Armenët të përgatiten për të mbrojtur atdheun e tyre, thotë kryeministri pas rinisjes së luftimeve (fotot)
Armenët duhet të përgatiten të mbrojnë shtëpitë e tyre, nëse rritja e tensioneve në kufirin me Azerbaixhanin degjeneron në një konflikt, ka thënë sot kryeministri i vendit, teksa shkëmbime të reja zjarri kanë sjellë frika të thyerjes së armëpushimit.
Nikol Pashinyan i bëri thirrjen sot bashkëatdhetarëve për mbrojtje të “atdheut të shenjtë” teksa përplasje të reja të armatosura ndodhën në kufi.
Në një mesazh të ministrisë armene të mbrojtjes thuhej se, “situata në zonën kufitare lindore vazhdon të jetë shumë e tensionuar. Ka beteja lokale, në të cilat armiku ka përdorur artileri, mjete të blinduara dhe tipe të ndryshme armësh të vogla”.
Pala armene tha se disa ushtarë janë plagosur nga ana e saj dhe dy poste ushtarake janë humbur në luftime.
Dy ish-republikat sovjetike kanë fajësuar njëra-tjetrën për provokimet e fundit. Ministria e mbrojtjes së Jerevanit akuzonte Azerbaixhanin për sulme ndaj pozicioneve kufitare.
Kurse Baku pretendon se ka vepruar në vetëmbrojtje për shkatërrimin e armëve anti-tank dhe mortajave të palës tjetër.
Zëdhënësi armen i sigurisë Armen Grigoryan ka kërkuar ndihmën e Moskës duke thënë se “meqënëse sulmet janë një kërcënim ndaj sovranitetit të Armenisë, ne i kërkojmë ndihmë Rusisë për mbrojtjen e integritetit të Armenisë sipas traktatit të vitit 1997.”
Dy vendet luftuan njëra-tjetrën në fillim të vitit për rajonin e kontestuar të Nagorno-Karabakh deri në arritjen e armëpushimit në vjeshtë, ku Azerbaixhani me ndihmën ushtarake të Turqisë rimori disa nga territoret e kontestuara.
Nagorno-Karabakh është një zona e njohur de jure si pjesë e Azerbaixhanit, por deri së fundmi e administeruar nga maxhoranca etnike armene e saj.
Pas konfliktit të fundit Azerbaixhani ka kontrollin e shumicës dërrmuese të territorit.
Rruga Press