Kanada / 31 vite nga themelimi i shoqatës Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze
31 vite më parë në Toronto, Kanada u themelua një nga shoqatat më të vjetra të Diasporës së Re shqiptare, “Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze”. Fillimisht si një alternative për të qenë bashkë, për të ndjerë një pjesë Shqipëri në Kanadanë e largët, por me kalimin e viteve duke u shndërruar në një pikë referimi, në një vend ku shqiptarët ndiheshin në shtëpi.
Përpjekjet për të krijuar shoqatën “Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze” (SHBSHK) me qendër në Toronto e kanë fillimin shumë kohë më përpara se sa të themelohej kjo shoqatë.
11 Gushti 1989 shënon ditën e krijimit paraprak të kësaj shoqate mbarëshqiptare. Kjo arritje e rëndësishme e komunitetit shqiptar ishte fryt i punës së palodhur dhe të lavdërueshme të grupit nismëtar, i cili me përpjekje të mëdha arriti të mbledhë shumë bashkatdhetarë për një qëllim fisnik.
Zyrtarisht SHBSHK-ja do të merret jetë më 4 Nëntor 1990 ditë kur u regjistrua tek autoritetet kanadeze si organizatë komunitare pa përfitim me emrin Albanian-Canadian Community Association of Toronto. (dokumenti bashkëngjitur).
SHBSHK Toronto është një organizatë jo-përfituese që i ofron një zë bashkësisë shqiptare të Ontarios, duke ndihmuar në zhvillimin e kulturës, artit dhe trashëgimisë shqiptare në Ontario. Kjo shoqatë prej tre dekadash vepron pa ndarje fetare, politike apo krahinore për të ruajtur frymën kombëtare shqiptare në Kanada. Ajo e kryen këtë nëpërmjet kultivimit të vlerave, kulturës, traditës kombëtare dhe gjuhës shqipe, si dhe ofrimit të shërbimeve të shumëllojshme për grupmoshat e ndryshme në bashkësinë shqiptare.
Një nga arritjet më të mëdha në historinë e kësaj shoqate është nisma për miratimin e Ligjit të Trashëgimisë Shqiptare në Ontario ku nëntori u shpall Muaji i Trashëgimisë Shqiptare në Ontario me 5 Dhjetor 2016 dhe mori miratimin e përfaqësuesit të mbretëreshës me 8 Dhjetor 2016.