Brukseli fiton ndaj Google, Gjykata Evropiane dënon gjigantin e teknologjisë me 2.4 mld euro
Komisioni Evropian ka arritur një fitore të rëndësishme në politikën e konkurrencës. Gjykata e Përgjithshme Evropiane konfirmoi të mërkurën se Google abuzoi me dominimin në treg për të favorizuar shërbimet e saj në dëm të kompanive të tjera.
Gjyqtarët vendosën se vendimi i instancës së mëparshme gjyqësore për ta gjobitur gjigantin amerikan të teknologjisë me 2.4 miliardë euro në 2017-n ishte i drejtë.
“Vendimi i sotëm jep mesazhin e qartë se sjellja e Google ishte e paligjshme. Ai gjithashtu ofron qartësinë ligjore për funksionimin e tregut. Komisioni do vijojë të përdorë të gjitha mjetet për të adresuar rolin e platformave digjitale nga të cilat varen bizneset dhe përdoruesit”, thotë Arianna Podesta, përfaqësuese e Komisionit Evropian.
Verdikti pritet të ndikojë tek vendimet e ardhshme të Komisionit Evropian jo vetëm ndaj shërbimeve të Google, por edhe ndaj kompanive të tjera të teknologjisë. Gjithashtu, ai do të pasqyrohet tek propozimet e KE-së për aktin rregullator për tregjet digjitale, që po diskutohet si në Parlamentin ashtu edhe në Këshillin Evropian.
“Kjo çështje prek konsumatorët në një mënyrë direkte, që ka të bëjë me shërbimin që ata marrin. Tani ata do të kenë të dhëna që u sugjerojnë ofertat më të mira”, shprehet Thomas Vinje, ekspert i teknolgjisë digjitale.
Megjithatë, gjërat nuk shkojnë aq keq për Google. Po të mërkurën, gjykata supreme e Britanisë rrëzoi unanimisht një aksion ligjor kundër grupit, që akuzohej se kishte përgjuar ilegalisht miliona përdorues të iPhone-ve.
Konkretisht, gjykata bllokoi padinë 4 miliardë dollarëshe që ishte ngritur nga një grup aktivistësh për llogari të 4.4 milionë përdoruesve në Angli dhe Uells.
Rruga Press