KryesoreLajme

Shqipëria pritet me fishkëllima dhe goditje në garën e boksit në Beograd

Kampionati Botëror i Boksit u hap zyrtarisht të dielën, më 24 tetor, në Beograd.

Kosova përfundimisht nuk merr pjesë në këtë organizim, për shkak moslejimit të autoriteteve serbe që sportistët të hyjnë në teritorin e Serbisë me simbole shtetërore.

Megjithatë, edhe pse Federata e Boksit të Shqipërisë, ka paralajmëruar se do të tërhiqet nga gara për shkak të Kosovës, kjo gjë nuk ka ndodhur, si pasojë e presioneve që ka bërë Qeveria e Shqipërise dhe Federata Ndërkombëtare e Boksit (AIBA).

“Na është thënë se në rast të mospjesëmarrjes do të sanksionohemi me dhjetë vjet mospjesëmarrje në çdo aktivitet tjetër ndërkombëtar të AIBA-s”, tha për Radion Evropa e Lirë, kapiteni i ekipit të Federatës së Boksit të Shqipërisë, Nelson Hysa.

Ai shtoi se gjatë hapjes zyrtare të Kampionatit, momenti i parakalimit të sportistëve nga Shqipëria me flamurin shtetëror, është përcjellë me fishkëllima dhe gjuajtje me gjësende të ndryshme.

Lexo më shumë  Bedri Hamza thotë se nuk e mbështesin Vjosa Osmanin: Çështja e presidentit është çështje e mbyllur

“Normalisht, këtu(Beograd) jemi pa dëshirën tonë, kemi presion të vazhdueshëm. Kur dola me flamur të Shqipërisë, kishte brohoritje, fishkëllime, gjuajtje. Mbrëmë në hotel ka qëndruar Policia e Serbisë për shkak të sigurisë sonë”, tha Hysa.

Ndryshe, autoritetet kufitare serbe, gjatë vikendit, për tri herë me radhë i kanë ndaluar hyrjen në Serbi, delegacionit të përfaqësueses së Kosovës në boks, për shkak se Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës, respektivisht simbolet e saj.

Besim Brahimi, selektor i Federatës së Boksit të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë të hënën se më nuk do tentojnë të marrin pjesë në këtë Kampionat. Sipas agjendës, boksierët e Kosovës të hënën, më 25 tetor është dashur të fillojnë garën.

Lexo më shumë  Kurti dhe Muja inaugurojnë objektin e ri të Bujqësisë në veri të Mitrovicës. Diskriminimit i ka ardhë fundi

“Ka marrë fund gjithçka, më nuk tentojmë. Në pikën kufitare na është thënë se është urdhër i Qeverisë së Serbisë që nuk lejojnë të marrim pjesë me simbole shtetërore në fanella. Pa simbole nuk pranojmë”, tha Brahimi për Radion Evropa e Lirë.

Federata Ndërkombëtare e Boksit (AIBA), të shtunën, më 23 tetor, tha se Kosova nuk duhet të trajtohet ndryshe nga shtetet e tjera.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, AIBA tha se pret që delegacioni Federatës së Boksit të Kosovës të trajtohej “jo ndryshe nga delegacionet e çdo anëtari tjetër të AIBA-s”, dhe shtoi se pret që Kosova të marrë pjesë në këtë Kampionat./REL/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *