Lajme

Borxhet e shtetit ndaj OSHEE-së arrijnë në dyfishin e vitit 2013

Borxhet e akumuluara nga institucionet shtetërore dhe kompanitë publike, kryesisht ujësjellësa, ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, ishin 8.9 miliardë lekë në vitin 2013 dhe u bënë simbol i keqmenaxhimit të përgjithshëm të shtetit nga qeveria paraardhëse. Në gusht të këtij viti, këto borxhe ishin 20 miliardë lekë.

Në vitin 2013, një nga faturat e shumta të papaguara që qeveria e koalicionit PD+LSI i la në dorë qeverisë pasardhëse të koalicionit PS-LSI, ishte mali i faturave të pashlyera nga institucionet publike dhe entet e tjera shtetërore, si ujësjellësat, ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Fenomeni në atë kohë u njoh si zinxhiri i borxheve. Ujësjellësit nuk paguanin OSHEE-në, e cila nuk paguante KESH, e cila nuk paguante prodhuesit privatë të energjisë e me rradhë.

Fatura e përgjithshme e këtyre borxheve ishte gati 10 miliardë lekë ose 80 milionë euro. Rreth 3.9 miliardë lekë ishin borxhet e drejtpërdrejta të institucioneve buxhetore ndërsa 5 miliardë ishin borxhet e një sektori të njohur si “jobuxhetore” ku bëjnë pjesë ndërmarrjet nën pronësi publike. Ujësjellësit janë ndërmarrja tipike publike që nuk paguan faturën e energjisë.

Lexo më shumë  Vitia nënshkruan listën për çmimet e unifikuara të barnave – ulje për mbi 2,900 produkte medicinale

Në vitin 2014 tatimpaguesit u detyruan të paguajnë një pjesë të majme të këtyre faturave. Borxhi i ndërmarrjeve jobuxhetore në fund të vitit 2014 ra në 3 miliardë lekë ndërsa ai i enteve buxhetore ra në 2.7 miliardë lekë. Një rregull i ri i ministrisë së Financave i urdhëroi këto institucione të mos shlyejnë pagat e punonjësve pa shlyer më parë faturën e energjisë elektrike, një masë kjo në përpjekje për të vendosur disiplinë financiare në këto institucione. Gjërat duket se ecën në drejtimin e duhur deri në fund të vitit 2015, kur borxhi i buxhetorëve dhe jobuxhetorëve ndaj OSHEE-së ra në 5 miliardë lekë, nga 8.9 në fund të vitit 2013. Që nga kjo kohë, sektori jobuxhetor ka akumuluar 15.3 miliardë lekë borxhe ndërsa sektori buxhetor ka akumuluar 4.6 miliardë të tjera për një total prej 20 miliardë lekësh. Kjo shifër prej afro 165 milionë eurosh është e barabartë me 1.1% e prodhimit të brendshëm bruto ose jo shumë më e vogël se sa e gjithë shuma që qeveria i akordoi në formën e garancive për huamarrje kompanive të sistemit për t’u përballur me krizën elektroenergjetike.

Lexo më shumë  "Krijues të grupit kriminal!" SPAK pranon propozimin e GJKKO-së, rikualifikohet akuza për Beqajn, Rrapajn dhe Rrjepajn

Ky është gjithashtu një borxh i fshehtë për konsumatorët për shkak se kompanitë jobuxhetore që janë përgjegjëse për krijimin e këtij borxhi janë edhe në gjendje të vështirë financiare në vijimësi për shkak të keqmenaxhimit politik dhe mbingarkimit me stafe të panevojshme.

Qeveria shqiptare është detyruar së paku dy herë në të shkuarën për të mbuluar faturat e papaguara të ujësjellësave duke futur dorën në xhepin e tatimpaguesve./reporter.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *