Rindërtimi, KLSH gjen 16 shkelje: Ministria pa projekte e dokumente
Procesi i rindërtimit pas tërmetit 2019 nuk është transparent pasi, për ndërtimin e banesave të reja mungon dokumentacioni. Konstatimi vjen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka gjetur 16 shkelje në Ministrinë e Rindërtimit, nga janari 2020 deri më prill 2021.
Konkretisht, ministria nuk ka një listë të donacioneve dhe përdorimit të tyre.
Po ashtu, dokumentet për objektet e dëmtuara janë të paplota, sikundër edhe shpjegimi është i mangët.
Disa nga shkeljet gjatë auditimit të KLSH-së:
- Nuk demonstrohet dokumentacion në lidhje me veprimtarinë e Ministrit të Shtetit për Rindërtimin mbi ndjekjen dhe bashkërendimin e veprimtarisë ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit të objekteve të dëmtuara dhe të shkatërruara.
- Stafi i Ministrit të Shtetit për Rindërtimin, aktivitetin për evidentimin e burimeve të brendshme, materiale dhe njerëzore, që disponojnë institucionet, publike e shtetërore, dhe përcaktimin e mënyrës së përdorimit të tyre për realizimin e programeve të procesit të rindërtimit, e ka reduktuar thjeshtë.
- Ministri i Shtetit për Rindërtimin nuk ka të dokumentuar ndjekjen e zbatimit të përgjegjësive dhe të detyrave të ngarkuara për ministritë dhe institucionet e tjera, për trajtimin e shtetasve që kanë humbur familjarët dhe/ose që kanë mbetur të pastrehë, si pasojë e tërmetit.
- Ministri i Shtetit për Rindërtimin nuk ka të dokumentuar informacione për mënyrën e përdorimit dhe eficiencën e arritur për çdo donacion apo mbështetje të ofruar nga organizatat shtetërore dhe organizmat kombëtarë e ndërkombëtarë, shoqatat, personalitetet publike dhe donatorë të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit.
- Ministrit i Shtetit për Rindërtimin në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Ministrave: Nuk ka të dokumentuar aktivitetin për koordinimin, drejtimin dhe ndjekjen e veprimtarisë së ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19.
- Mungesa e vënies në dispozicion të marrëveshjeve për furnizimin e vaksinave në periudhën e audituar 01.01.2020 deri më 30.04.2021, nuk i ka mundësuar grupit të auditimit të KLSH, shqyrtimin dhe vlerësimin e tyre.
- Nga auditimi rezultoi se janë pranuar, miratuar me vendim të KSHR dhe dërguar për miratim 2 projekte, jo në respektim të procedurave të përcaktuara në VKM për përfitimin nga grantet e rindërtimit.
Rruga Press