Kërcënimi ndaj Kurtit, policia jep detaje: Nuk u angazhuan forcat speciale
KOSOVË– Policia e Kosovës ka dalë me një deklaratë zyrtare pas raportimit për kërcënimin që i është bërë kryeministrit Albin Kurti.
Në një komunikatë për media, policia thekson se hetimet janë duke vazhduar, ndërsa njofton Njësia e reagimit të shpejtë është larguar nga banesa e kryeministrit.
Njoftimi i plotë:
Policia e Kosovës, pas pranimit të informacioneve lidhur me kërcënimin ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Kurti, menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme operativo hetimore.
Fillimisht Policia e Kosovës, ka shtuar masat e sigurisë personale të Kryeministrit përfshirë këtu mbrojtjen e afërt, por gjithashtu edhe ka dërguar njësi të reagimit të shpejtë nga Regjioni i Prishtinës të përberë nga dy zyrtarë policorë, në sigurim te shtëpia e banimit të Kryeministrit.
Policia e Kosovës konfirmon se në këtë aktivitet nuk ka pasur të angazhuar asnjë zyrtarë të njësive speciale.
Lidhur me rastin menjëherë janë iniciuar hetimet dhe ato janë duke vazhduar, përderisa bazuar në hetimet e deritanishme dhe vlerësimin e rrezikut, njësia e reagimit të shpejtë është larguar nga lokacioni.
Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin drejt ofrimit të sigurisë ndaj personaliteteve të vendit dhe qytetarëve të saj, duke përfshirë edhe hetimin dhe trajtimin e të gjitha rasteve.
Rruga Press