Sokol Kushta: Nuk ka arsye për festë, Kombëtarja mori pikë nga shtete që janë sa “Astiri”
Ndër zërat kritikë për ndeshjen e djeshme ndaj Andorrës, por edhe në përgjithësi për bilancin e kualifikuesve të Botërorit në Katar, është edhe “legjenda” Sokol Kushta. Sulmuesi që ka shënuar një epoke në futbollin shqiptar të viteve ’80, me Flamurtarin dhe Partizanin, mendon se rekordi i 18 pikëve nuk mjafton për të justifikuar entuziazëm.
“Kur u mbyll ndeshja e fundit pashë optimizëm dhe gëzim. U hap shampanja në kampin kuq e zi. Fillova të dëgjoja dhe lexoja komente pafund, dhe thashë me vete: Këta ose nuk dinë fare nga futbolli ose janë hipokritë të mëdhenj. Diskutojnë për një rekord historik të pikëve të marra, por harrojnë që 12 pikë i kanë marrë ndaj dy ekipeve që janë sa Astiri si lagje, dhe 6 pikë ndaj Hungarisë në sajë të Brojës”.
Sipas tij, “askush nuk diskutoi për problemet dhe mënyrën e lojës, sa keq luajtëm. Unë them të ulen me këmbë në tokë dhe të bëjnë analizë të thellë për mënyrën e lojës. Kombëtarja nuk është ekipi i lagjes, por është një ekip që përmbledh 12 milionë shqiptarë kudo që janë”.
Rruga Press