Lajme

Kompanitë nuk e mbyllin dot “krisjen”, sigurimet e makinave shiten me çmime të ulëta

Kompanitë e sigurimeve ende nuk kanë arritur ta mbyllin “krisjen” që ka ndodhur në marrëveshjen për tregtimin e policave të sigurimit për përgjegjësitë motorike ndaj palëve të treta (TPL).

Këto polica vijojnë të shiten me çmime ndjeshëm më të ulëta krahasuar me ato të aplikuara deri një muaj më parë. Nga 18-19 mijë lekë që janë çmimet zyrtare të përcaktuara në policë, siguracionet shiten me çmime që fillojnë nga 13 mijë deri në 14 mijë lekë, në varësi të madhësisë motorike të mjetit, sipas një vëzhgimi që Monitor bëri në treg, me rënie prej 26-28%.

Ky është çmimi që konsumatorët paguajnë për policën, ndërsa kompanitë vijojnë të raportojnë në regjistrin online të shitjeve çmimet zyrtare që kanë përcaktuar në policë dhe janë raportuar pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF).

Drejtues të kompanive të sigurimit të kontaktuar nga Monitor për këtë çështje kanë refuzuar të shprehen. Por, burime nga tregu bëjnë të ditur se vetëm një pakicë e kompanive, rreth tre prej tyre, vazhdojnë t’i shesin policat nëpërmjet brokerit “Star Broker”, që administron sistemin e shitjes së policave të sigurimit TPL qysh prej vitit 2013.

Mekanizmi kryesor nëpërmjet të cilit kryhet ulja e çmimit të policës është komisioni që kompanitë ofrojnë për agjentët e shitjes. Sipas burimeve, komisionet aktualisht janë pranë nivelit 45%.

Lexo më shumë  Kurti: Arianit Besiri në moshën njëvjeçare u detyrua të largohet nga Kosova, sot është kryetar i komunës Morbach në Gjermani

Komisioni në masën 45% do të thotë se për një policë sigurimi me çmim zyrtar 19 mijë lekë, kompania merr vetëm rreth 10,500 lekë. Diferenca prej 8500 lekësh i ngelet agjentit, që mbi këtë bazë negocion çmimin e shitjes me blerësin, duke aplikuar uljen që çmon të arsyeshme.

Mbështetur në të dhënat e Raportit të Mbikëqyrjes së AMF-së, për vitin e kaluar raporti i shpenzimeve të marrjes në sigurim për produktin MTPL ishte mesatarisht 35.2% në nivel tregu. Në pjesën dërrmuese, këto shpenzime janë komisione që shkojnë për agjentët.

Deri në 31 dhjetor, komisionet e aplikuara për shitjen e policave të sigurimit TPL nuk janë të rregulluara dhe kompanitë mund t’i vendosin ato sipas dëshirës. Duke filluar nga 1 janari 2021, shoqëritë e sigurimit të jo-jetës, nuk mund të japin komisione ndërmjetësimi më të larta se 20% e primit të shkruar bruto.

Pas një viti, në 1 janar 2023, komisioni tavan do të ulet në 18% të primit të shkruar bruto. Ulja e çmimeve të TPL-ve përputhet në kohë me miratimin e rregullores së re “Për komisionet e ndërmjetësimit”, në të cilën AMF përcakton nivelet e mësipërme tavan që nga viti 2022. Kjo mund të interpretohet si një tentativë për të fituar pjesë tregu në këtë produkt, para se niveli i komisioneve të kufizohet me rregullore.

Lexo më shumë  Muja shpalos fakte: Në kohën kur Hykmete Bajrami ka qenë Ministre e Tregtisë nga rezervat shtetërore  janë avulluar mbi 2500 tonë grurë në vlerë 529 mijë euro

Sigurimi i brendshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta është me diferencë të madhe produkti kryesor në tregun shqiptar të sigurimeve. Në fund të 9-mujorit 2021, primet e shkruara bruto nga ky produkt përbënin 55% të tregut të sigurimit të jo-jetës, për një vlerë totale prej rreth 7.2 miliardë lekësh.

Si përcaktohen primet e sigurimit

Primet e sigurimit përcaktohen në mënyrë të pavarur nga ana e kompanive të sigurimit sipas përllogaritjeve që bëhen prej tyre. Ligji “Për sigurimin e detyrueshëm në transportin rrugor parashikon në nenin 7 të tij se “shoqëria e sigurimit i përcakton vetë tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm për mjete motorike, duke marrë parasysh faktorët e riskut.

Shoqëria më pas njofton AMF-në brenda 30 ditësh kalendarike përpara aplikimit të tarifave të reja të primit dhe depoziton në Autoritet bazat teknike, faktorët e riskut dhe vlerësimet aktuariale të përdorura për llogaritjen e këtyre primeve, të shoqëruara me opinionin e aktuarit të autorizuar të shoqërisë.

Sipas ligjit dhe rregulloreve shoqëritë sigurimit janë të detyruara që të raportojnë në Qendrën e Informacionit të dhëna mbi kontratat e sigurimit të detyrueshëm që lidhin më përjashtim të rasteve që përcaktohen nga vetë AMF./MONITOR

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *