E rëndësishme për pushtetin është mënyra si ndjejmë, jo si mendojmë
Shkruan Sebastian Zonja
Qarkullon herë pas here në web një lajm se zonja Merkel deklaroi botërisht, përpara se të largohej nga pozicioni i kancelares, – “Europa i ka borxh shtetit shqiptar se e krijoi të cunguar. Ky është i vetmi shtet në Europë që rrethohet nga të gjitha anët me banorë që flasin të njëjtën gjuhë”, – thuhet në këtë deklaratë.
Duhet krijuar shteti kombëtar shqiptar ku të bashkohen territoret shqipfolëse! – citohet të ketë thënë kancelarja gjermane.
Nuk po i hyjmë vërtetësisë së lajmit, por mjaft të shohim se struktura logjike e këtij lajmi është ngjashëm me këto “lajme”:
– George Washintoni është nga Peja.
– Thaçi kishte të dashur sekretaren Albright prandaj UÇK-ja u pa me sy të mirë nga amerikanët.
– Tansu Çilleri dashuronte për një politikan shqiptar, prandaj reagoi ashtu në ’97-ën.
– Nënë Tereza telefonoi Klintonin për bombardimet e NATO-s.
Lista mund të vazhdojë pafund me John Cenën nga Dibra, George Bushin nga Kruja… dhe gjithë masturbimet mendore të protaleve.
Në thelb, tragjedia e kësaj mendësie është se besimi në deklarata e lajme të këtilla që, edhe nëse janë të vërteta, tregon dëshirën që gjërat të na i bëjnë të tjerët, jo vetë.
– Shtetin, austriakët.
– Luftën, amerikanët.
– Ushtrinë, amerikanët.
– Bashkimin, gjermanët…
Pra, e thënë ndryshe, kush i beson më së shumti këto gjëra, është më së shumti ai apo ajo që angazhohet më pak për ta ndryshuar gjendjen që ndodhemi. Politikisht besime të këtilla tregojnë formën tribale të mendimit kolektiv, dhe në krahun tjetër, mitin e udhëheqësit të ndritur. Gjërat sa vijnë e përkeqësohen, sepse një mendësi e këtillë sa vjen dhe e zhduk diskurin politik. Spektakli jo vetëm e ka mbytur mendimin, ai ka fshehur realitetin socio-politik.
Merkeli përforcon shprehjen e vullnetit politik të qytetarit shqiptar kur ky është i vendosur për t’u bërë zot i shtëpisë së vet. Përndryshe, një deklaratë e tillë tregon me gisht, për turpin tonë, “mentalitetin puthadorë” të “Njeriut të Ri të Internacionales së Re”.
Rruga Press