Tottenham largon Espirito Santo, Conte fluturon në Londër
Disfata 3-0 e pësuar në shtëpi përballë Manchester United ka sjellë largimin e trajnerit Nuno Espirito Santo nga Tottenham. Drejtuesi i stolit paguan në këtë mënyrë faturën për tre humbjet e pësuara në katër ndeshjet e fundit dhe vendin e tetë në renditje, që është shumë larg pritshmërive të klubit.
Edhe pse i pritshëm, shkarkimi i trajnerit duket se është menduar mirë, sepse Spurs kanë gati edhe pasardhësin. Vetëm pak minuta pas njoftimit zyrtar të klubit, u konfirmua edhe lajmi se Antonio Conte do të udhëtonte drejt Londrës, për të finalizuar marrëveshjen me skuadrën e Premier League.
Fabio Paratici ka kohë që kërkon ta afrojë te Tottenhami, pas periudhës kur kanë punuar dhe fituar mjaft trofe te Juventusi. Ai e kontaktoi sërish, pas bisedës së verës së kaluar, por këtë herë Conte është gati të pranojë ofertën.
Trajneri dëshiron të kthehet në punë, pas largimit nga Interi, megjithatë kërkon garanci teknike dhe ekonomike nga projekti që do të nisë. Bëhet fjalë për kontratë me kohëzgjatje një vit e gjysmë, me pagë 15 milionë euro në sezon, plus garancitë për investime të rëndësishme në merkaton e dimrit, me afrimin e 3-4 lojtarëve me peshë për të përforcuar kontingjentin.
Rruga Press