Kurti jep mesazhin në Shkodër: Politikanët ta ndjekin vullnetin e qytetarëve për bashkim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zgjedhur qytetin e Shkodrës për t’u relaksuar në ditën e heshtjes zgjedhore në Kosovë.
I shoqëruar nga shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, kryeministri Kurti ka ndjekur ndeshjen e basketbollit të meshkujve në Superkupën Mbarëkombëtare Vllaznia – Sigal Prishtina që u zhvillua në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të qytetit të Shkodrës, e i takoi bardhekaltërve që nesër luajnë finalen kundër KB Yllit.
Për të ndjekur këtë ndeshje kishin ardhur edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Evis Kushi dhe kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi. Në një prononcim për mediat përpara takimit, Kurti ka dhënë mesazhe bashkimi. Ai u shpreh se në këtë fushë, populli është përpara politikanëve.
“Padyshim që është kënaqësi të jem në Shkodër. Padyshim kjo që do shohim mes Vllaznisë së Shkodrës dhe Prishtinës së Sigalit, është më pak se ndeshje sepse jemi bashkë, më shumë se lojë sepse jemi bashkë. Besoj që tek fushë e bashkimit tonë, populli është përpara politikës, ndaj ne politikanët le ta ndjekim vullnetin e qytetarëve tanë”, ka thënë Kurti.
Rruga Press