Vitia: Lista e LVV-së për asamble më e votuara në Prishtinë, kemi 18 asamblistë
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia ka thënë se lista e tyre për asamble është më e votuara në kryeqytet.
Sipas Vitisë, LVV në Kuvendin Komunal në Prishtinë do të ketë 18 asamblistë.
“Në listën e kandidatëve tanë për asamble, çdonjëri është fitues. Lista e kandidatëve të VETËVENDOSJES!-së për asamble është lista më e votuar në Prishtinë. Qytetarët kanë vlerësuar moralin dhe profesionalizmin që kjo listë përfaqëson. Gjithsej 18 nga kandidatët tanë tashmë janë asambleistë, duke na bërë kështu subjektin më të madh në asamblenë komunale. Në një takim të përzemërt falënderova secilin për vetëdijen dhe standardin e lartë të vendosur në këtë garë dhe përkushtimin e tyre për shpalosjen e programit tonë në terren”, ka pohuar ai.
Vitia ka shkruar se me asamblistë është dakorduar që të punojnë për balotazhin e 14 nëntorit.
“U dakorduam që së bashku do punojmë drejt fitores së madhe të 14 nëntorit, fitore që do të jetë e secilit”, thotë mes tjerash ai.
Ndryshe, sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, LVV për Kuvendin Komunal ka marrë 34,20%, LDK 26,56%, PDK 18,40%, AAK 10,36%, AKR 5,55%.