Schmidt: Trazirat në Bosnje do të ndikonin edhe në Kosovë
Nëse Bosnja multietnike shtyhet drejt shpërbërjes, kjo do të ketë në mënyrë të pashmangshme një ndikim në konflikte të tjera të pazgjidhura në Ballkanin Perëndimor, si ai midis Serbisë dhe Kosovës, ka thënë për Reuters i dërguari i Bosnjës për paqen, Christian Schmidt.
Politikani gjerman Schmidt, i cili është Përfaqësues i Lartë ndërkombëtar në Bosnje, ka thënë se marrëveshja e paqes që i dha fund luftës së Bosnjës në vitet 1990, rrezikon të zbërthehet nëse bashkësia ndërkombëtare nuk merr masa për të ndaluar separatistët serbë.
Ai i referohej lëvizjeve të udhëheqjes serbe të Bosnjës që synonin zhbërjen e institucioneve kryesore shtetërore si forcat e armatosura të përbashkëta, autoriteti i taksave indirekte dhe organi më i lartë gjyqësor, si dhe institucione të tjera.
“Trazirat në këtë rajon do të ndikojnë gjithashtu në çështjen e marrëdhënieve të vështira midis Serbisë dhe Kosovës në të njëjtën mënyrë ose të ngjashme”, ka thënë Schmidt.
Ai ka shtuar se rruga e Beogradit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian mund të ndikohet rëndë nga paqëndrueshmëria në Bosnje.
I pyetur nëse ekziston një mundësi reale e shpërbërjes së Bosnjës, Schmidt është shprehur se nuk sheh një rrezik shumë të afërt.
“Por nëse degradimi i traktatit të Dejtonit vazhdon, ekziston rreziku që vendi do të shpërbëhet”, shtoi ai.
Marrëveshja e paqes e Dejtonit e sponsorizuar nga SHBA-ja, e nënshkruar në 1995, i dha fund luftës disa vjeçare midis serbëve të Bosnjës, kroatëve dhe boshnjakëve myslimanë, duke e ndarë vendin përgjatë vijave etnike në dy rajone autonome – Republika Serbe e mbizotëruar nga serbët dhe Federata e përbashkët e mbizotëruar nga kroatët dhe boshnjakët.
Rruga Press