Art & Kulturë

LIBRI I JAVËS/Kopisti Bartëlbi (Një ngjarje në Wall Street)-Herman Melville

IDLIR AZIZI – NJË KOPIST ORIGJINAL

(disa sqarime mbi përkthimin e frazës enigmatike të “Bartëlbit”)

Inatçori është shpeshherë bezdi, madje herë – herë edhe për vetë inatçorin. Sa herë që më kapte “kunja” për të për kthyer këtë novelë të shkurtër, nuk mundja dot kurrë të arrija një përkthim të denjë të formulës së famshme tashmë: I would prefer not to! frazë që përbën bazën, thelbin dhe vetë “sebepin” e novelës. 

Një mik me preferenca institucionale më pat vënë një ditë në kandar me një lider partiak (revolucionar, të themi), lidhur me sasinë e rëndësisë përkatëse. Ai ma mënjanoi atë herë rëndësinë, por pikërisht pas asaj dite unë u tërhoqa, jo më i nxehur, drejt përkthimit të novelës, që e kisha brak tisur disa herë. Lexuesi i interesuar do të gjejë nëpër libra të tjerë inter pretimet e filozofëve lidhur me këtë frazë refuzimi. Refuzimi i Bartelbit është i drejtpërdrejtë, kategorik … por dhe i brishtë, i qetë, i tërhequr. Pikërisht këto të fundit sjellin vështirësinë e madhe të përkthimit të saktë të këtij refuzimi. Si të japësh shkurt, e qartë, një refuzim, por që bëhet me brishtësinë më të madhe, pa dhunë, pa kryeneçësi? 

Që formula në fjalë të përkthehej: -Do të preferoja qe jo! ose – Unë do parapëlqeja të mos e bëja! më dukej fort artificiale. M’u duk shumë e zorshme për përditshmërinë tonë, qoftë edhe në rrethana zyrtare, që një shqiptar të artikulonte me sqimë të tepruar kot një frazë refuzimi.

 Atëherë mendova të hidhem me mend në “terren”: domethënë nisa të përfytyroj të njëjtën situatë në Shqipëri. Fillova të përfytyroj se si mund të refuzonin urdhrin e shefave disa zyrtarë të vegjël e të brishtë, Zhuli Z. i Ministrisë së Jashtme, apo Ahmet S. i Ministrisë së Transportit, të cilët i kisha hasur në punë në Tiranë. 

Përkthimi që fillon me “Nuk” hiqej menjëherë si mundësi. Kjo do të ishte normale, sepse mohorja në gjuhën tonë bëhet pikërisht me “nuk” në fillim: Nuk më pëlqen!, Nuk dua ta bëj! Nuk ma do mendja! Nuk do të ma kishte ënda etj., etj. Problemi ishte se si të ruhej struktura e origjinalit: që refuzimi i Bartëlbit, në anglisht, vjen me një fjali afirmative (dëftore) gjithsesi: I would prefer not to! Që fjalë për fjalë do të jepte: –Unë do parapëlqeja që jo! ose – Unë do të kisha preferuar që jo! Atëherë variantet që shënova anash ishin të llojit : -Besoj se nuk dua!, -Preferoj më mirë jo!, – Parapëlqej mos ta bëj! etj.; sepse kërkoja me ngulm të mbahej ideja e refuzimit kategorik, por me përunjësi e brishtësi. Vështirësia këtu lidhej me faktin që Melville-i nuk përdor aspak folje indikatore “bëj” apo “dua” pas folje “prefer”; refuzimi i personazhit të tij duket i mjaftueshëm në vetvete, sui generis, dhe pa ndërfutur veprime apo sqarime shtesë. 

Vështirësia tjetër më dilte kur mendoja sesi duhej të jepja refuzimin në kushtore: – Do të pëlqeja që jo? – Do të do ja të mos? – Do preferoja të mos e bëja! 

Por një përdorim kaq i stisur i gjuhës rezultonte artificial, manierizëm jo-organik në të folurin tonë të përditshëm. Përfytyrova që dy zyrtarët e ministrive më sipër nuk refuzonin kaq me oborrësi. 

Dhe kjo sillte vështirësinë e radhës: sepse, sado që konsiderohet një thyerje në sintaksë, forma origjinale: – I would prefer not to! është prapë disi normale në anglisht. Një mik helenist, Gérad Vincent, thekson se, nëpër luftën për të mbijetuar, shqipja është një gjuhë që i ka shpëtuar transcendencës, e që ’’punon më shumë me “absendance”, pra me mungesi’’. Dilte pra e nevojshme të përktheje këtë frazë në “mungesore” (si në dhanore, kallëzore etj). 

Përfytyrova mandej një pistë tjetër: sikur të isha artist konceptual, ndoshta do ta aplikoja Bartëlbin kështu: një fotokopjatriçe që qet vetëm fletë të bardha, paçka se e furnizon me bojë. Ashtu si personazhi Bartëlbi, që refuzon të kopjojë dokumentet (para se të shpikeshin makinat xerox) makina do të prishej e do të villte vetëm letra të bardha…  

Duke argumentuar mbi refuzimin e Bartëlbit, studiuesi T.Giles thekson se”fjalët e Bartëlbit janë vërtet një negacion, dhe jo tamam përgjigje boshe”. Ai po ashtu vëren se Bartelbi refuzon, por vetëm e vetëm kur i drejtohen, kur i flasin, kur ai duhet se s’bën të kthejë përgjigje, atëherë m’u duk e drejtë të përktheja:

    Unë për vete them jo! 

    ose, 

    Une do të tho-sha jo! 

    Se pari sepse në shqip fraza më dilte me 6 rrokje , po aq sa dhe origjinali:

 I would pre-fer not to! (6)

 Është e drejtë të mendosh që një artizan i gjuhës e i rrëfimit si Melville-i, të ketë strukturuar saktë një mohim kaq të prerë, por të folur me delikatesë. 

Të mos harrojmë se këtë novelë ai e shkroi në kulm të dhimbjes e të dëshpërimit, kur ai vetë i paraqiste N.Hawthorne-it dëshirën për “t’u vetëfshirë”!  Autori i epikës “Mobi Dik” ,balenës së bardhë, që Borges-i admironte aq shumë, po jetonte gjithnjë e më i tërhequr nga jeta letrare, i pakuptuar nga bashkëkohësit, i braktisur nga miqtë, i detyruar të rifillonte punë në doganat e Nju Jorkut. 

U duk pra, se ky variant e mbante edhe refuzimin, por edhe tërheqjen e brishtësinë. 

Mandej është më se e zakonshme në dialogimin shqip që shumë fjali mbi pamundësinë apo ngurrimin të sillen rreth foljes “them”: – Them se s’bëhet!, – A thua se s’e di unë!, – Them se s’ia vlen etj., etj. 

Kopertinë e Librit, botuar në 2015 nga Shtëpia Botuese Onufri

Analizat vitgenshtajniane flasin lidhur me pamundësinë e të thënit te Bartëlbi; por mua më duket se kulmi i noveles është se si njeri – makinë , Bartëlbi është prapë mundësia, po tenciali për të thënë jo me delikatesë! Makina prishet, makina s’punon, makina ama ndreqet ose hidhet poshtë, por Nuk thotë gje! Për më tepër, shefi-rrëfyes në këtë novelë, kërkon të dijë arsyen pse Bartëlbi refuzon. Këtë s’e bën kush me makinën.

    Kjo mundësi e të thënit jo, pavarësisht se butë e me ton të ulët, duket e vetmja ekzistencë e novelës në fjalë. Vazhdoj sërish me argumentin e T. Giles më lart, se “Melville”-i ishte i ndërgjegjshëm për sheshësinë e novelës që po shkruante. Pra, ngjarja këtu është veçse mohimi, mundësia e të thënit jo; nuk ka mirëfilli këtu ngjarje tjetër përpos frazës lapidare: ” Unë për vete them jo! “. Shefi, bota , të tjerët, kanë të drejtën e tyre të thonë çfarë të duan, “por unë për vete them jo”! 

Dhënia e refuzimit me anë të frazës afirmative, që e mban sintaksa e anglishtes, është “normale” për stilin e Melville – it po aq. Të mos harrojmë vendimin e kapitenit Ahab te “Mobi Dik”, pasi e lëshon llullën nga bashi i anijes në ujë të oqeanit dhe shpall:- I will smoke no more! (Duhan nuk pi më!) Ky refuzim me anë të dëftores nxirrte dhe sfidën time të paktën, për të gjetur një “normale” të refuzimit shqip, por pa dhunë, pa ulërimë apo dashakeqësi. 

* * *

Dihet se para Bartëlbit, Montenji (Montaigne) ka pasë shpallur “Je m’abstiens” (Unë abstenoj, tërhiqem). A nuk është abstenimi, tërheqja pa shumë shpjegime, ajo që tërbon më shumë sistemin e votimit? Gjëja që s’duron dot një ri është të – mos – votuarit, me idenë se do ketë gjithsesi fitim-tarë! 

Ashtu si tërbimi i shefit të Bartelbit, i cili shpall se po të kish qenë Bartëlbi jo – njeri, do të ishte ndryshe: “Do ta kisha flakur nga zyra që aty nëse një shenjë bezdie, inati, padurimi a paturpësie, me fjalë të tjera, sikur diçka normale njerëzore të më shfaqte atë çast” (nënvizimi ynë).

 Jo, ajo që e bezdis shefin është pikërisht tërheqja e Bartelbit edhe nga ajo e ashtuquajtura normë, apo normale, Shefi e përmend se “Rezistenca pasive e rëndon si asgje tjetër mendjen e njeriut të rregullës”. Këtu hyn në lojë vështirësia e përkthimit të refuzimit, dhe rëndësia e tij. Sepse ndryshe nga sa mendohet, Bartëlbi nuk më duket një hero i absurdit, i metamorfozuar nga absurditeti i ligjit apo mekanizmi i burokracisë. Bartëlbi duket më shumë një subjekt që refuzon copë kulturën e Shkrimit.

 Domethënë se refuzon jo thjesht ligjin, por Shkrimin në tërësi. Fillimisht, ai refuzon të kopjojë. Mandej, ai refuzon totalisht të përdorë shkrimin. Habia e madhe që i shkakton shefit ai është kur merr këtë vendim përfundimtar; tronditja që i shkakton: “Si nuk do përdorësh kurrë më shkrimin, pash Zotin?”. Kjo e tmerron me sa duket shefin: të thënët jo, refuzimit të Shkrimit, që bën ligjin. (Në përkthimin frëngjisht të P.Leyris del mjaft bukur përdorimi në shumës, i termit “écritures”, që është shkrimi e njëkohësisht Shkrimet e shenjta!).

Është refuzimi, të thënët jo, si njeri, dhe jo si makinë, ajo që shqetëson pa masë. Shefi vetë shpall se orvatet ta nxehë Bartëlbin me kasten, sepse vetëm me kundër reagim të dhunshëm ai mund të justifikojë pushimin e nëpunësit enigmatik. Dhe me këtë orvatje dalim pikërisht te një thelb i problemit: ajo që shkakton si bezdi Bartëlbi është heqja e “représentation”, e dukjes, e shfaqjes, e paraqitjes…

Së pari, kjo lidhet me vetë foljen e përdorur nga autori: “prefer” etimologjikisht vjen nga latinishtja “prae fare”, d.m.th.,“të nxjerrësh para”. Dhe në anglisht më shumë termi i përket fjalorit juridik: “prefer” d.m.th to press charges, ta hedhësh në gjyq, ta çosh në gjyq. Shkurt pra, ta nxjerrësh nga padukja e ta çosh në pamje. Gjithë fjalori i përdorur nga Melville-i, ecuria e rrefimit, lidhen ngushtë me këtë luhatje refuzim-shfaqje. Dhe Bartelbi për herë të parë refuzimin “Unë për vete them jo” e shpall nga pas perdes, ku punon, pra, off-stage, jashtë skene. 

Por le ta marrim me radhë. Ndërtimi skenik i novelës është i qartë. Kujtojmë që shefi, rrëfyesi pra, ka ardhur, është kthyer në ish-zyrat, tashmë bosh (“Tashmë, i kredhur në heshtjen e ish-zyrës sime…”) dhe prej andej, si në një skenë teatri, na rrëfen këtë histori “të vërtetë”. 

E prej këtej fjala “perde” (curtain) që është përdorur gjithë kohën, për të shenjuar kuvlinë ku punon Bartelbi. Dhe këmbënguljet që bën shefi ta nxjerrë atë nga pas perdes disa herë. Ai e provon me verifikimin e dokumenteve, me itinerare të vockla e me radhë. I trishtë dhe enigmatik, Bartëlbi përgjigjet me refuzim, duke soditur murin (the wall) që ka përballë. 

Botimet e kësaj novele nëpër botë shpesh harrojnë të shtojnë nën-titullin “Një ngjarje në Wall Street”. Është më se e rëndësishme për sa lidhet me ecurinë e rrefimit. Jo më kot Bartëlbi është një refuzues flegmatik, mu në qendër të Wall Street-it, zemra e Dëshirës, e shfaqjes, e performances kapitaliste financiare. Në zemër të industrisë së spektaklit monetar, Bartëlbi e muros veten brishtë pas perdes, përballë një muri të nxirë. Ai refuzon të shfaqet, refuzon të marrë pjesë në aktin botëror të Paraqitjes (Représentation). 

Kësisoj m’u duk e volitshme dhe e natyrshme në gjuhën tonë që pasazhi ku Bartëlbi refuzon të tregohet ndopak i arsyeshëm si ia kërkon shefi i tij, të vijojë: 

“Shkurt , më thuaj, që nesër, qoftë pasnesër do tregohesh pak i arsyeshëm!”

 “Për momentin, unë them të mos tregohem pak i arsyeshëm!”

Them të mos tregohem, hëë? u kërcëllit Nipersi. Ia tregoja unë paq, po të isha në vendin tuaj, zotni!” etj. 

Bartëlbi refuzon të tregohet! Ai bart në vete diçka që ndoshta nuk tregohet dot! Ai për vete (pervers , e quan shefi disa herë) thotë të mos i lërë vend tregimit të tij. Po ashtu si na bën me dije narratori-shef qysh në krye: se rrëfimi për Bartëlbin do të jetë, në fakt, i mangët, pa material të bollshëm. 

Sepse kemi të bëjmë me rrëfimin që s’ka bazë, në fakt. Siç vazhdon T.Giles: “Ne hasim dukshëm ndërgjegjësimin e Melville-it lidhur me boshësinë (blankness) e novelës së tij”. Një novelë me asgjë, pra. Kështu Bartëlbi duket më shumë një (anti) hero bekettian: si personazhi i tij që thotë Not I (Unë Jo), këtu thotë: -I would prefer Not to, që fjalë për fjalë do ta përkthenim: Do të parapëlqeja Jo-në! 

Melville-i bën kujdes të mos shtojë folje tjetër në ecurinë e formulës. Vetëm nga fundi i saj, Bartëlbi shpall: I would prefer to make no changes (nënvizimi ynë). Është në kundërpeshë të drejtpërdrejtë me hamendjet e shefit, që përsërit plot herë: “çfarë të bëj”, “si t’ia bëj”, “çfarë duhet bërë”! Gjithë këtë leninizëm të shefit, Bartëlbi e lë pas me:

 Asgjë si përgjigje. 

Hiç përgjigje.

Si pergjigje asgjë etj., sikundër lexojmë në novelë. 

