Shkodra pa korsi biçikletash, çiklistët të rrezikuar në trafikun rrugor
Qyteti i Shkodrës, i njohur ndryshe si qyteti i biçikletave çdo ditë e më shumë po i largon qytetarët nga ky mjet. Trafiku i rënduar, mosrespektim i tabelave rrugore por dhe në disa rrugë kryesore mungesë e korsive të biçikletave, ka bërë që shkodranët ta përdorin biçikletën gjithmonë e më pak.
Rrugët që janë të vizuara për biçikleta, po përdoren si parkim makinash.
Shefi i qarkullimit rrugor në Shkodër Valmir Nikolli për Euronews Albania thotë se problematika krijohet pasi korsitë e biçikletave nuk përkojnë me qarkullimin e makinave.
“Është një problematikë e cila nuk fillon me marrjen e masave nga shërbimi i Policisë Rrugore. Kjo problematikë duket që në momentin ku janë të stacionuara këto korsi biçikletash. Të gjitha korsitë e biçikletave në qytetin e Shkodrës janë në karrexhadën e lëvizjes së mjeteve”, thotë Nikolli.
Nikolli i bëri apel çiklisteve të mos bëhen shkaktarë aksidentesh por të respektojnë rregullat e qarkullimit.
“Në shumicën e rasteve drejtuesit e biçikletave zgjedhin rrugën më të përshtatshme për ta, pra për qarkullimin e tyre, për veten e tyre dhe jo në zbatim të rregullave të qarkullimit duke u bërë edhe burim aksidentesh”, tha Nikolli.
Më me urgjencë në Shkodër është shtimi i korsive për biçikletat të cilat janë shumë të pakta, thotë kryebashkiakja e Voltana Ademi e cila thotë që ka një projekt i cili pritet të përmirësojë këtë problem.
“Projekti i ndërtimit të rrugëve për biçikleta nuk mund të bëhet për për një rrugë por duhet të merret si një sistem i tërë. Ne nuk kemi pasur fondet për ta investuar të gjithin. Bëhet fjalë për mbi 500 milionë lekë të reja që do të duhej të investohen. Është një proces që ne vjet e kemi miratuar në projekt-buxhetin afatmesëm. Ne kemi filluar të ndërtojmë atë që quhet strategjia e parikimit në qytetin e Shkodrës”, tha Ademi./euronews/

