Damon Galgut me “The Promise” merr çmimin “Booker”
Autori nga Afrika e Jugut, Damon Galgut, ka fituar çmimin “Booker” prej 50 mijë funtesh (58 mijë e 750 euro) për librin “The Promise” (Premtimi), duke mposhtur të tjerët në një fushë cilësore që përfshinte një autor tjetër të përzgjedhur më parë, Richard Powers. Dramaturgu dhe romancieri afrikano-jugor shkroi romanin e tij të parë në moshën 17-vjeçare dhe fitoi çmimin “Fiction” të “Sunday Times” më 2015 për librin e tij të tetë “Vera Arktike”.
“U desh shumë kohë për të mbërritur këtu dhe tani mendoj se nuk duhet të jem këtu”, ka thënë ai disi me modesti, duke shtuar se ishte “i shtangur” për faktin që ka fituar çmimin. Ai gjithashtu ua kushtoi çmimin të gjithë shkrimtarëve afrikanë. “Unë do të doja ta pranoja këtë në emër të të gjitha historive… që vijnë nga ky kontinent i mrekullueshëm”, ka thënë ai.
Romani i tij i fundit rrëfen historinë e një familjeje fermerësh të bardhë afrikano-jugore gjatë katër dekadave, të shoqëruara nga një vrasje klanore. Dëshira e vdekur e matriarkut – ose premtimi – është t’i dhurojë një shtëpi në pronë gruas së zezë që ka punuar për familjen gjatë gjithë jetës së saj. Por fëmijët janë në konflikt nëse do të përmbushin dëshirën e nënës së tyre.
“Në thelb, aparteidi ka vdekur dhe ka ikur, por aparteidi është ende këtu”, ka thënë Galgut në një intervistë për “The Irish Times” në lidhje me temën themelore të romanit. “Ligjet e aparteidit nuk janë më në dokumentet e shtetit. Por efektivisht, ekonomia i mban të gjithë pak a shumë aty ku ishin”, ka thënë ai.
Gjatë ceremonisë në Radio Teatrin e BBC-së në Londër, kryetarja e jurisë së çmimit “Booker”, historiania Maya Jasanoff, ka thënë se të gjashtë romanet e përzgjedhura në listën e ngushtë “ndajnë një ndjenjë inovacioni” dhe janë “shumë të thella e zhytëse”. Romanet përmbanin një “ndjenjë të së tashmes… duke u marrë me trashëgimitë e së kaluarës”, shtoi ajo.
Duke folur për “Premtimin” e Galgut, ajo ka thënë se libri kombinon “një histori të jashtëzakonshme, tema të pasura, historinë e 40 vjetëve të fundit në Afrikën e Jugut, në një paketë tepër të punuar mirë”.
Patricia Lockwood, poete nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka debutuar në listën e ngushtë të vitit 2021 me veprën “No One is Talking About This” (Askush nuk është duke folur për këtë”. Ajo i takon listës së shkurtër të Çmimit për Shkrimtare. Duke pasur të shkruara paraprakisht dy vëllime poetike dhe memoaret “Priestdaddy”, redaktorja e angazhuar për “London Review of Books” ka shpërfaqur dramat e kohës së internetit./koha.net/
Nadifa Mohamed është romancierja e parë somalezo-britanike që u fut në listën e ngushtë për çmimin “Booker” me romanin e tretë “The Fortune Men” (Burrat e Pasurisë) që është historia e trilluar e Mahmood Mattan, një baba dhe hajdut i vogël që u dënua gabimisht për vrasje më 1952.
Richard Powers, që është autori amerikan i vlerësuar për 13 romane, është përzgjedhur dy herë në listën e ngushtë për “Booker”. Këtë vit është në garë për “Bewilderment”. Pasi me “The Overstory” hyri në listë në 2018 dhe fitoi çmimin “Pulitzer” për romane, “Bewilderment” detajon një marrëdhënie të veçantë midis një babai shkencëtar dhe djalit të tij të dashur që dëshiron të shpëtojë botën.
Romancieri nga Shri-Lanka, Anuk Arudpragasam, i cili ka studiuar në SHBA, ishte në listën e ngushtë për romanin e tij të dytë, “Një kalim në veri”. Kurse romancierja amerikane Maggie Shipstead qe në listën e ngushtë për romanin e saj të tretë, “Rrethi i madh”, i cili do të ndjekë suksesin e romanit të saj debutues të vitit 2012 ”Seating Arrangements”, një bestseller i “New York Times” dhe fitues i çmimit “Dylan Thomas”.