ArgumentKryesore

Borrelli dhe Stano konfirmuan vetëm që kriminelët në veri janë të kontrolluar

Pas deklaratës skandaloze nga ana e përfaqësuesit të BE-së, Josep Borrell, i cili, në thelb, dënoi aksionin antikontrabndë të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, një qëndrim të ngjajshmëm ka mbajtur sot edhe zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano.

Ai foli disa herë me fjalë si “situata shumë specifike”, si dhe kërkoi të rithotë përsëri atë që tha Borrelli, për tu siguruar që të mos ketë keqkuptime. Si përfundim, pavarësisht aludimit se fjalët e Borrellit ishin keqkuptuar, ai konfirmoi pikërisht atë që të gjithë kishim kuptuar: faktin se Bashkimi Evropian nuk ka interes veçse në nivel të asaj që quhet stabilokraci.

Jashtë çdo qëndrimi parimor, Borrell dhe Stano konfirmuan edhe njëherë se aktor politik konsiderohet vetëm ajo palë që ka potencial destabilizimi. Nisur nga kjo, ndoshta do të ishin të gatshëm të dialogonin edhe me vetë kontrabandistin më ordiner.

Borrell, ashtu siç Stano akoma nuk e kanë kuptuar që Kosova është shtet-republikë, faktor në rajon, si dhe palë në dialog. Si e tillë, ajo nuk bën as kompromis, as dialog me kriminelë dhe kontrabandistë. E sidomos kur disa prej tyre janë strukturë mafioze me lidhje të forta me udhëheqësit fashizoid serb.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Serbia pretendon se “Kosova është Serbi”. Por kur Borell dhe Stano shprehen se Kosova duhet “të marrë leje” para se të futet në veri të Mitrovicës a nuk po na thonë po të njëjtën gjë. Policia e Kosovës bëri një aksion në territorin e saj, në kuadër të sovranitetit të saj, për të goditur krimin e organizuar. Nuk u fut as në Nish, e as në Beograd. Mos ndoshta Borrell dhe Stano e konsiderojnë Mitrovicë, ashtu si qeveria serbe, brenda shtetit serb?

Këto deklarata janë skandaloze dhe të papranueshme. Askush nuk mund të kërkojë llogari se kë kontrabandist burgos dhe kë vrases arreston Policia e Kosovës. Kur përfaqësuesit e BE-së për arrestimin e ndonjë krimineli ordiner në Mitrovicë kërkojnë kordinim, po na konfirmojnë vetëm një gjë, se këta kriminelë janë dora e shtrirë e Vuqiçit për të ndërtuar struktura paralele kundër shtetësisë së Kosovës dhe për t’i mbajtur me frikë dhe terror banorët e minoritetit serb. Më qartë se kaq nuk do mund ta kishin shprehur.

Nëse na thuhet se këto probleme zgjidhen me dialog, po na thuhet pikërisht se nëse do Vuqiçi, këto aktivitete kriminale shuhen, e nëse nuk do ai, atëherë t’i plotësojmë edhe tekat e radhës, pse jo, edhe Zajednicën.

Me ç’duket, disa përfaqësues të BE-së akoma nuk e kanë kuptuar se ky konfigurim që e vendos Kosovën në desubjektivim ka disa kohë që ka marrë fund. Jemi në një fazë krejt të re.

Dikush duhet ta sqarojë zotin Borrell se tani, është Kosova që nuk e njeh Serbinë dhe nuk ka për ta njohur deri në denazifikimin e saj. Bën mirë që kështu të veprojë edhe Bashkimi Evropian, nëse i intereson integriteti i saj. Dalja në krah të kontrabandistëve ordinerë, që paguhen sa nga aktiviteti i tyre kriminal aq edhe nga shteti serb, ia heq nder Evropës, duke e drejtuar kah stabilokracia e rreme dhe e padrejtë.


Bashkimi Evropian mund të fillojë ta rindërtojë integritetin e vet fare kollaj, thjesht të mbajnë, minimalisht, qëndrimin që mbajti ShBA-ja për rasti në fjalë.

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *