Ekspozimi i sektorit bankar në borxhin e qeverisë shqiptare arrin 3.7 miliardë euro
Ekspozimi i sektorit bankar shqiptar në borxhin e qeverisë shqiptare ka arritur vlerën e 448 miliardë lekëve ose rreth 3.7 miliardë eurove. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë këtij viti bankat tregtare kanë vazhduar të rritin investimet në letrat e borxhit të qeverisë shqiptare.
Nga fillimi i vitit deri në fund të muajit korrik, vlera e titujve të qeverisë shqiptare në portofolin e bankave është rritur me 8.4% Krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, rritja ka arritur në 9.8%. Sipas Ministrisë së Financave, në mesin e këtij viti bankat tregtare zotëronin 58% të vlerës totale të instrumenteve të borxhit të brendshëm.
Pas shpërthimit të pandemisë, qeveria shqiptare u detyrua të rriste ndjeshëm deficitin dhe borxhin publik, për t’iu përgjigjur ndikimit të pandemisë në treguesit buxhetorë. Bankat ishin ndër blerësit kryesorë të borxhit të ri të emetuar, duke përfshirë edhe në atë në euro, qoftë nëpërmjet obligacioneve të brendshme në euro apo eurobondeve.
Megjithëse yield-et mesatare kanë rënë në nivelet më të ulëta historike, sërish ekspertët mendojnë se instrumentet e qeverisë shqiptare ofrojnë kthime mjaft të kënaqshme, duke vendosur në balancë rreziqet dhe përfitimet. Sektori bankar paraqitet në vend paraqitet mjaft likuid falë rritjes me ritmeve të përshpejtuara të depozitave pas pandemisë, por edhe mbështetjes së pakufizuar me likuiditet afatshkurtër nga Banka e Shqipërisë.
Letrat me vlerë të qeverisë shqiptare përbëjnë tashmë 26.3% të totalit të aktiveve të sektorit bankar, nga 25.4% një vit më parë dhe 24.8% përpara fillimit të pandemisë. Edhe kreditimi i sektorit privat ka vijuar me ritme të kënaqshme në periudhën pas pandemisë, por rritja e sektorit bankar është mbështetur kryesisht në portofolin e titujve dhe sidomos të atyre të lëshuara nga qeveria shqiptare.
Pavarësisht kësaj, huaja për sektorin privat ngelet shtylla kryesore në strukturën e bilancit të sektorit bankar shqiptar. Në fund të muajit korrik, portofoli i huasë përbënte 40.3% të aktiveve totale. Edhe pesha e huasë në bilanc ka shënuar një rritje të lehtë nga niveli 40% ku ndodhej në fillim të këtij viti dhe përpara fillimit të pandemisë.
Në pjesën dërrmuese, portofoli i kredisë përbëhet nga huaja për bizneset dhe familjet rezidente. Megjithatë, edhe huaja për subjektet jorezidente paraqitet në rritje të ndjeshme gjatë këtij viti. Në fund të korrikut ajo arriti vlerën e 58.5 miliardë lekëve, me një rritje prej 32% që nga fillimi i vitit. Huaja për jorezidentët përbën rreth 8.5% të portofolit total të huasë së sektorit bankar. /monitor.al/
Rruga Press