KryesoreLajme

Shqiptarët shpenzuan 13.6 milionë euro në 9 muaj për të siguruar pronat

Për nëntë muajt e parë të këtij viti, shqiptarët shpenzuan rreth 1.67 miliardë lekë ose rreth 13.6 milionë euro për sigurimin e pronave.

Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se primet e shkruara bruto nga sigurimet e pronës u rritën me 31% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sigurimet në pronë përbëjnë gjithsej rreth 12.8% të primeve totale të sigurimit në Shqipëri, në rritje të lehtë nga niveli prej 11.4% i një viti më parë.

Tregu i sigurimit të pronës shfaqet më i përqendruar krahasuar me mesataren e tregut të sigurimeve. Të dhënat e AMF tregojnë se tre kompani sigurimesh zotërojnë rreth 78% të primeve totale të shkruara bruto nga ky produkt. Megjithatë, pjesa e tre kompanive më të mëdha ka pësuar një rënie krahasuar me një vit më parë, kur së bashku zotëronin mbi 82% të tregut. Kompania më e madhe në treg, Sigal, për 9 muajt e parë të vitit zotëronte rreth 40.9% të primeve të shkruara bruto, afërsisht në të njëjtin nivel me vitin e kaluar. E dyta renditet Albsig, që mban 26.8% të tregut, në rënie nga niveli prej 29% i vitit të kaluar. Vijon Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group me 10.5%, edhe kjo në rënie nga niveli prej 11.8% i një viti më parë. Kompanitë e tjera, të marra së bashku zotërojnë vetëm rreth 22% të tregut për këtë produkt, megjithëse pjesa e tyre është rritur me katër pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.

Lexo më shumë  Konjufca priti në takim Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

Sigurimi i pronës është një produkt ligjërisht vullnetar, megjithëse pjesa më e madhe e kontratave lidhen me kreditë bankare, çka e bën faktikisht një produkt të detyrueshëm. Si rregull, bankat i ofrojnë huamarrësit mundësinë e zgjedhjes së kompanisë ku dëshiron ta sigurojë pronën që vendos si kolateral për kredinë. Megjithatë, duke qenë se për këtë produkt agjent shitjeje janë kryesisht bankat, një ndikim mund të kenë edhe komisionet e ofruara nga secila kompani. Kjo mund t’i bëjë bankat që t’i orientojnë klientët drejt atyre siguruesve që ofrojnë komisionet më të larta për to. Fakti që tregu ka një shkallë të lartë përqendrimi në pak kompani mund të shpjegohet edhe me marrëdhënien që ato kanë arritur të vendosin me bankat tregtare.

Lexo më shumë  I nominuari i Trumpit për shef të Pentagonit sulmon NATO-n e OKB-në

Mbështetur në të dhënat e AMF, deri tani në Shqipëri rezultojnë gjithsej rreth 38 mijë prona të siguruara. Megjithëse numri i kontratave të sigurimit është rritur me 11% krahasuar me një vit më parë, përdorimi i këtij produkti sigurimi nga shqiptarët ngelet në nivele të ulëta dhe i lidhur kryesisht me sigurimin e kolateraleve për kreditë bankare. As tërmeti i rëndë i nëntorit të vitit 2019 nuk ka sjellë një “shkundje” të mirëfilltë lidhur me rrezikun e dëmtimeve në pronë nga fatkeqësitë natyrore. Pas tërmetit, qeveria shqiptare u shfaq e orientuar për ta bërë sigurimin e pronës të detyrueshëm, nëpërmjet ngritjes së një skeme të posaçme që do të administrohej nga një kompani publike, sipas modelit që aplikohet në Turqi. Por, drafti i përgatitur nga AMF për këtë qëllim duket se është harruar sërish sirtarëve dhe qeveria deri tani nuk ka ndërmarrë asnjë nismë ligjore për këtë qëllim.

MONITOR

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *