Kuriozitete

Pa vaksinim ndaj COVID-19, “riinfektimet mund të ndodhin çdo 16 muaj”

“Kur ka një mbizotërim kaq të lartë dhe ekspozim të vazhdueshëm ndaj virusit, sikurse po ndodh nëpër shkolla, do të ketë më shumë njerëz të riinfektuar, pavarësisht prej asaj nëse i kanë marrë dy vaksina apo jo”, ka thënë për “Guardian” Stephen Griffin, profesor i asocuar i virologjisë në Universitetin e Leedsit

Derisa numri i infektimeve me COVID-19 po rritet në Angli, njerëzit po raportojnë ende përditë e më shumë se po infektohen me virusin Sars-CoV-2 për të dytën apo të tretën herë.

Analizat e reja të kryera në Mbretërinë e Bashkuar kanë sugjeruar se të pavaksinuarit mund të riinfektohen me COVID-19 mesatarisht çdo 16 muaj, ka raportuar të mërkurën e përditshmja britanike “Guardian”.

Teksa po afrohet dimri, shkencëtarët janë duke paralajmëruar se riinfektimet e tilla mund të nxisin mbingarkesë për Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë (NHS). Për këtë arsye, disa prej tyre po kërkojnë që të zgjerohet programi i vaksinimit te të gjithë nxënësit, ndërsa adoleshentëve t’u jepen dy doza të kurave ndaj COVID-19.

“Kur ka një mbizotërim kaq të lartë dhe ekspozim të vazhdueshëm ndaj virusit, sikurse po ndodh nëpër shkolla, do të ketë më shumë njerëz të riinfektuar, pavarësisht prej asaj nëse i kanë marrë dy vaksina apo jo”, ka thënë për “Guardian” Stephen Griffin, profesor i asocuar i virologjisë në Universitetin e Leedsit.

Vitin e kaluar, në po të njëjtën periudhë kohore, supozohej se ndonëse riinfektimet mund të ndodhin, ato ishin relativisht të pamundshme. Tani dihet botërisht se imuniteti natyral ndaj Sars-CoV-2 fillon të dobësohet me kalimin e kohës.

Një studim danez, i cituar nga gazeta britanike, ka sugjeruar se personat nën moshën 65-vjeçare ishin të mbrojtur 80 për qind, për të paktën gjashtë muaj, kurse ata mbi 65 vjeç rreth 47 për qind. Mirëpo, me përhapjen e variantit Delta të koronavirusit situata është vështirësuar edhe më shumë.

“Sigurisht te punonjësit e kujdesit shëndetësor, që i kemi studiuar, ka shumë njerëz që kishin nivele mesatarisht të mira të antitrupave që ishin, në disa raste, të infektuar më parë dhe të vaksinuar me dozë të dyfishtë, të cilët kishin rënë në sëmundje simptomatike”, ka thënë Danny Altmann, profesor i imunologjisë në Imperial College London, duke folur për “Guardian”.

Image

Të dhënat e ONS-së, të publikuara më 6 tetor, pretendojnë se në mesin e 20,262 britanikëve që rezultuan pozitivë me COVID-19, mes korrikut të 2020-s dhe shtatorit të 2021-s, janë shfaqur 296 infeksione të reja – të përcaktuara si një test i ri pozitiv 120-ditor ose më shumë, pas një testi të parë pozitiv fillestar, me një mesatare kohore prej 203 ditësh midis testeve pozitive. Megjithëkëtë, rreziku i riinfektimit duket të ketë qenë më i lartë që nga maji i vitit 2021, kur Delta u bë variant mbizotërues.

Të dhëna të tjera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku shtete të ndryshme tani kanë filluar të gjurmojnë dhe raportojnë për shkallën e riinfeksionit, e mbështesin idenë se ekziston një rrezik shumë më i lartë i riinfektimit me Delta.

Në Oklahoma, që ka një popullsi prej rreth 3.9 milionë banorësh, ishin 5,229 infektime të reja të raportuara gjatë shtatorit (ekuivalent ky me shkallën e riinfektimit prej 1,152 për 100,000) dhe riinfektimet janë rritur për 350 për qind që nga maji.

Sipas “Guardian”, Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) e përcaktojnë riinfeksionin si një rast i konfirmuar nga laboratori i COVID-19, që ndodh 90 ditë ose më shumë pas rastit të konfirmuar më parë nga laboratori.

Mjekja Nisreen Alwan, profesoreshë e asociuar për shëndetin publik në Universitetin e Southamptonit, ka thënë se me rritjen e niveleve të rasteve me Sars-CoV-2 në Mbretërinë e Bashkuar, shumë prej nesh jemi të vetëdijshëm për fëmijët dhe të rriturit që u infektuan përsëri, ndonjëherë pas një periudhë relativisht të shkurtër nga infektimi i parë.

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, profesori Jeffrey Townsend dhe kolegët në Shkollën e Mjekësisë së Universitetit Yale analizuan të dhënat imunologjike dhe të riinfeksionit nga koronaviruset e tjerë, përfshirë ato që e shkaktojnë Sarsin, MERS-in dhe ftohjet e zakonshme.

Duke e kombinuar këtë me antitrupa dhe të dhëna të tjera imunologjike nga njerëzit që ishin shëruar nga Sars-CoV-2, ata ishin në gjendje që me kalimin e kohës ta modelonin rrezikun e riinfektimit me COVID-19. Hulumtimi, i botuar në revistën shkencore “The Lancet Microbe”, sugjeroi që riinfeksionet do të bëheshin gjithnjë e më të zakonshme sepse imuniteti u dobësua, veçanërisht kur numri i infeksioneve ishte i lartë, shkruan “Guardian”.

“Nëse nuk do të kishim kontrollë të infeksionit, nëse askush nuk do të ishte maskuar ose nuk do të kishte mbajtur distancë, nëse nuk do të kishte vaksina, do të riinfektoheshim në një afat tremujor deri në pesëvjeçar – që do të thotë se njerëzit do të infektoheshin me koronavirus mesatarisht çdo tre muaj për pesë vjet”, ka thënë Townsend.

Edhe pse vaksinat po e shtypin nivelin e infektimeve, Mbretëria e Bashkuar ka raportuar 49,156 raste me koronavirus të hënën, shifër kjo më e lartë që nga mesi i korrikut. Shifrat janë më të larta në mesin e nxënësve të shkollave të mesme, me ç’rast rreth 8.1 për qind të këtij grupi mendohet të kenë pasur COVID-19 në fund të javës./koha/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *