Bota

SHBA ka një shans unik për të udhëhequr luftën kundër autoritarizmit

Për 2 shekuj me radhë udhëheqësit amerikanë kanë debatuar mbi atë se sa rëndësi duhet të ketë në listën e prioriteteve të politikës së jashtme të SHBA mbështetja e demokracisë në vendet e tjera. Tërheqja e fundit e trupave amerikane nga Afganistani, përforcoi pikëpamjen e skeptikëve nga i gjithë spektri politik amerikan, se promovimi aktiv i demokracisë jashtë shtetit është një gjest naiv, dhe se ai ka më pak gjasa të çojë përpara interesat thelbësore të SHBA-së, dhe më shumë ta përfshijë atë në një katrahurë pa një fitore në horizont.

Po ashtu, ata theksojnë se një rënie e vazhdueshme e lirisë globale gjatë 15 viteve të fundit, është dëshmi se theksimi i vlerave demokratike, është jashtë realitetit me tendencat mbizotëruese, dhe për rrjedhojë një strategji humbëse, një strategji që në fakt e dobëson pozitën ndërkombëtare të SHBA-së.

Ndaj, ata rekomandojnë që udhëheqësit amerikanë ta zhvendosin fokusin brenda vendit të tyre,dhe ta pranojnë botën ashtu siç është. Por kjo tezë, edhe pse në përputhje me emocionet e momentit, është miope dhe e gabuar. Do të ishte një gabim i rëndë nëse Shtetet e Bashkuara do të lëkundeshin në angazhimin e tyre ndaj demokracisë.

Historikisht, Amerika ka pretenduar – pavarësisht të metave – të jetë një kampione e lirisë njerëzore, dhe kjo e fundit mbetet një aspiratë universale. Ngjarjet më shqetësuese të shekullit XXI, e kanë dëmtuar por jo shkatërruara të që mbetet një aset unik i politikës së jashtme.

Shtetet e Bashkuara kanë ende burime të pafundme, të cilat mund t’i përdorin për qëllime që u shërbejnë si nevojave emergjente, po ashtu edhe idealeve të saj të qëndrueshme.

Por nëse Uashingtoni ndryshon qasje do të zhgënjejë miqtë e tij, do të ndihmojë armiqtë, do të zmadhojë rreziqet e ardhshme për qytetarët e vet, do të pengojë përparimin njerëzor, dhe do të komprometojë aftësinë e tij për të udhëhequr në çdo çështje.

Në dallim nga sa pretendon sot shumica, koha aktuale nuk është në favor të armiqve të demokracisë. Është e vërtetë që vitet e fundit disa liderë autoritarë janë bërë më të fortë. Por në shumë raste, ata kanë dështuar që të mbajnë premtimet e tyre, përfshirë edhe vendet ku njerëzit presin gjithnjë e më shumë udhëheqje të përgjegjshme edhe pse mungojnë rregullat e demokracisë.

Kjo është një pikë kyçe që pak vëzhgues e kanë kuptuar. Demokracia nuk është një kauzë që vdes; në fakt, ajo është gati të rikthehet fuqishëm. Sipas “Freedom House”, udhëheqësit autoritarë përfituan nga indiferenca ndërkombëtare në mesin e pandemisë së Covid-19 vitin e kaluar, për të shtypur kundërshtarët e tyre dhe për të zvogëluar hapësirën për aktivizmin demokratik.

Për pasojë “vendet që përjetuan përkeqësim, i tejkaluan ato me përmirësime që nga fillimi i trendit negativ në vitin 2006, recesioni i gjatë i demokracive po thellohet”.Gjithsesi, fakt është se matjet e rënies së demokracisë nisin me periudhën pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, kur u shfaqën pothuajse në çdo rajon qeveritë e reja demokratike të lira.

Lexo më shumë  Bllokohet nisma hungareze për avancimin e integrimit të Serbisë në BE

Shumë shtete, demokracitë e të cilave janë me probleme, ishin nën sundimin autoritar deri rreth 30 vjet më parë. Sot, bota shqetësohet kur autoritetet në Tanzani arrestojnë një lider opozitar, kur udhëheqësit në Sri Lanka e konsolidojnë pushtetin e tyre, kur presidenti i Brazilit kërcënon të anulojë zgjedhjet,apo kur kryeministri i Hungarisë sundon me dekret.

Megjithatë, deri vonë këto vende nuk ishin aspak demokratike. Pavarësisht shqetësimit të tyre aktual, forcat e lirisë kanë një platformë të zgjeruar, falë së cilës mund të ringjallen. Po ashtu analistët duhet të vënë në dukje, se rënia e demokracisë përkoi me rritjen e terrorizmit ndërkombëtar, krizën financiare globale të vitit 2008, luftën civile në Siri, me një krizë globale refugjatësh, dhe me një krizë të shëndetit publik në mbarë botën.

