Bota

Rusia shton presionin mbi mediat e pavarura

Rusia po shton presionin ndaj mediave të pavarura ruse, duke e parashikuar me ligj etiketimin sistematik të shumë prej tyre si “agjentë të huaj”, një kategori që në Rusi lidhet historikisht me idenë e “armiqve të shtetit”. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Moskë, Jon Spier njofton.

Kanali televiziv Dozhd është një nga mediat e pakta ruse që nuk është nën kontrollin e Kremlinit. Megjithatë, është gjithnjë e më e vështirë për stafin e saj të punojë, pasi autoritetet i përfshinë në listën e “agjentëve të huaj”.

Kanali Dozhdu përfshi në këtë listë pasi kishte përfshirë në raportet e tij, materiale nga media të tjera të klasifikuara më parë si “agjentë të huaj”.

Redaktori i stacionit, Tikhon Dzyadko, thotë se ligji është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shtypit.

“Ky është një ligj diskriminues fashist që i ndan njerëzit në kategori ‘të drejta’ dhe ‘të padrejta’ dhe është shkruar në atë mënyrë që çdo person mund të bëhet “agjent i huaj”.

Lexo më shumë  Rubla ruse arrin nivelin më të ulët në 32 muaj kundrejt dollarit

Mediat që bëjnë pjesë në këtë kategori duhet ta përshkruajnë veten si “agjent i huaj” në të gjitha transmetimet dhe përmbajtjet e tyre në internet – diçka që kritikët thonë se synon të trembë publikun.

“Të gjitha regjimet autoritare janë të ngjashme në mënyra të ndryshme. Ata të gjithë shtypin disidencën, të gjithë shtypin njerëzit që janë të etur për të thënë të vërtetën”, thotë Sergey Lukashevsky me qendrën Sakharov.

Qeveria ruse pretendon në mënyrë të rreme se ligji është i ngjashëm me politikat e Shteteve të Bashkuara që kërkojnë që rrjetet mediatike të financuara nga jashtë të regjistrohen në qeveri.

“Ne nuk e shpikëm këtë ligj, ky ligj u krijua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 1930 dhe është përdorur qysh atëherë, dhe veçanërisht kundër mediave ruse”, thotë presidenti Vladimir Putin.

Lexo më shumë  Kryeministri suedez deklaron se Deti Baltik tani është “në rrezik të lartë” pas sabotimit të dyshuar me kabllo

Rusia e etiketoi Zërin e Amerikës dhe Radion Evropa e Lirë/Radio Liberty si agjentë të huaj në vitin 2017 dhe ka vendosur kufizime të reja të rrepta mbi operacionet e tyre lokale, përfshirë gjobat financiare. Rrjetet e huaja në Shtetet e Bashkuara nuk përballen me kufizime të tilla.

Mes kësaj vale presioni rus, dhënia e çmimit Nobel për Paqe kryeredaktorit të së përditshmes ruse Novaya Gazeta, Dmitri Muratov u përshëndet nga aktivistët si njohje ndërkombëtare e gazetarisë së pavarur ruse, thonë analistët.

“Për gati 30 vjet, Muratov ka ngritur zërin për të njëjtat parime të demokracisë, qëndrimin kritik dhe të arsyeshëm ndaj të kaluarës sonë”, thotë profesor Adrey Zubov për Zërin e Amerikës.

Çmimi Nobel i bëri jehonë rëndësisë së shtypit të pavarur, jo vetëm në Rusi, por në mbarë botën, në një kohë kur të thuash të vërtetën është bërë gjithnjë e më e vështirë. /VOA/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *