Art & Kulturë

34 vjet nga vdekja e poetit të madh Lasgush Poradeci

Si sot e 34 vite më parë u nda nga jeta poeti i madh shqiptar Lasgush Poradeci. Përkujtimoret e tij vazhdojnë të bëhen pranë përmendores në Pogradec, e ndërsa ato mund të pushojnë një ditë, veprat e poetit do të mbesin për shumë gjatë në kohë.

Pseudonimi letrar me të cilin njihet vjen nga rrudhja e emrit të tij përfshi atësinë, Llazar Sotir Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur etnonimin e vendlindjes, Poradeci.

Poradeci përveçse poet, ishte edhe një intelektual i mprehtë. Veprimtaria e tij shtrihet në poezi, shkrim dhe përkthime.

Për dallim nga poetët e Rilindjes, që me gjithë origjinalitetin e tyre kishin tipare të përbashkëta, poetët e shquar të periudhës së Pavarësisë Noli, Fishta, Poradeci, Migjeni, janë krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri si nga formimi, nga prirja e tyre, ashtu edhe nga interesat e synimet.

Lasgush Poradeci trajtoi tema universale, me koncepte humane e kozmike që nuk ishin shumë të hasura në letrat shqipe. Si një poet që jetoi Rilindjen në periudhën e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha për liri, temat atdhetare janë të pranishme në veprën e tij.

Vargjet e tij shfaqin një afri filozofike me poetin lirik rumun Mihai Eminescu, për të cilin Poradeci kishte një konsideratë të veçantë. Edhe temën e tij të doktoratës e bëri mbi veprën e këtij poeti “I paçmuari Eminescu dhe ideologjia e tij popullore-atdhetare”.

Poradeci u shqua për ëmbëlsinë poetike dhe ritmin me të cilin i këndoi dashurisë, Shqipërisë, kozmosit. Në vitin 1933, u botua vëllimi i tij i parë “Vallja e yjeve”, dhe më 1937 u botua vëllimi i dytë “Ylli i zemrës”.

Të njohurit e përshkruajnë si një person me natyrë vetmitare, jo fort i përfshirë me shoqërinë, por me ideale të forta të cilat i mbrojti deri në fund.

Më 12 nëntor të vitit 1987, Lasgush Poradeci vdiq, duke lënë pas një krijimtari të bukur, e cila kishte fituar zemrën e lexuesit dhe kishte tërhequr vëmendjen e disa studiuesve të shquar të kulturës sonë si Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli, Sabri Hamiti, Ismail Kadare etj.

Pavarësisht se është një ndër poetët më të veçantë dhe më të dashur shqiptarë, Lasgush Poradeci nuk e ka ende një shtëpi muze. Kulla brenda të cilës ai shtjelloi ide të larta e mbrujti veprat e tij, është një ndërtesë e braktisur, e pa mirëmbajtur, e lënë krejtësisht mënjanë./euronews/

RrugaPress

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *