“Fshati tipik shqiptar” i mbyllur nga brenda, që pretendon se është Shqipëria
Editorial nga Megi Mustafaraj
Vilat miliona euroshe të cilat janë në pronësi të oligarkut Samir Mane dhe të banuara nga deputetë, gazetarë, njerëz të spektaklit, ministra dhe bankierë paraqiten nëpër librat shkollorë si fshatra shqiptarë.
Ata vërtetë mund të kenë përmasën e një fshati të madh si terrior, por në fund të ditës askush prej atyre që banon aty nuk vuan për ujë, nga ndotja, kriza për të mbijetuar apo të punojnë tokën. Paratë e shumë prej tyre vijnë prej korruptimit të madh që ka pllakosur vendin, vjedhjes apo pazareve që ka për sponsor gjeneral xhepat e shqiptarëve. Shtëpitë janë të tyret, ndërsa paratë të shqiptarëve.
Nga investigimi që është bërë për disa nga komplekset turistike më të mëdha në vend, si ai i Qerretit apo i Lalëzit, dalin emra të ish-ministrave, të Erion Veliajt, nënkryetarit të Bashkisë dhe ish ministres Ermonela Felaj, vilave rezidenciale në “Kodrën e Diellit”, “Long Hill” apo “Rolling Hill”, por edhe të apartamenteve luksoze disa qindra mijëra euro tek “Ambasador 3”, të përfituar nga drejtorë e nënpunës mediokër të shtetit, me një rrogë modeste.
Disa nga emrat që ka publikuar portali Ekskluzive.al:
- Zv Kryeministri Arben Ahmetaj pushon në Vilën e tij luksoze me pishinë, më saktë vila 73, një prej vilave më të shtrenjta dhe luksoze të kompleksit për shkak të pozicionit. Vila në fakt rezulton në pronësi të një kompanie shumë të përfolur në media që ka përfituar miliarda nga shteti. Vlera e vilës thuhet se është blerë rreth 360 mijë euro, por ka një kosto shumë më të lartë, duke pasur parasysh që sot vetëm pas një viti ajo vlen të paktën dyfish, e pamobiluar.
- Taulant Balla, pushon në vilën 48 në kompleksin luksoz, e cila vlerësohet të jetë blerë 330 mijë euro, shumë më lirë se vlera reale. E përbashkëta e vilës së Taulant Ballës dhe Arben Ahmetaj, është se kanë të njëjtin pronar, biznesmenin e përfolur shpesh herë në media se ka lidhje me këta pushtetarë. Gjithashtu kryetari i grupit parlamentar ka dhe një apartament tek “Ambasador 3”, nën emrin e të njëjtit biznesmen, e ndërtuar nga “Balfin Group”, gjithashtu në pronësi të Manes.
- Ministri Blendi Klosi pushon në vilën 70, prapa vilës së pronarit të “TV Klan”, Aleksandër Frangaj, në emër të një biznesmeni mjaft të njohur në këtë zonë, i cili po ndërton një kompleks pak më poshtë në bregdetin e Dhërmiut, i cili çuditërisht ka investuar qindra mijëra euro në një vilë të një konkurrenti të tij në ndërtim apo tendera. Sipas burimeve konfidenciale, ministri Klosi ka ndërtuar edhe një kat nëntokë pa leje në vilën e tij!
- Ish Ministri i LSI-së Ylli Manjani, banon në vilën e tij në fillim të kompleksit, e nuk fshihet fare si kolegët e tjerë. Madje po të kalosh pranë vilës, ai gjithmonë është i gatshëm të të përshëndes me babaxhanllik.
- Ndërsa nga PD, deri tani flitet se Oerd Bylykbashi, ka një apartament në këtë kompleks, politikani i vetëm nga e djathta që banon në kompleksin luksoz.
- Bujar Leskaj, ish Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit pushon në Vilën 76 të kompleksit luksoz.
- Gent Sejko, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, pronar i vilës 60/1, në emër të gruas Elona Sejko. Vlera e vilës vlerësohet 450 mijë euro pasi guvernatori e ka marrë atë të mobiluar me nje vlerë që shkon nga 80-100 mijë euro. Por edhe pse vila kushton disa qindra mijëra euro më shtrenjtë, guvernatori e ka marrë me vlerë 250 mijë euro. Pronarja Elona Sejko, bashkëshortja e guvernatorit është drejtoreshë e “Tirana Bank”, e blerë para disa vitesh nga biznesmeni Samir Mane.
- Në këtë kompeleks jeton edhe gazetari i njohur Blendi Fevziu, i cili ka në pronësi një vilë me vlerë 440 mijë euro, por ndryshe nga gjithë të tjerët, ai e ka në emër të tij.
Në qoftëse këto shifra dhe emra për Ministrinë e Arsimit përbëjnë një fshat, atëherë është e qartë se kushdo që merret me librat shkollorë, nuk e njeh pjesën tjetër të shoqërisë, nuk ka qenë në fshatrat e Shqipërisë, të cilët janë thuajse të braktisur, por dhe ata pak që (mbi)jetojnë, e shumta kanë një shtëpi me çati që fut shiun dhe një gjysmë kasolle.
Ata që i përkasin një moshe disi më të madhe duhet ta kujtojnë shumë mirë se ekspozimi dhe denoncimi i mjerimit ishte i ndaluar në Shqipërinë e regjimit komunist. Për këtë mund të haje burgun fare lehtë. Dhe ishe mjaftueshëm i mbrojtur nëse ndiqje linjën ideologjike, sipas së cilës qyteti dhe fshati shqiptar ishte për tu patur zili, edhe nga vetë revizionistët perëndimorë. Pavarësisht varfërisë, akush nuk duhej të ankohej se nuk ka mjaftueshëm vaj apo mish, apo për cilësinë e patates.
Ndalimi i këtij denoncimi ndodh edhe sot, ashtu duke ndjekur traditën, por forma e censurimit ka ndryshuar. Nuk jemi më te ndalesa, por tek propaganda pozitive deluzive. Mund të çirresh duke paraqitur skamjen dhe mjerimin, por mediatizimi do të rrokë vetëm format ekzotike të paraqitjes së fshatit shqiptar si resort ekselent që e aspirojnë edhe vet gjermanët.
Edhe pse ai dhe ne vazhdojmë të jemi gjallë, Samir Mane ka hyrë në histori, e historia flet për të në librat e historisë për fshatin e tij që është “tipiku shqiptar”. Kjo histori deluzive, e falsifikuar, flet me krenari dhe arrogancë mu përpara fytyrës tonë; ndërkohë që shpirti do të plasë në mes të mjerimit real duke thëne se “po na gënjejnë para syve”. Dy (mos)botë paralele. Njëra dështim i vërtetë, tjetra sukses i rremë.
Duket sikur edhe Rama bashkë me Ministren e Arsmit Kushi, e cila pasi del skandali sillet si e indinjuar nga lajmi, duan të rrisin një brez të kalitur me idiologjinë e realitetit të falsifikuar që propozon partia (Kush më shumë se kjo qeveri i vuri theksin PR-it). Përveç aspektit reklamues rreth “fshatit tipik shqiptar”, kjo nënkupton vetëm diçka, që shteti është aq i lidhur me oligarkinë dhe me mënyrat e saj, sa edhe në librat shkollorë nuk rrinë dot pa e treguar këtë lidhje të tyre.
Të edukosh një brez është përgjegjësia më e madhe dhe mëmyra se si ky brez reflektohet është thelbësore për një shtet. Pasojat e brezit të rritur nën regjimin diktatorial të Enver Hoxhës jemi duke i parë edhe sot. Çdo na shohin sytë!
Një gjë tjetër që bie në sy është masiviteti i reklamës rreth rezidancave nëpër portale dhe TV. Paga më e zakontë në Shqipëri është 25 000 lekë, por në publicitetin që bëhet të jepet përshtypja se çdokush mund të jetojë aty. Përsëri vjen pyetja; a e dinë këta njerëz që rrethi me të cilët shoqërohen nuk është i vetmi që ekziston? Si ka mundësi që dikush të pretendojë se ka certifikatën e realitetit spektakolar në mes të skëterrës? Por, në një vend ku gjithkush bën sikur, ç’i kushton një kryeministri të bëjë sikur nuk ekziston skëterra, ç’i kushton një miliarderi të bëj sikur është pronari i Shqipërisë, kurse banorët e saj konsumatorë të produktit të tij, ç’i kushton një pronari të medias të na bëjë të besojmë se ne të gjithë jetojmë apo do të jetojmë në “fshatin tipik shqiptar”?
Të përzgjedhur me vota, por jetojnë me mur të ndarë nga populli. Dalin aty ku jeton populli vetëm kur u duhen votat, në mënyrë që të zgjerojnë vilat, sepse me shumë mundësi duhet të ketë konkurencë se kush e ka vilën më të madhe. Ata-shto, Manja-zgjero, populli-dështo.
©Rruga Press