Ai përgjigjet me një fjalor të zgjedhur nga ana e Melville-it. Ai përdor terma jo fort të zakontë, dhe lexojmë se ai, kur rrëfen arrestimin e Bartelbit, përdor, për shembull, “in his unmoving way”, që ne kemi menduar ta përkthejmë: “kundra lëvizje”, pikërisht në këtë prizëm. Njëlloj si termi “kondra – pedal”, Bartelbi duket bën një kondrapedal në shfaqje, ashtu si personazhi i Beckett-it preferon te “sthotë” (to unsay) në një tregim (shih Tri Novela, S. Beckett, Onufri, 1997). 

Bartëlbi është mohues i drejtpërdrejtë, i mocionit (i lëvizjes së kotë) të shefit dhe të ligjzbatuesve të tjerë. Ata që nuk kanë si ta kenë para syve këtë mohim të lëvizjes, këtë ndërgjegjësim të kundrashfaqjes. Siç shkruan nobelisti Le Clézio: “E vërteta e ndërgjegjes nuk është imazh; nuk është një aspiratë e ligshtë drejt idesë së drejtësisë”. 

Edhe kur e nxjerrin me zor në skenë, Bartëlbi e turbu llon pamjen. Kur ai refuzon darkën e ekonomatit duke parë murin (ndikim të drejtpërdrejtë tek unë i ekonomatit nga filmi ynë “Lulëkuqet mbi mure”), e shohim që ai e flet refuzimin e tij me kurriz, njëlloj si aktor me kurriz ndaj errësirës së spektatorit (Ti je me kurriz në errësirë, një tjetër frazë e Beckett-it).

Ndryshe, ai është personazhi që ballafaqohet me murin (“he fronts the wall”). Ai del mënjanë. Edhe kur ekonomati pyet “Mos është gjë mangut?”, në gjuhën tonë shqipe kjo del fort lehtë, sepse Bartëlbi është vërtet diçka mangut, vërtet diçka që është mangut në krijimin e plotninë e botës.

Edhe shefi e konsideron një “forlorn”, pra si qenie “e kahershme”, e një kohe të shkuar! (“fugurë e një kohe tjetër”, kemi përdorur këtu termin fugurë, huazuar nga Mjeda, që do të thotë ikonë dhe figurë). Pra, tek e fundit Bartëlbi e paska një ekzistencë diku në kohë, dhe nuk është një absurd modern, siç mendohet shpesh. 

Këtu duket na drejton edhe referenca boll e lashtë e Melville-it. Duke përshkruar fundin e Bartëlbit të kruspulluar, si personazh që ka rënë përtokë nga një film pa zë nga muri bosh, shefi e mendon se ai po fle “si mbretërit me ata këshilltarët”. Është kjo vetëm gjysma e parë e frazës së shkëputur nga Libri i Jobit, 3:14: “Me mbretërit dhe me këshilltarët e dheut që për veten ngritën shkretina”. Ironia qëndron në dykuptimësinë e termit të përdorur: “counselor ” që do me thënë këshilltar dhe avokat

* * *

Atëherë një tjetër frazë filloi të bëhej problem për zgjidhje; ajo e fundit fare:

 -Oh Bartëlbi, Oh njerëzim! Në këtë prizëm, origjinali sikur të ofronte një zgjidhje të drejtpërdrejtë: 

O, Bartëlbi, o njerëzimi! Pra “Ose Bartëlbi, ose njerëzimi”, sepse natyrisht njëri nuk shkon me tjetrin… 

Por pikësëpari ku qëndron ai “perversion” i Bartëlbit? Në mënyrën se si ai ndryshon, se si kthen përkundër skenën. Se si, dhe pse ai abstenon. Termi i përdorur nuk mbetet larg origjinave të tij. Perversion, “pervertere”, do të thotë fillimisht, “të kthesh, të ndryshosh kahun”, metamorfozim i përdorimit normal, të themi, qysh kur Shën Bernardi e për dori termin për herë të parë më    1190-n. Ne shohim se shefi është fillimisht i kënaqur që e instalon Bartëlbin pas perdes, që ia “izolonte atë nga sytë, por ama jo sferën e tij të dëgjimit”. Është kjo skema panoptike ku “puqet privatësia me përbashkësinë”, e të gjitha zyrave në botë sot: nëpunësit të mos shohin tjetrin, por ta kenë veshin hapur për spiunime e për urdhra! 

Eshtë skema e kontrollit të normuar kudo sot, ndryshe nga muret e trasha diktatoriale të qeverive dikur. Në survejimin e normalizuar të punësimit të përditshëm në botën tonë aktuale kudo.

Derisa një ditë të caktuar shefit i duhet të avitet vetë te perdja e Bartelbit, pas refuzimit të këtij. Atë që ai, në mënyrë të përsëritur e etiketon si “kuvlia” (hermitage) e tij. Kur ai e mendon abstenimin e Bartëlbit si të pjesshëm, rezultat i dobësimit të syve, saje kopjimit të tepërt, ai nuk e parashikon dot radikalizmin e refuzimit.

Ngase Bartëlbi e çon formulën në ekstrem, kur shprehet: “For the moment I would prefer not to be a little reasonable”. Në rastin e një kundërshtimi të dhunshëm, më ” normale mund të ishte: I would prefer to be a little unreasonable. Kështu, për çastin Bartëlbi pëlqen të mos jetë disi i arsyeshëm, duke e zmadhuar, duke e stërzgjatur këtë çast, në infinit, dhe këtu nis tmerri i shefit, që s’ka si ta llogarisë këtë kohëzgjatje. 

Është, pra, çasti kur shefi mendon ta etiketojë ekscentrik. Ky ekscentrizëm i dhënë me kulmin e qetësisë dhe të heshtjes, del në pah si tmerri i papërtypshëm. Skena ku rri Bartëlbi, mbetet enigmatike, sepse në të ai operon, qëndron, me qendrën e shkëputur, me një ish-qendër (ex – center), të cilën e ka prodhuar vetë më këtë qëndrim, dhe jo se e ka gjetur si vend për ndodhjen e tij. Ky imazh i ri është tmerr për shefin. “Për momentin u shndërrova në një shtyllë kripe, në këmbë, në krye të kolonës së nëpunësve të ulur në radhë” aludon shefi, si gruaja e Lotit biblik, që ktheu kokën e pa atë që s’bënte ta shihte! 

I mënjanuar, i vetizoluar, Bartelbi e ka transportuar qëndron diku pa përcaktim. Kjo skenë mbetet e patregueshme dot, siç del dhe nga arsyetimi që bën shefi – narrator këtu. Kjo i shkakton madje tmerr, kur thotë: “Dridhesha kur mendoja se si kontakti me kopistin më kishte ndikuar, dhe seriozisht madje , mënyrën e të menduarit”. Eshtë ajo ish-qendra që ai e lë po aq pas, pasi do vetëm ta lënë rehat, por janë të tjerët që me zor duan ta fusin në skenë. 

Atëherë shefit s’i mbetet gjë veç ta lakuriqësojë Bartëlbin, ta nxjerrë cullak para botës, që ai e lë qetësisht pas dore. Gjithë synimi është që ta nxjerrë Bartëlbin në shfaqje Vëmë re renditjen e fjalëve nga autori këtu , kur shefi gjen det në turmën e tifozëve elektoralë, teksa shkon të shohë realizimin e planit të tij, për ta nxjerrë Bartëlbin pa dhunë nga zyra. Termat e përdorur aludojnë drejt kësaj daljeje, drejt përshfaqjes, pahut, pra që kanë të bëjnë me imazhin: “frame”(kornizë), “Broad-way” (gjerësia), “uproar” (hapje,gjëmim), “screen” (ekran) njëra pas tjetrës në origjinal.

E kësisoj porosia e shefit: që perdja e Bartëlbit të hiqet e fundit nga zyra! Me këtë lakuriqësim, kur shefi mendon se do ta normalizojë Bartëlbin duke i hequr skenën-perden, ja ku e fut prapë atë në botën e Shkrimit, në fushën e Librit. Sërish Melville – i bën kujdes për termat që na çojnë në këtë aludim: folio (këtu : lastër ), naked (lakuriq): “E hoqën: e mblodhën palë si një lastër të stërmadhe, duke e nxjerrë ko pistin e ngrirë si personazhin e vetëm në atë dhomë të zhveshur”. 