Këto ngjarje sollën një mori zhgënjimesh dhe frikërash popullore, ku shumica e fajit iu atribua udhëheqësve të zgjedhur. 20 vitet e ardhshme vështirë se mund të jenë më pak të favorshme për rritjen e lirisë sesa 20 vitet e kaluara. Dhe kjo sepse dy shtetet më të shquara autoritare sot në botë, Kina dhe Rusia, e kanë shpërdoruar shansin e tyre më të mirë për të ofruar një alternativë tërheqëse ndaj demokracisë liberale.

Sipas një sondazhi të këtij viti me qytetarë të 17 vende të zhvilluara, të kryer nga Qendra Kërkimore Pju, pikëpamjet negative mbi Kinën janë në një nivel të lartë historik, ndërsa 74 për qind e të anketuarve raportuan se nuk kishin aspak besim se presidenti rus Vladimir Putin, mund të bëjë gjënë e duhur në çështjet botërore.

Këto rezultate mund të shpjegohen shumë lehtë. Qasja transaksionale e qeverisë kineze, mungesa e transparencës dhe tendenca për të ngacmuar të tjerët, e kanë lënë atë me më shumë armiq sesa miq. Ndërkohë, regjimi në Kremlin mendohet gjerësisht si i korruptuar, i pabesueshëm, dhe si shfaqja e një njeriu të vetëm, që po i afrohet me shpejtësi siparit.

Për më tepër, rezultati i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në SHBA, ishte një goditje për autokratët kudo në botë.

Joe Biden është më i mirë-pozicionuar se çdo president amerikan në 20 vitet e fundit, për të mbrojtur demokracinë në botë. Administrata e tij duhet gjithashtu të mbrojë shembullin amerikan duke pranuar se demokracia amerikane, edhe pse më e vjetra në botë, mbetet një punë në progres e sipër.

Biden dhe ekipi i tij duhet të nxjerrin në pah përparësitë ekonomike që ka demokracia. Në fundin e viteve 1990, kur shërbeja si Sekretar i Shtetit i SHBA-së, u thashë njerëzve kudo që ishin, se demokracia do t’u jepte mundësinë jo vetëm të votonin pa frikë, por edhe të siguronin më shumë të ardhura për familjet e tyre.

Lexo më shumë  “I famshëm” për qëndrimet kundër NATO-s/ Zgjedhjet presidenciale në Rumani, kandidati pro rus është favorit

Ajo që thashë u përforcua nga ajo që pa audienca. Përveç shteteve arabe të pasura me naftë, vendet më të begata ishin të lira. Arsyeja ishte e qartë:shoqëritë e hapura kishin më shumë gjasa të krijonin vende pune të mira, duke inkurajuar ide të reja dhe të menduarit inovativ.

Ndërkohë, zyrtarët amerikanë duhet të merren në mënyrë më agresive me problemet që mund të zhdukin mbështetjen për demokracinë. Për shembull, pak faktorë e dëmtojnë më shumë joshjen ndaj institucioneve të lira sesa perceptimi i publikut se udhëheqësit që pretendojnë të jenë demokratë, janë në fakt duke e shkatërruar vendin e tyre.

Mesazhi nga Uashingtoni duhet të jetë se qeveria e hapur është ilaçi dhe jo terreni i rritjes së regjimeve autoritare dhe egoiste. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara duhet të mobilizojnë një përpjekje globale për të sekuestruar asetet jashtë shtetit të sundimtarëve që e kanë plaçkitur vendin e tyre, dhe t’ia rikthejnë ato popullit.

Presidenti Biden mund të arrijë shumë gjëra duke mbledhur miqtë e lirisë nga e gjithë bota, duke theksuar përfitimet e prekshme dhe morale të qeverisjes së hapur, dhe duke nxitur drejtësinë në rregullimin e teknologjive të reja. Përpjekjet e kaluara për ta bërë këtë, megjithatë kanë ngecur kur avokatët e demokracisë kanë bërë një punë të dobët.

Përparimi në procesin e ringjalljes së demokracisë në nivel global, ka më pak të ngjarë të jetë i papritur sesa gradual. Demokracia ka të metat e saj, por asetet e saj janë superiore, pasi kërkojnë më të mirën nga të gjithë dhe bazohen në respektimin e të drejtave të njeriut, lirisë individuale dhe përgjegjësisë sociale.

Në të kundërt, diktatorët kërkojnë vetëm bindje, dhe tek kjo nuk ka asgjë frymëzuese.

Pas shumë vitesh apati, është koha e duhur që forcat demokratike ta rimarrin iniciativën. Demokracia është e brishtë, por njëherazi edhe elastike. Në çdo rajon, brezi i ri që po vjen është i zgjuar, i hapur dhe i guximshëm.

Në mbarë botën, njerëzit po kërkojnë më shumë, ndërsa liderët autoritarë janë të lodhur dhe nuk kanë përgjigje për sfidat e shumta. Administrata Biden ka përpara një mundësi që duhet ta shfrytëzojë. Edhe pse i copëtuar dhe i grisur, flamuri i lirisë është gati të ngrihet sërish. /abc/

(Marrë me shkurtime/ Shënim:Madeleine K.Albright, ka qenë ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara në vitet 1993-1997, dhe Sekretare e Shtetit në vitet 1997- 2001).

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *