Sulmi nga zyrave “Gratë në të zeza” dëshmon se Serbia nuk është demillosheviqizuar
Shkruan Shaip Kamberi
“Ratko Mlladiq”, “Kurvat në të zeza”, “Pesë copë simboli vetëm uniteti shpëton serbin”.
Këto grafite të shkruara nga “persona të panjohur” në natën e së premtes dhe së shtunës në derën e zyrës së “Grave në të Zeza” (“Žene U Crnom Srbija“) në Beograd janë të reja duke qenë vazhdimësi e së vjetrës.
Siç dihet, sulmet ndaj kësaj organizate të njohur për qëndrime anti-luftë dhe anti-nacionaliste kishin filluar që në ditët e para të aktivitetit të saj, përgjatë fillimviteve ’90 nga regjimi i Millosheviqit.
Millosheviqi ra. Por sulmet vazhduan.
Sepse Serbia nuk u demillosheviqizua.
Sot nuk ka Srebrenicë, Vukovar ose Reçak; por mendësia dhe fryma që i frymëzuan dhe motivuan janë gjallë. Mbahen gjallë. Nga Serbia e sotme shtetërore.
Sepse fryma është e njëjtë. Gjuha shtetërore është e njëjtë.
Sepse çdo ditë, strukturat qeveritare të pushtetit absolut dhe autoritar në Beograd, përmes ministrave, tabloideve, individëve dhe grupeve joformale, glorifikojnë Ratko Mlladiqin dhe vrasësit e Zoran Gjingjiqit; përhapin urrejtje ndaj shqiptarëve, boshnjakëve, romëve dhe kroatëve; ushqejnë botëkuptime ksenofobe, islamofobe, anti-semite, seksiste dhe homofobe etj.
Sulmuesit e së shtunës mbrëma ndaj “Grave në të zeza” mund të kenë emra të rinj të përveçëm, por kanë emër të vjetër kolektiv.
Prandaj, edhe ky sulm i fundit ndaj “Grave në të zeza” e kuptimëson më së miri thënien: “Gjithçka njëjtë, vetëm ai mungon” (“Sve je isto, samo njega nema”).


