KryesoreLajme

Gratë nga Kosova, Kroacia dhe Bosnja protestojnë në New York, kërkojnë drejtësi për dhunën seksuale nga Serbia gjatë luftës

Me moton “Rally fot her justice”, para konsullatës së Serbisë në New York sot do të protestojnë gratë nga Kosova, Kroacia e Bosnja dhe Hercegovina përmes së cilës kërkojnë drejtësi për dhunën seksuale që ushtruan kriminelët serbë gjatë luftës.

Kjo iniciativë është nisur nga deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vasfije Krasniqi.

Iniciativën e deputetes Vasfije Krasniqi e kanë mbështetur deputetët e Kuvendit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti etj.

Presidentja Vjosa Osmani ka mbështetur këtë iniciativë, ndërsa në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit në OKB ka kërkuar që të dënohen kriminelët serbët që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë.

Edhe kryeministri Kurti i është bashkuar nismës “RallyForHerJustice”, iniciativë kjo që kërkon drejtësi për dhunimet seksuale gjatë luftërave në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci.

Lexo më shumë  Kajsiu: Pensionet nxjerrin bllof modelin e qeverisjes Rama

“Për krimet e saj e të luftës në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci, Serbia duhet të marrë përgjegjësinë dhe të përballet me të kaluarën. Ne qëndrojmë me të gjithë të mbijetuarit e luftës që kërkojnë drejtësinë. Më 28/10 në #NYC të gjithë duhet të paraqiten përkrah VasfijeKrasniqi dhe #RallyForHerJustice”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Ndryshe, deputetja Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë një ditë më parë në Ambasadën e Kosovës në SHBA është takuar me ambasadorin Valdet Sadikun.

“Ne qëndrojmë me të gjithë të mbijetuarat e luftës që ende kërkojnë drejtësinë”, shkruan Sadiku në Twitter.

Krasniqi ka takuar edhe kongresmenin, Lee Zeldin.

Edhe Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” mbështetë këtë protestë dhe fton të gjithë bashkatdhetarët t’i bashkëngjiten zërit të grave për drejtësi.

Lexo më shumë  NATO kërkon rritjen e prodhimit të armëve në Ukrainë

Ndryshe, në luftën e fundit për çlirimin e vendit, 1998/99 janë vrarë mbi 13,500 persona, fëmijë, gra e pleq, ndërkaq në qytetet e fshatrat e Kosovës janë kryer diku rreth 400 masakra nga forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe.

Prej përfundimit të luftës e deri më sot, në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Komisionin Qeveritar të Kosovës për Persona të Zhdukur, sipas kërkesave të familjarëve, janë evidentuar rreth 6.057 raste të personave të zhdukur, si pasojë e luftës në Kosovë.

Fati i shumicës prej tyre tashmë është zbardhur, por për rreth 1.647 persona ende nuk dihet asgjë

Qytetarët e Kosovës gjatë luftës janë përballur edhe me dhunë seksuale, ku numri i viktimave llogaritet të jetë rreth 20 mijë vetë. Në mesin e tyre ka gra, burra dhe të mitura.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *