Lajme

Presidentja Osmani zhvilloi takime me zyrtarë amerikanë, tregon tendencat destabilizuese të Serbisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u takua me zyrtarë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë të Shteteve të Bashkuara si dhe me zyrtarë të Departamentit të Shtetit. Në Këshillin e Sigurisë të Shtëpisë së Bardhë, Presidentja Osmani takoi zëvendës këshilltarin për siguri kombëtare, Jonathan Finer, drejtoreshën e lartë për Evropën në këtë Këshill, Amanda Sloat, si dhe drejtoreshën për Ballkanin dhe Evropën Qendrore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Robin Brooks.

Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të fuqishme Kosovë-SHBA dhe nevojën për angazhim të vazhdueshëm për harmonizim të mëtjemë të prioriteteve të përbashkëta strategjike për forcimin e sundimit të ligjit, sikurse edhe sigurimin e paqes e sigurisë së qëndrueshme në rajonin tonë. Presidentja Osmani theksoi po ashtu rëndësinë e kësaj aleance disa dekadëshe dhe ndikimin pozitiv që ajo ka pasur tek qytetarët e Kosovës, duke thënë se sukseset e Kosovës erdhën si rezultat i vullnetit të fortë dhe qëndrueshmërisë së popullit të saj, por edhe shkaku i investimit të rëndësishëm të SHBA-ve dhe përkushtimit ndaj demokracisë.

Lexo më shumë  Në Kosovë promovohet pulla postare kundër dhunës gjinore “Sot dhe çdo ditë tjetër”

Zyrtarët e Këshillit të Sigurisë theksuan se presidenti i SHBA-ve është personalisht i përkushtuar ndaj Kosovës dhe se Kosova ka mbështetje të fortë nga administrata e Presidentit Biden. Ata shprehën mirënjohjen e tyre të thellë për Republikën e Kosovës që ka pritur afganët dhe për faktin që është vendi i parë në botë që e ka bërë këtë.

Presidentja Osmani u takua dhe me Ndihmës Sekretaren e Shtetit, Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin kryesor, Dereck Hogan.

Në takim, të dyja palët vlerësuan lartë raportet Kosovë-SHBA si dhe partneritetin e thellë mes dy vendeve. Presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet një prej sukseseve kryesore të politikës së jashtme të SHBA-ve. Duke qenë gjithnjë të udhëhequr nga vlerat dhe parimet e promovuara nga SHBA-të, ajo konfirmoi se institucionet në vend janë të përkushtuara për promovimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen dhe avancimin e demokracisë si dhe zhvillimin ekonomik, i cili do të krijojë perspektivë për qytetarët e Kosovës.

Mëtej, Presidentja Osmani vuri theks edhe në zhvillimet e fundit në rajon, duke potencuar tendencat destabilizuese të Serbisë, por edhe prezencën gjithnjë e më të rrezikshme të Rusisë e Kinës. Në këtë aspekt, ajo bëri thirrje për mbështetje të SHBA-ve në luftimin e këtij ndikimi të rrezikshëm dhe angazhimin për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Për më tepër, Presidentja theksoi përkushtimin e plotë të Kosovës për angazhim aktiv në dialogun Kosovë-Serbi, i cili siç është thënë edhe nga Presidenti Biden, duhet të jetë i përqëndruar në njohjen e ndërsjellë.

Lexo më shumë  ​27 vjet më parë nisën luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

Presidentja Osmani theksoi se e ardhmja euro-atlantike e Kosovës mbetet përherë objektiv strategjik, ndaj potencoi se në këtë drejtim Kosova sërish ka nevojë për mbështetjen e SHBA-ve drejt konsolidimit të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës.

Ajo mori konfirmim për mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve dhe përkushtimin aktiv për arritjen e synimeve të përbashkëta.

Në vazhdën e takimeve të ditës së sotme, Presidentja Osmani do të takohet edhe me nënsekretaren e shtetit, znj. Victoria Nuland si dhe me zyrtarë të tjerë të Departmentit Amerikan të Shtetit.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *