Edhe sa do të shtrenjtohet energjia?
Me fillimin e sezonit të ngrohjes së objekteve, çmimet e rritura ndjeshëm të energjisë po i rëndojnë familjet. Shtesat dyshifrore të përqindjeve brenda një viti po bëjnë që shumë gjermanë të humbin një pjesë të lirisë së tyre buxhetore. Rritja e çmimeve të energjisë ka një numër shkaqesh dhe efektesh – dhe ekspertët supozojnë se konsumatorët duhet të përshtaten me kostot më të larta të benzinës, gazit ose energjisë elektrike edhe në një periudhë më të gjatë.
Sa është rritur çmimi i energjisë?
Çmimet e energjisë e kanë rritur normën e përgjithshme të inflacionit në Gjermani muajt e fundit. Sipas Zyrës Federale të Statistikave, kostot u rritën me 12.6 përqind në gusht në krahasim me një vit më parë. Vajguri u rrit mesatarisht me 57 përqind, karburanti me 27 përqind. Sipas portalit krahasues Verivox, kostoja mesatare e gazit natyror për një familje me një konsum vjetor prej 20.000 kilovat/orë do të jetë 1402 euro në vit në tetor 2021, rreth 300 euro më e lartë se një vit më parë. Konsumatorët do të duhet të paguajnë 9.3 përqind më shumë për energji elektrike në krahasim me vitin e kaluar. Një familje që ka nevojë për 4000 kilovat orë në vit tani do të paguajë 1255 euro, rreth 100 euro më shumë.
Pse po rriten kaq shumë çmimet aktualisht?
Ekspertët e lidhin rritjen e shpejtë të çmimeve, veçanërisht për gazin dhe naftën bruto ose benzinën, javët e fundit me disa faktorë. Në fillim të tetorit, organizata e vendeve prodhuese të naftës OPEC iu përmbajt planit të saj për të rritur prodhimin e naftës me 400.000 fuçi në ditë. Por kjo është më pak se sa shpresohej në funksion të rritjes së fortë të kërkesës, pas rënies së lidhur me koronan vitin e kaluar. Nafta mbetet e pakët dhe në këtë mënyrë e shtrenjtë.
Në tregun evropian të gazit, objektet e zbrazëta të magazinimit të gazit dhe puna e mirëmbajtjes në infrastrukturë kanë çuar në një rritje të shpejtë të çmimeve. Çisternat me gaz natyror të lëngshëm (LNG), të cilat vijnë kryesisht nga SHBA, po shkojnë drejt Azisë, ku mund të arrihen çmime edhe më të larta, në vend të Evropës. Ekspertët gjithashtu i konsiderojnë një faktor spekulimet në tregun financiar nga aktorët e tregut financia. Muajt e fundit, sipas ekspertëve, çmimet e prokurimit për gazin natyror dhe energjinë elektrike në tregun me afat përafërsisht janë trefishuar.
A do të vazhdojnë kostot më të larta për energjinë?
Sipas ekspertëve, rritjet ekstreme të çmimeve të javës së kaluar janë ndoshta të një natyre të përkohshme. Kur të mbushen objektet e magazinimit të gazit dhe të furnizohet më shumë gaz përmes tubacionit të ri Nord Stream 2, çmimet ka të ngjarë të bien. Rusia ka njoftuar tashmë se do të transportojë më shumë gaz në Evropë. Kompania ruse Gazprom do të bëhet kështu edhe më e rëndësishme si furnizuese për BE. Në plan afatgjatë, megjithatë, konsumatorët ndoshta duhet të mësohen me rritjen e çmimeve të benzinës, gazit ose energjisë elektrike. Taksa më e lartë e CO2 për karburantet fosile është menduar gjithashtu për arsye të politikave klimatike.
Çfarë po bëjnë shtetet dhe BE?
Franca, Italia dhe Spanja kanë njoftuar tashmë se do të kufizojnë rritjen e çmimit të energjisë ose do t’i zbusin ato me rimbursime të taksave. Thirrjet e para për lehtësim për konsumatorët po dëgjohen në të gjithë BE. Në Gjermani, për shembull, Shoqata e Qyteteve dhe Komunave kohët e fundit bëri thirrje për futjen e subvencioneve të kostos së ngrohjes për ata që kanë të ardhura të ulëta dhe familjet në nevojë. Qeveria e re gjermane ndoshta duhet të merret me këtë çështje së shpejti – veçanërisht pasi ka edhe shenja lëvizjeje në nivelin evropian. Krerët e shteteve dhe qeverive të BE planifikojnë të merren me çmimet e larta të gazit në samitin e tyre në fund të tetorit. Qëllimi mund të jetë një blerje e përbashkët e gazit për Evropën. Propozimet për një rezervë strategjike të gazit janë futur gjithashtu në lojë.
Cilat janë pasojat për ekonominë në tërësi?
Rritja e çmimeve të energjisë ka çuar në një rritje të konsiderueshme të inflacionit në Gjermani dhe Evropë. Meqenëse energjia duhet të përdoret në prodhimin e shumë mallrave, shumë produkte ka të ngjarë të bëhen më të shtrenjta. Kjo tashmë është reflektuar në rritjen masive të çmimeve me shumicë, por gjithashtu do të ketë ndikim në sektorin e shitjes me pakicë.
Si mund ta zbusin konsumatorët rritjen e çmimeve?
Konsumatorët kanë shumë mundësi, kur është fjala për kursimin e energjisë në jetën private. Për shembull, konsumi i energjisë elektrike mund të zvogëlohet duke përdorur pajisje elektrike ekonomike ose llamba LED. Ndërrimi i firmave furnizuesve të energjisë elektrike ose gazit tani mund të jetë me interes; portalet krahasuese ofrojnë udhëzime. Ata që duan të mbajnë kosto të ulëta të karburantit mund të përdorin aplikacione në telefonat inteligjentë, që u tregojnë drejtuesve të automjeteve kohët më të lira dhe stacionet e benzinës.
A ndihmojnë modifikimet në shtëpi?
Në shumë familje, kostot më të ulëta të ngrohjes ose energjisë elektrike janë gjithashtu të mundura përmes investimeve, për shembull me izolimin më të mirë të ndërtesave ose konvertimin në sistemet moderne të ngrohjes me gaz ose pompa ngrohjeje. Shumë masa subvencionohen me grante ose kredi shtetërore. Së fundi, një sistem me panele diellore zvogëlon ndjeshëm varësinë nga furnizuesi i energjisë elektrike./REL/
Rruga Press