Austria ia konfirmon edhe një herë Kosovës mbështetjen për liberalizimin e vizave
Në margjina të takimit të ministrave të jashtëm në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që u zhvillua në Bruksel, ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar takime të ndara me homologët nga Austria dhe Bullgaria.
Gjatë takimit me ministrin Federal të Austrisë për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare, Michael Linhart, diskutuan për bashkëpunimin mes të dy vendeve dhe mundësitë e thellimit të partneritetit në fusha me interes të përbashkët, duke veçuar shkëmbimet mes të dyja ministrive të jashtme.
Temë diskutimi ishte edhe përmbushja e agjendës evropiane e Kosovës, dhe në këtë pikë Gërvalla mori rikonfirmimin e ministrit Linhart se Austria do ta mbështes Kosovën në të gjitha proceset, e me theks të veçantë për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, thuhet në komunikatë.
Palët biseduan edhe për angazhimin e Kosovës për forcim të subjektivitetit ndërkombëtar si dhe bashkëpunimin rajonal.
Ndërsa, në takimin që mbajti me ministrin e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Svetlan Stoev, biseduan për politikë të jashtme, duke u fokusuar në zhvillimet rajonale dhe sfidat që po shoqërojnë vendet e Evropës Juglindore.
Dy homologët vlerësuan se është esenciale që të forcohet sundimi i ligjit dhe të luftohet korrupsioni në nivel rajonal. Gjithashtu diskutuan për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rëndësinë e të pasurit progres në këtë drejtim, thuhet më tej në njoftimin e ministrisë.
Rruga Press