani janë të fiskalizuar 32% e tyre. Detyrimin për t’u fiskalizuar e kanë 90,000 subjekte. Në kategorinë e biznesit të madh janë të fiskalizuar rreth 70% e totalit prej 25,000 biznese që janë aktive./MONITOR

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *