Opinion/Aktualitet

“Partneriteti energjitik” me Rusinë: mësimet e të shkuarës, rreziqet e të ardhmes

Nga François Thom

Momenti i veçantë që jetojme sot, kurthi i ndërtuar nga Moska për 20 vite kundër Evropës.  Rusia nuk e ka fshehur kurrë vullnetin për abuzim, me pozicionin e saj dominues në tregun energjetik, për realizimin e politikës së jashtme. Evropianët e tronditur. Si arritëm këtu?

T’i kthehemi periudhës sovjetike, kur që prej Leninit dhe Stalinit, u ndërmor ekonomia e bazuar mbi varësinë e  republikave. «Shoku Stalin e tha drejt, se kush ka naftën ka pushtetin», tha Kirovi në Kongresin XIV. Kremlini zhvilloi rrjetin e gazodukëve dhe eleodukëve të integruar, me qendër Republikën sovjetike të Rusisë. Tubat niseshin nga puset e gazit dhe naftës në shtetet sovjetike si Turkmenistani dhe Kazakistani, konvergjonin në Rusi, prej ku vinin gazi dhe nafta të shpërndara ose të shitura në Evropë, tregu kryesor i eksportit energjtik të BRSS-së. Në kthim, republikat sovjetike merrnin gaz të subvencionuar. Pas rënies së BRSS, Moska bëri gjithçka për të ruajtur këto avantazhe. Me të ardhur Putini në pushtet, u zhvilluan politikat e shtrirjes së hallkave rusocentrike në tërë Evropën.

Gazpromi, partner i besueshëm?

Rusia nuk heziton kurrë t’i përdorë gazin dhe naftën si armë, sidomos te fqinjët më të afërt. Në 90-tën, Rusia e Gorbaçovit iu kundërvu shpalljes së pavarësisë së Lituanisë me embargo. Në 1993, Koutchma, presidenti i Ukrainës, pranoi ta lajë borxhin e gazit me autorizimin që i dha Rusisë, në Krimenë ukrainase për të mbajtur pjesën më të madhe të flotës së Detit të Zi. Vetëm mes 98-99, prodhuesi i naftës ruse, Lukoil, e ndërpreu dërgimin e naftës bruto në rafineritë e Lituanisë të paktën 9 herë. Motivet tregtare i shërbejnë manipulimit me çmimin apo dorëzimin e gazit dhe naftës, të cilat priren me shumë nga gjeopolitika se nga rendimenti i ndërmarrjeve. Mes 1991-2004, 40 ndërprerje janë kryer me motive politike.

Ajo që quhet “Pipeline Bulding Frenzy” nisi në 2001 dhe vijon. Rusia ndërtoi nje gazoduk në drejtim të Finlandës, prej tij sigurohet 100% e konsumimit finlandez. Le t’i shtojmë Nord Stream 1 dhe 2;  Gazoduku Beltransgaz që kontrollonte rrugën përmes Bjellorusisë me ¼ e gazit që eksportohet prej Rusisë në BE (Yamal-Evrope); gazodukët ukrainas që sigurojnë kalimin e gazit rus në disa vende të Evropës; South Stream dhe Blue Stream lidhin Rusinë me Turqinë. Ekspertët e huaj habiteshin me shumimin e tubave, me vëllimin e  eksportit që e tejkalon shumë Gazpromin, pa kuptuar që qëllimi i Moskes ishte ta dërgonin gazin në atë vend ku donte Kremlini sipas vendimit politik.

Sidomos që prej 2005-s, pas nënshkrimit të Gjermanisë për ndërtimin e Nord Stream 1, Rusia nisi të përdorë hapur armën energjetike duke iu mbyllur rubinetin vendeve te panënshtruara, e duke përdorur uljen e faturave të gazit në shkëmbim të sovranitetit të tyre. Sepse Gazpromi e përcakton çmimin sipas kokës së klientit: pas revolucionit portokalli, Ukrainës iu kerkua 220-230 dollar për 1000 litër gaz (kundrejt 50 më parë), kur Bjellorusia të pakten deri në rizgjedhjen e Lukashenkos kishte tarifë preferenciale, 46 dollarë, pasi pati qenë e detyruar t’ia hapë në mars të 2004-s konsorciumin e saj Beltransgaz Gazpromit: në shkurt të 2004-s Rusia i’a ndërpreu dhënien e gazit Bjellorusisë për ta detyruar ta pranonte në konsorcium Gazpromin. Në prill të 2006-s, Gazpromi e vuri Lukashenkon për muri: ose Gazpromi merr kontrollin total të Beltransgazit, ose Bjellorusia duhet ta bleje gazin me çmimin e tregut prej 2007-s (në 2011-n, Gazpromi bëhet pronar me 100%, emri i Beltransgaz ndryshon në Gazprom transgaz Belarus). Prej 2007-s, ideja fikse e politikës së jashtme ruse është përvetesimi i infrastrukturave energjetike të huaja. Putini i lejonte të huajt të kishin akses në puset e tij me kusht që rrjeti i distribucionit t’i jepej Rusisë.

Kur ra keq dërgimi e naftës ruse në Çeki në 9 korrik 2008, Moska foli për arsye teknike. Por në Pragë ishin të bindur se Kremlini ishte nxehur me vendimin e Çekisë, për të strehuar sistemin e ri radar antiraketor amerikan. Të paktën tri prej manipulimeve shkaktuan probleme sistemike në Evropë, veçanërisht në 2009-n, me prerjen e gazit që i imponoi Gazpromi Ukrainës, për mbështetjen e saj për Gjeorgjinë gjatë luftës me Rusinë, duke përdorur pretekstin e borxhit të gazit në Kiev. Kjo ndërprerje shkaktoi uljen e presionit në perëndim deri në Francë dhe çoi në mbylljen e ndërmarrjeve dhe shkollave në jug-lindje të Evropës gjatë të ftohtit të madh. Në më pak se një javë, fund marsi dhe fillim prilli 2014-tës, pas arratisjes së pro-rusit Janukoviç, Gazpromi e rriti çmimin e eksporteve të gazit drejt Ukrainës nga 268 në 485 dollarë për litër. Nga 2014 deri në 2015, Rusia provoi të priste edhe furnizimiet sllovake, hungareze dhe polake që të evitonte që gazi rus nën kontratë të mos i rishitej Ukrainës. Varësia e Evropës në gaz ndaj Rusisë mjaftonte dhe ajo nuk kishte pse të përdorte sanksione strikte që synonin sektorin energjitik rus, pas aneksimit të Krimesë dhe ndërhyrjes së saj në lindje të Ukrainës.

Lexo më shumë  Dekreti i shpallur më 6 mars përbën ndërhyrje në funksionimin e pushtetit legjislativ dhe në baraspeshën institucionale të përcaktuar nga Kushtetuta

Precedentët tregojnë edhe se, qëkurse Rusia ndjehet në pozicion force, ajo përfiton për ta shkatërruar partnerin e saj, qoftë edhe më të urtin: kështu, në vitin 2006, kur Armenia bëri gabimin të autorizonte blerjen e gazodukut Armeni-Iran prej Rusisë, duke i mbyllur vetes çdo furnizim alternativ, Moska e rriti çmimin e shitjes së gazit brutalisht, duke e zhytur Armeninë në një krizë të gjatë. Kjo gjë duhet ta bëjë të reflektojë evropianin e sotëm. Përunjësia politike nuk do ta bëjë më të sjellshëm furnitorin rus, po qe se ai ka pozicionin e monopolit.

A është goditja e vdekjes për BE-në?

Po të lexohen analizat ruse, shihet se Moska vendos edhe një shpresë tjetër në krizën energjitike. Kremlini shpreson t’i ngatërrojë shtetet me njëri-tjetrin, duke i vënë në garë për favoret e Gazpromit. Më e rëndësishme për të është të shkatërrojë solidaritetin e qendrës së Evropës. Hungaria dhe Gazpromi nënshkruan kontratë për furnizimin me 4.5 miliardë në në vit, dhe këtë për 15 vitet e ardhshme. Prej këtyre 3,5 miliardë do të kalojnë nga Rusia dhe 1 miliardë përmes Austrisë. Për të parën herë në histori, gazi i Rusisë nuk do të kalojë nga Ukraina, për të shkuar në Hungari. Aq më tepër që Kievi rrezikon të mos ketë as mundësinë për të blerë gaz në kthim nga të tjerët, kështu që do t’i duhet të furnizohet në Rusi. Për Moskën ky operacion është krejt fitim: asfiksia e Ukrainës është tashmë e plotë, ndërsa marrëdhëniet e Hungarisë më Komisionin Evropain po rrënohen edhe më. Të njëjtin operacion Kremlini mendon ta përsërisë me Sllovakinë, edhe pse Gazpromi është i detyruar në këtë rast t’i japë favore të shumta këtij shteti për ta bindur. Moska mendon të fusë në grindje edhe Estoninë dhe Letoninë kundër Lituanisë, pasi kjo e fundit dëshron të bojkotojë tërësisht importet e rrymës nga Bjellorusia. Që prej epokës sovjetike ekziston një unazë energjitike BRELL (Bjellorusi-Rusi-Estoni-Lituani-Letoni) që bashkon sistemet energjitike të këtyre pesë shteteve. Shtetet baltike blejnë rrymë edhe nga Rusia edhe nga Bjellorusia. Vendimi i Lituanisë për t’i kufizuar importet krijon tensione të forta me Letoninë dhe Estoninë, gjë që Kremlini do ta shfrytëzojë.

Më gjerësisht, perspektiva e një kaosi ekonomik në Evropë, për shkak të krizës energjitike i shkon për shtat Moskës, mjaft të shohësh përshkrimet empatike të çrregullimeve britanike aktuale në mediat ruse, për ta kuptuar një gjë të tillë. Kjo veç për të kujtuar se Rusia sapo refuzoi të shesë më shumë qymyr në Evropë. Një Evropë në rrënim nuk do të ishte më pol tërheqës për vendet e hapësirës ish-sovjetike. Nxitja e “secilit për vete”, lufta e të gjithëve kundër të gjithëve për të marrë gazin rus (e përmendur me zell në shtypin rus) do t’i lejojnë Rusisë të mirëpresë një nga një shtetet evropiane, të përshpejtojë vënien në zbatim të hegjemonisë së Kremlinit në kontinentin evro-aziatik. Dhe kështu do të zhbëhet arkitektura evropiane që u realizua me Planin Marshall, e cila bazohej në bashkëpunimin e evropianëve mes tyre dhe solidaritetin e Evropës së lirë. RIA, Novosti mund të vërë si titull triumfal “Shtetet e Bashkuara e kanë humbur betejën për Evropën, Rusia fitoi”.

Këto perspektiva po konkretizohen ditë për ditë. Sepse kriza e provokuar me krijimin e AUKUS shkon në të njëjtën kahje. “Një qasje e mundshme mes Francës dhe Rusisë pas goditjes dinake të triumviratit AUKUS bëri bujë në shumë kryeqytete evropiane, veçanërisht në Poloni, në vendet baltike, në Gjeorgji dhe në Ukrainë. Parisi u shty tek afrimi me rusët jo vetëm nga ftohja e relacioneve me Uashingtonin, por gjithashtu nga pozicioni përherë e më armiqësor me Londrën. […]. Franca, herët apo vonë, do të ballafaqohet me domosdoshmërinë me bllokun kontinental përgjatë aksit Paris-Berlin-Moskë-Pekin. Krijimi i AUKUS-it vetëm ka nxitur zjarrin duke e shkëputur Francën jo vetën nga ‘miku intim britanik’, por edhe nga Shtetet e Bashkuara”. Të gjitha shpresat tashmë lejohen: “Masat e marra tashmë nga Franca për t’u afruar me Rusinë për kundërpeshë ndaj presionit të Londrës dhe Berlinit mund të kenë efekte të papritura”, shkruan siti ndikues rus Rousstrat.

Lexo më shumë  Dekreti i shpallur më 6 mars përbën ndërhyrje në funksionimin e pushtetit legjislativ dhe në baraspeshën institucionale të përcaktuar nga Kushtetuta

Po të krahasohet situata në të cilën gjenden evropianët sot, të kërcënuar nga një mungesë e rëndë gazi gjatë dimrit, me ato pararendëse që i cituam më sipër, do të shquajmë një gjë: Rusia e ka hequr maskën dhe nuk kërkon më të fshehë vendimet e saj nën argumentet teknike ose tregtare. Eksperti Mikail Krutikin, raportoi së fundmi shprehjet e një këshilltari të Gazpromit: “Kemi zgjedhur të bëjmë një grevë italiane, do të thotë se do t’i japim Evropës vetëm gazin e parashikuar në kuadrin e kontratave afatgjata të nënshkruara prej shumë kohësh, por jo masa gazi që do ta ndihmonin Evropën në fillim të sezonit dimëror, dhe këtë po e bëjmë me kast.” Shtypi rus është akoma më i hapur: “Ukraina duhet të bëhet gati të gjunjëzohet për të marrë gazin rus”, titullon brutalisht një shkrim Rianovosti, më 28 korrik. “Të këqinjtë [domethënë ukrainasit, moldavët, të cilët po prodhojnë qeveri pro-evropiane, baltikët, polakët] do të ngrijnë të parët”, është titulli i një tjetër botimi që nuk fsheh se Rusia po bazohet në të ftohtin e madh të dimrit të ardhshëm, për të rrëzuar të gjithë qeveritë e pavarura të këtyre vendeve. Cinizmi brutal i pushtetit rus është në rritje këto kohë: “Gazpromi po vë në dukje se po qe se Moldavia e konsidreon Transnistrinë si të vetën, do të duhet të paguajë 7 miliardë dollarë për gazin që do i jepet gjatë këtyre dekadave. Plus që duhet të llogarisë ngritjen masive të çmimeve. -Para një viti, Moldavia blinte gaz me çmim 148.87 dollarë për 1000 m3 …Ndërsa sot për 790 dollarë, po jo për një kohë të gjatë. […]. Këto çmime iu dhanë drejtuesve të vjetër të Moldavisë. Me qeverinë aktuale negociatat do të kryhen me tjetër ton dhe kohëzgjatja e tyre do të varet nga Sandu. […]. Sa kohë që palët nuk bien dakord, Moldovagaz duhet të furnizohet me çmimet spot. Me këto tarifa Sandu rrezikon të ndalë së qeni presidente e Moldavisë para fundit të negociatave. Ambasada e Shteteve të Bashkuara do ta ndihmojë vetëm me fjalë të ngrohta.” Ky artikull i Rousstrat, think tank i afërt me Kremlinin, e meriton të citohet sepse e shpall pa turp se pushteti rus e përdor varësinë e gazit për të rrëzuar presidentët legjitimë dhe për t’i zëvendësuar me “miq të Kremlinit” që do të kenë tarifa preferenciale. Nëse kriza energjitike zgjat, zgjedhësit e Evropës Perëndimore do të marrin sugjerimin për votë pro personaliteteve pro-rusë, që do t’u ulin faturën e gazit. Në Gjermani Kremlini do të shpjegojë se është më mirë t’i hedhin në depo ekologjistët, në vend që t’u japin poste të rëndësishme në ministri në qeverinë e ardhshme të koalicionit. Çka lë të shpresohet ky moment: “Lavdi gjeneralit Dimër, mposhtësit të energjisë së gjelbër fashiste!” Rusia deklaron haptas se ka çomangën dhe do ta përdorë për nënshtrimin e evropianëve. “Rusia në 2021-shin do të zbatojë me sukses konceptin e saj të ‘superfuqisë energjitike’: Kina e zhytur në skëterrë kërkon rezerva rryme, Evropa për shkak të çmimit rekord të gazit dhe dështimit të ndërmarrjeve energjitike, kërkon më shumë qymyr.” Dallimi mes “të huajt fqinj” dhe “Evropës Perëndimore” nuk ekziston më për udhëheqësit rusë. Tërë Evropa është tashmë një “i huaj fqinj”, ku Kremlini ndihet në pozicion force. Evropianët nuk merakoseshin aspak për përdorimin e Nord Stream 2 si instrument shantazhi mbi Ukrainën. Por sot, po trajtohen njësoj si Kievi dhe po fyhen. E meqë e kanë kujtesën të shkurtër, e harruan rolin madhor të Gazpromit në likuidimin e lirisë së mediave në Rusi. A mendoni se nuk do të jetë njësoj tek ne? Kjo nuk e pengon një numër të madh politikanësh francezë, majtas e djathtas, të ëndërrojnë këto ditë një ‘aleancë në kthim’ me Rusinë. A janë të verbër kaq shumë ndaj makinës së madhe të fuqisë që po aktivizon Rusia kundër Evropës që prej njëzetë vjetësh, apo po punojnë mbi ëndrrën e një bashkëpunimi me një ‘shtet të fortë’ i drejtuar nga një Führer, ashtu si shumë intelektualë, majtas e djathtas, menduan në vitet 30’? A po shohim në Francë një ‘rendje drejt skllavërisë’ për të marrë një shprehje të bukur të Tacitit? /Përktheu Rruga Press

Burimi / https://desk-russie.eu/2021/10/08/le-partenariat-energetique-avec-la-russie.html?fbclid=IwAR1a9yAZxw7_99W2Dfsy4ObT5XLCoXQ39vpTqtsNbrNAvTji3u0fOUux5jc /

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *