Reagon industria e qumështit, kompanitë kërkojnë uljen e TVSH në 6%
Industria shqiptare e qumështit kërkon një ndihmë urgjente nga qeveria për të shmangur falimentin dhe për të rritur konkurrueshmërinë e tyre.
Kur në Kuvend po debatohet kundër heqjes së rimbursimit të TVSH 6% për bujqësinë, përfaqësuesit e kompanive të përpunimit të qumështit kanë paraqitur kërkesën për ta barazuar TVSH-në dhe në shitje në nivelin e 6%, siç aplikohet në shumë vende të rajonit dhe Europës.
Përpunuesit kërkojnë edhe rikthimin e skemës së subvencionimit të qumështit në 10 lekë për litër, pa limit për sasinë që mund të përfitohet. Kjo për të konkurruar çmimin e importit dhe për të luftuar informalitetin e lartë në këtë sektor.
Kompanitë e qumështit kërkojnë të tërhiqet paketa fiskale për një moment të dytë, pasi të jetë kryer një studim mbi ndikimin që do të ketë në treg, pasi sipas tyre rrezikon ekonomitë e 5 mijë fermerëve të ndërlidhur me këtë industri. Masat që kundërshtohen përfshijnë edhe akcizën e gazit për industrinë dhe vendosjen e një takse për qumështin pluhur, produkt që përdoret për ushqimin e bebeve, ëmbëlsirat, akulloret, etj./a2/