Opinion/Aktualitet

Në Sarajet e Çet Kastratit

Shkruan Ermal Mulosmani

Ditën e dielë në mesditë dola për ecje nga Liqeni. Ishte kohë e bukur për të qenë Nëntor… Banorët e Tiranës kishin mbushur parkun e po shijonin ajrin e pastër dhe gjelbërimin. Nga larg, pylli me ngjyrat magjike të vjeshtës të mrekullonte. U nisa me plot dëshirë dhe ndryshe nga rituali i zakonshëm vendosa të kaloj edhe në anën verilindore të Liqenit, atë të Restorant Juvenilia (Juvenilia Castelo).

Kur po afrohesha te restoranti në fjalë, befas, u shfaqën brenda Parkut të Liqenit, disa ndërtesa të larta karabina, të rrethuara me skela…

Ato mbushnin gjelbërimin e dikurshëm në krahun lindor të ish Hotel Sheratonit. Mund të ishin nja 4 a 5 godina të stërmëdha.

Rruga që të nxirrte te Stadiumi Qemal Stafa ishte kthyer në një rrugicë të pistë plot pluhur e mbeturina ndërtimore dhe betoniere që shkonin e vinin. Ishte ora 13.00 e ditës, ditë e dielë. Gjatë një intervali 5-6 minutësh ku unë kalova, u ndesha me tre betoniere që futeshin në pyll të shkarkonin betonin e tyre. Një po ikte, dy po vinin. I befasuar po vazhdoja rrugën duke u bërë më i vëmendshëm tani. Në ish- oborrin e mrekullueshëm të Sheratonit kishte gropa të thella që po pregatiteshin të mbusheshin me beton për ta kthyer atë oaz gjelbërimi të Tiranës në një grumbull shumëkatëshesh me dendësi ndërtimi si në Manhatan.

Pisllëku në rrugë, pluhuri i betoniereve dhe zhurma e tmerrshme e tyre për ditë të diele as ia vlente të përmendej në atë masakër që po shihja. Familjarët e pallatit që ndan atë rrugicën e vogël me ndërtimet e ish Sheratonit ishin të mbytura nga pluhuri dhe zhurma e tmerrshme. Dikur aty banonin të privilegjuarit e qytetit, ai ishte luksi që notonte në gjelbërim.

Njoh njerëz që kanë shpenzuar qindar mijëra euro për të blerë një apartament në atë pallat: “Ia vlen shpenzimi, unë nuk shkoj në pyll, vjen pylli te unë” –më thoshte dikur një i njohuri im. Ngrita pak kokën të shihja apartamentin e tij. Kishte mbyllur grilat dhe ishte bunkerizuar….

Si ka mundësi që askush nuk e përmend këtë masakër të mushkërive të Tiranës? Si ka mundësi të mbulosh rreth 10 mijë metra katror gjelbërim me beton e ndërtesa të larta mu në mes të Parkut të Tiranës? U përpoqa të kujtoja ndonjë shkrim apo kronikë për këto ndërtime por nuk më erdhi asgjë…

Lexo më shumë  Pozicionimi i Perëndimit ndaj Serbisë, qëndrimi i opozitës dhe  Sindromi i Fregolit

Hotel Sheraton, një nga investimet më të rëndësishme turistike në Tiranë vendosi të largohej në fund të vitit 2017. Atëherë sigurisht zona ishte e gjelbëruar, pemët e mrekullueshme dhe zogjtë e bënin atë një oaz mrekullie në Tiranë. Zhurma dhe pluhuri nuk arrinin të mbërrinin deri aty.

Pronarët e hotelit, kuvajtianët e Al Kharafi-t, ishin në kërkim të një investitori të ri pas largimit të Sheraton. Shumë shpejt u mor vesh që investitori i ri do të ishte Shefqet Kastrati, një nga emrat më të njohur në vend. Çmimi i blerjes u tha që ishte 30 milionë Euro.

******

Kastrati u bë i njohur fillimisht nga tregtia e karburanteve e më pas arriti të diversifikonte portofolin në ndërtim, tregti, transport e shumë fusha të tjera. Publiku e njeh më së shumti si koncesionari që u merr paratë në Rugën e Kombit (kur shkojnë në Kosovë) dhe në Aeroportin e Rinasit (kur udhëtojnë nëpër botë). Gjithashtu u krip kokën kur shkojnë të blejnë karburant nga Dragobia në Lapardha.

Prandaj nuk është se janë edhe aq dashamir për të.

Mirëpo media në përgjithësi e duan Çetin. Ndonjë lajm që del për të nuk është çudi që disa orë pas publikimit të shfaqet “Error 404”. Ndoshta edhe ky lajm, asnjëherë nuk i dihet. Por unë po e bëj timen.

Nga blerja e Hotelit kanë kaluar 3 vjet e ca. Tashmë ish Sheratoni nuk është më hoteli brenda pyllit, është një lagje përplot ndërtesa që do të zëvendësojnë pemët, gjelbërimin, zogjtë.

Është e njëjta skemë si në Aeroportin e Rinasit. Duket sikur shteti nuk ka të bëjë me këtë transaksion privat. Dy biznesmenë pas diskutimeve arrijnë në marrëveshje, paguhen paratë dhe ndryshon pronari.

Në Aeroportin e Rinasit kjo marrëveshje u bë si sot një vit më parë. Shefqet Kastarti derdhi në llogarinë e koncesionarëve kinezë 71 milionë Euro dhe u bë zotërues i të drejtave koncesionare për 6 vitet e ardhshme (2021-2027). Shuma e paguar dukej e lartë për aq pak kohë…

Por shpejt u mor vesh kleçka. Kryeministri një muaj më vonë i shtoi koncesionin Çetit me 13 vite të tjera!!! Sipas bilanceve të vitit 2014 fitmet e koncesionarit gjerman shkonin në rreth 9 milion Euro në vit. Ndërsa tani, me rritjen e fluksit të pasagjerëve fitmet mund të kenë kaluar 15 milionë në vit. Fundja këtë shumë (15 milion në vit) e justifikon edhe blerja e Çetit prej 71 milionësh për 6 vjet. Po të ishte për 10 milionë nuk del as investimi….Ahhh, po, nëse të japim 13 vite shtesë me një fitim mesatar vjetor rreth 15 milionë është tjetër gjë…Atëherë fitimi i Kastartit shkon hava…

Lexo më shumë  Shteti bektashi ka planifikuar rrëmbimin e Mësonjëtores së Korçës

E njëjta gjë po ndodh edhe tani. Kastrati bleu Sheratonin 30 milionë Euro. Duke kërkuar në internet, mora vesh se pak pas blerjes së Sheratonit nga Kastarti dhe shndërrimit të tij në Makalbania erdhi sihariqi! Kryeministri vetë lajmëroi se më së fundi një Hotel me 5 yje do të mbërrijë në Shqipëri!

“Jemi i vetmi vend në rajon që nuk kemi ende një hotel me 5 yje, që janë elita e industrisë së turizmit. Tashmë jemi në nisje të një projekti gjigant për sjelljen e Hyatt, që do të lërë në harresë njëherë e mirë edhe lotët e atyre që u pikëlluan kur u largua Sheratoni. Në fakt, as ai nuk ishte një hotel i mirëfilltë me 5 yje, pavarësisht pretendimeve”- deklaroi Rama në Dhjetor 2018.

Menjëherë pas këtij lajmii, në mes pyllit të mrekullueshëm u hapën gropat e betonit dhe mbinë ndërtesat. Do vijnë investimet e huaja, turistët elitarë. Atyre jo pyllin por edhe shpirtin u japim ne.

Po bëjnë tregti me mushkëritë tona. Po na sjellin Hyatt-n me kazinotë duke na marrë pyllin.

Ky nuk është një projekt i Kastartit sigurisht. Ai është një projekt ekskluziv i Kryeministrit në emër të investimeve të huaja.

Kryeministri është kryeoligarku, kryeshefi, kryearkitekti. Ai jep lejet për tu shkatërrruar pylli. Po mos të thoshte ai “po” ne do ishim me pyll. Kastarti është thjesht një përfitues. Duke ia bërë gati Hyatt-it sarajet do të përfitojë edhe Çeti të ardhurat e veta. Edhe Kryeministri do të mburret me hotelin e tij me 5 yje.

Banorët do të mbyllin dritaret dhe do të shajnë nga marazi.

Kryeministri mendon vetë dhe ia thotë propozimet. Edhe në mes të pyllit apo Liqenit. Fundja nuk është në tokën e tij private por atë të Tiranës.

Çeti duhet të kujdeset vetëm që për këtë gjë të mos bëhet shumë zhurmë…Dhe këtë ai e qan.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *