Art & Kulturë

Portretet prej kafeje si terapi në kohë pandemie

Artisti shqiptar David Kryemadhi lag furçën e tij me kafe dhe skicon me kujdes fytyrën e një klienti kafeneje, me shpresën që oferta e një portreti falas të sjellë gëzim mes ankthit të pandemisë

Shumë shqiptarë i konsiderojnë kafenetë si një institucion jetik dhe i karakterizojnë shumicën e ditëve me dalje në kafene. Vendi prej 2.8 milionë banorësh ka një nga numrat më të lartë të kafeneve në botë për kokë banori.

“Arti dhe kafeja ndihmojnë shumë njerëz”, ka thënë David Kryemadhi për AFP në qytetin bregdetar të Durrësit.

“Momenti i qetësisë dhe i reflektimit gjatë pikturimit të një portreti ndihmon personin tjetër të fitojë vetëbesim dhe ta shohë botën me një sinergji pozitive, me sy më të hapur”.

Kryemadhi përdor kafenë si bojë uji, duke kompozuar portrete me një patinë të pasur, kafeje, duke shtuar ujë për të krijuar nuanca të ndryshme. Në kafenetë e Shqipërisë ai ka gjetur një ambient natyral për markën e tij të terapisë së artit. Për të gjetur subjekte për të pikturuar, ai fillon biseda me klientët përpara se të ofrojë një portret falas. “Më bëri shumë mirë”, ka thënë studentja Aleksandra ndërsa priste që portreti i saj të thahej.

“Unë gjej në këtë pikturë të gjitha emocionet e mia, mundimet e mia…”.

Eva Alushi nga Universiteti i Durrësit shpjegon se kafenetë në Shqipëri janë “një formë thelbësore e jetës shoqërore” ku njerëzit ndihen të lirë të shprehen.

“Risia në artin e Davidit është fakti se ai ndërton ura me bashkudhëtarët në këtë institucion shqiptar”, ka thënë ajo. Sipas Institutit të Statistikave të Shqipërisë, vendi ka afërsisht 600 kafene për 100 mijë banorë, një nga më të lartat në botë.

Kryemadhi ka thënë se shpresonte se portretet e tij do të ndihmonin në zbutjen e stresit të shkaktuar nga koronavirusi në Durrës, një zonë që ende po shërohet nga një tërmet shkatërrues i vitit 2019, që vrau dhjetëra njerëz dhe la mijëra të tjerë të pastrehë.

“Arti i kafesë është një nga terapitë më të suksesshme”, ka thënë Kryemadhi.

“Ndihmon për të kapërcyer situata të vështira si ato të përjetuara me këtë pandemi ose me tërmet”, ka përfunduar ai.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *