Dëmshpërblim nga tërmeti për një banesë që nuk ekziston/ 3 të arrestuar, pezullohet administratori i Njësisë Petrelë
Tre persona janë arrestuar me urdhër të SPAK, si të përfshirë në një skemë për të rikualifikuar një shtëpi të prishur pas shpronësimit për qëllime publike, si të dëmtuar nga tërmeti, për të përfituar financiarisht.
Në pranga kanë përfunduar personat nën hetim, A.M. dhe F.H. të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrim ndikim i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe i dytë i Kodit Penal; si dhe për personin nën hetim Dh. P., me detyrë ekspert pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve”.
Hetimet për këtë rast, të verifikuar në njësinë administrative Petrelë, të Bashkisë Tiranë, kanë nisur që në vitin 2020. Me urdhër të SPAK është caktuar masa “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullimit të ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik”, ndaj Sokol Kupit, me detyrë Administrator i Njësisë Administrative Petrelë.
Gjithashtu, me urdhër të SPAK, është lënë me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, personin nën hetim K.K. me detyrë ekspert pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve”.
Rruga Press