E quajti Kurtin “të dashurin” e saj, Von Cramon reagon pas deklaratës së Gjuriç
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, ka reaguar pas deklaratës së ambasadorit të Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriç, i cili e cilësoi kryeministrin Albin Kurti si “të dashurin” e saj. Sipas mediave, Von Cramon u shpreh se akuzat janë të rreme dhe qesharake.
“Zakonisht i injoroj këto akuza të rreme. Më mirë mos t’i kushtoj vëmendje dhe t’i ruaj nervat e mia. Ata e bëjnë këtë gjatë gjithë kohës. Nuk më intereson. Ata as nuk e kuptojnë Bashkimin Europian e aq më pak Parlamentin Europian. Ata nuk e kuptojnë që ne nuk kemi “shef”, për shembull. Komentet e tyre janë thjesht qesharake” u shpreh ajo.
Më herët amabasadori serb, Gjuriç, kritikoi Viola von Cramon për mbështetjen e dhënë ndaj aksionit të policisë së Kosovë kundër kondrabandës në veri. Ai u shpreh se eurodeputetja mendon se serbët në veri të Kosovës janë njerëz të këqinj, ndërsa Kurti, të cilin e konsideroi si “të dashurin” e saj, sipas Gjuriç, është i mirë edhe kur vret.
“Në vend se të kundërshtojë aksionin e policisë si eurodeputete, Von Cramon kritikoi Josep Borrellin i cili tha se aksioni ishte i njëanshëm. Von Cramon mendon që disa serbë që janë në Kosovë duhet të jenë njerëz të këqij teksa ‘i dashuri’ i saj Kurti duhet të jetë i mirë edhe kur ai vret” tha ambsadori serb.
Kjo deklaratë e Gjuriç erdhi pas kritikave të Von Cramon për Përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Europian, Josep Borrell, i cili aksionin e policisë në Kosovë e cilësoi si një veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar.
Për Gjuriçin është e çuditshme të kundërshtohet një zyrtar i institucionit që i përket, aq më tepër kur zyrtari mban një pozitë të lartë. Zyrtarëve të Serbisë jo që nuk ia mban të kritikojnë Vuçiqin, por edhe Millosheviçin, i cili nuk bën as si ushqim për krimbat, nuk e trazojnë aspak me ndonjë akuzë për krime kundër njerëzimit. Për Gjuriçin demokracia nuk është shpikur akoma, mendimi i lirë është vetëm në çmim i tillë, e fashizmi është norma të cilës i bindet e për të cilën militon.
Rruga Press