Në këtë skenë të fundit të lakuriqësisë rreket ta çojë shefi “babaxhan” këtë tip të pabindur, të pamundur, të pa rregullt. Dhe duket sikur gjaku francez i Melville-it nxjerr kokëvetiu, kur ai e mbyll paragrafin me togfjaleshin “ndof”, në homotoni kjo me frengjishten “rideau” (perde)! Si ne fund të pjesëve të teatrit. 

Ne pamundësi për ta ndjekur kete teater irracional, shefi me arsyen preferon të shpallë që: “Kështu u shqita prej tij – sado çudi të duket-atij që doja t’i hiqesha me kohë.

* * *

“Ky ekspozim nuk i shpëton ironisë së tmerrshme të Melville-it. Sepse, në fund të novelës, autori na njofton, “në rangun e thashethemit”, lidhur me të kundërtën: ekspozimin e jetës së të tjerëve para syve të Bartëlbit dikur. Kur na bën me dije që Bartëlbi dikur paska qenë nëpunës në Krematoriumin e letrave në Postë. Këtu procedimi i Melville-it arrin përsosmërinë. 

Dhe jo vetëm se (siç thekson shefi) krematoriumi të kujton vdekjen: varrimin e djegien e letrave, dhe të fjalëve! Por, së pari, në rang teknik: specialistët theksojnë se ka një informacion shumë të paktë, shumë të mangët lidhur me krematoriumin e letrave. Siç vë re një studiues amerikan: “duke qenë departament brenda departamentit të postave, shumë pak informacion ka mbi këtë zyrë; dhe të pakta janë dhe studimet në këtë fushë”. 

Po aq të mangëta sa dhe të dhënat e biografisë së Bartëlbit, të jetës së tij, që janë aq të vobekta, “aq sa nuk mund të ndërtosh dot nje histori”. Besoj nuk ekziston material i mjaftë për biografinë e plotë të atij njeriu. Është një humbje pa kthim për letersinë”; kështu thotë shefi mandej, nën ironinë therëse të Melville-it. Vallë shefi do ta provonte nje herë dorën si shkrimtar, po të kish më shumë të dhëna të bollshme? Vaniteti i tij “denoncohet” nga mëpakësia e Bartëlbit. 

Po aq i kotë del dhe interesimi i shefit, që premton t’i shkruajë Bartëlbit pas largimit; duke e bërë kështu, menjëherë, një letër pa adresë, gati për krematorium! 

Mirëpo këtu, në fund na “denoncohet” disi edhe vetë Bartelbi i ligshtë e i tërhequr. Si dikur nëpunës i Krematoriu mit të letrave, ai ka qenë nga të paktët njerëz të autorizuar për të futur hundët, për të hapur e lexuar letrat e të tjerëve, letrat e palexuara nga pala e interesuar. Kështu, i vet izoluari i tanishëm, na jepet në pozicionin e vojeristit dikur! Të zhbiruesit, përgjuesit. Ai ka pasë qenë një nëpunës vojerist në Uashington, pra në qendër të burokracisë shtetërore. E tanimë ai është vullnetari (will) i heshtjes, në qendër të erotomanisë financiare të botës, i murosur (walled) në Wall Street. Këtë pozicion prej Zoti fals (futhundës), apo aktin e djegies së letrave ka vuajtur vallë Bartëlbi dikur që e bën aq të heshtur e refuzues?? 

Këto vetëm mund t’i hamendësojmë. Si përherë i den dur në zhbirimin e territ të botës, Herman Melville-i na lë në fund me një: 

“Kuku Bartëlbi! Kuku njerëzimi!” 

Ofshamë version gegnisht këtu, për fatin e të dyja pa lëve; por edhe si një pikëpyetje lidhur me vendndodhjen e tyre… e tonën.

Shqipëroi: Idlir Azizi
Shtëpia botuese: Onufri

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *