Janjiq: Grenelli paguhet 100 mijë dollarë në muaj nga Serbia për lobim
Analisti politik Dushan Janjiq thotë se Serbia e paguan 100 mijë dollarë në muaj ish të dërguarin e SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, shkruan portali i Malit të Zi, “Antena M”.
Grenell ishte i dërguar special për dialogun në kohën sa ishte në pushtet presidenti Donald Trump, por edhe pas largimit të tij, Grenell ka vazhduar të lobojë për interesat e Serbisë, shkruan portali malazez.
Janjiq i ftuar në emisionin “Linjë e ndryshme e radios” tha se nuk e di sa paguan presidenti serb Alkesandar Vuçiq, për lobim, por e di se paguan shumë.
“Ne madje i paguajmë edhe Grenellit 100 mijë dollarë në muaj, nuk e di pse kur shefi i tij nuk është në pushtet”, tha Janjiq.
Grenell pas largimit të Trumpit nga pushteti në shumë raste i ka dal në krahë Serbisë. Po ashtu ka zhvilluar disa aktivitete me komunitetin serb në SHBA.
Përmes Twitterit në shumë raste ka kritikuar Kosovën, e sidomos kryeministrin e saj, Albin Kurti.
Janjiq vlerëson se Serbia po vazhdon të lobojë sipas mënyrës së vjetër dhe pa produktivitet.
“Lobimi është i organizuar shumë, çuditërisht dhe për fat të keq askush nuk ka ndryshuar asgjë, nga Slobodan Milosheviqi e deri më sot, matricat dhe agjencitë janë të njëjta dhe disi shkojmë më shumë drejt politikave sesa drejt kompanive. Nuk kemi lobim serioz”, vlerëson kryetari i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Janjiq për Antena M.
Rruga Press