Ushtarakët e komponentës rezervë të FSK-së, burim shumë i vlefshëm i mbrojtjes kombëtare
Sot, pjesëtarët e Komponentit rezervë të FSK-së përfunduan angazhimin në shërbim të filluar nga data 4 tetor e këtij viti.
Pjesëtarët e rezervës aktive të FSK-së, përgjatë muajit të kaluar ishin në angazhimin e rregullt në FSK-së duke dhënë kontributin e tyre krahas pjesëtarëve të rregullt.
Gjatë kësaj periudhe, oficerë e nënoficerë të rezervës aktive, shumë nga ta profesorë universitetesh, mjekë specialist, juristë, politolog, diplomatë, pilotë e profesionistë të shumë lëmive tjera, me angazhim dhe përkushtim të lartë, realizuan shërbimin aktiv, përkundër angazhimeve primare që kanë në profesionet e tyre.
Ministria e Mbrojtjes, me rritjen e buxhetit, do të ruajë dhe zhvillojë aftësitë ushtarake, gatishmërinë e lartë dhe aftësitë drejtuese dhe operative të ushtarakëve rezervë, si burim shumë i vlefshëm i mbrojtjes kombëtare.
Vlen të vlerësohet edhe roli i Shoqatës së Oficerëve Rezervë e cila shërben si urë lidhëse e komunikimit mes pjesëtarëve të rezervës aktive të FSK-së. Për të tjera, kjo Shoqatë në baza vullnetare kontribuon për ndërkombëtarizimin e komponentes rezervë të FSK-së edhe në instanca të rëndësishme, në funksion të integrimeve euroatlantike.
E gjitha kjo vjen shtuar bashkë dhe në kuadër të buxhetit të ri të Republikës së Kosovës për FSK-në. Kryeministri Kurti lajmëroi, jo me larg se dy javë më parë, se buxheti për ushtrinë do të jetë plot 100 milion euro, pak më shumë se 2% e PBB dhe synimi është që të arrihet shifra 5% e PBB.
Në këtë pikë, Kosova është në një ritëm me vendet e tjera të Ballkanit në fushën e mbrojtjes. Investimi në ushtri po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, duke pasur parasysh që shtete si Serbia, Kroacia, Bullgaria dhe Greqia, po bëjnë investime goxha të mëdha në mjete dhe armatim për ushtrinë.
Pytja në këtë pikë shtrohet se çfarë po bën Shqipëria? Akoma nuk dijmë nëse ka ndonjë strategji mbrojtjeje. Buxheti për vitin e ardhshëm nuk kishte asnjë shtesë, dhe buxheti aktual nuk ka pasur të parashikuar asnjë rritje kapaciteti ushtarak.
Në Shqipëri shpesh duket patetike të flasësh për ushtri dhe armatim, por mos të harrojmë që Bosnja sot për sot është ndër temat më të nxehta në gjeopolitikë. Shteti ballkanas është në vigjilje të ndarjes dhe veç një fije peri e ndan nga konflikti i armatosur.
Rruga Press