Zajednica në radhë? Jo patjetër!
Shkruan Hysamedin Feraj
Sipas së drejtës ndërkombëtare:
■ DETYROJNË LIGJËRISHT: marrëveshjet ndërshtetërore të arritura dhe të ratifikuara nga palët përkatëse. Marrëveshja për Zajednicën nuk është e ratifikuar përfundimisht nga Kosova. Ratifikimi nga Kuvendi i Kosovës, në formën e saj origjinale, siç ishte arritur nga palët, është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Nuk ka asnjë marrëveshje tjetër që pasqyron vendimin e GJK-së dhe që është ratifikuar nga palët. Marrëveshjen e re do duhej ta paraqiste qeveria e Kosovës. Ka gjasë të kundërshtohej dhe të mos ratifikohej nga institucionet gjegjëse të Serbisë. Ndërkaq, ratifikimi nga Serbia ka qenë i lehtë, sepse në formën e tyre fillestare ato marrëveshjeve ishin asimetrike: përcaktonin rregullimin e brendshëm të Kosovës, ndërsa Serbia nuk merrte asnjë detyrim (reciprok) të ngjashëm, edhe pse garancitë për pakicat duhej t’i kërkoheshin asaj. Sepse Serbia ka treguar me programe dhe me praktika që shfarosë pakicat ose pastron etnikisht territorin që don ta sundojë, ndërsa politika të tilla të shqiptarëve nuk njihen nga teoritë (programet) as nga praktikat tona.
■ NUK DETYROJNË LIGJËRISHT: marrëveshjet ndërshtetërore të arritura në konferenca, mbledhje dhe takime: Marrëveshja për Zajednicën është arritur në kuadrin e takimeve dialogues ndërmjet dy shteteve. Prandaj nuk është detyrim ndaj shtetit të Kosovës sipas së drejtës ndërkombëtare. Në ato konferenca e takime Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa kanë marrë përsipër vetëm detyrimin e tyre politik që ta ratifikojnë në vendin e vet marrëveshjen e arritur, dhe kështu, sa i takon Kosovës, t’i japin fuqinë dhe vlefshmërinë ligjore ndërkombëtare. Me përfundimin e ratifikimit, ajo marrëveshje do të merrte fuqinë e ligjit të brendshëm dhe detyrimit ligjor të jashtëm. Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, me gjithë përpjekjen e tyre, nuk e kanë përmbushë atë detyrim politik të marrë përsipër në konferenca/takime, sepse janë penguar nga opozita e atëhershme politike e Lëvizjes Vetvendosje dhe, siç u tha, nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
■ DETYROJNË POLITIKISHT: marrëveshjet ndërshtetërore të arritura në konferenca, mbledhje apo takime.
Detyrueshmëria politike varet nga argumenti dhe fryma politike mbisunduese. Argumenti dhe fryma politike ndërkombëtare ende mbisunduese, përfshirë Serbinë, ka qenë dhe mbetet ndërtimi i shtetit dhe shoqërisë multietnike në Kosovë. Ky qëndrim politik dhe kjo frymë janë ligjësuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkundër perceptimit dhe konceptimit nga ana e saj si padrejtësi sui generis në krahasim me shtetet e tjerë dhe veçanërisht me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Detyrimi politik i Kosovës për pranimin e atyre marrëveshjeve në trajtën e tyre fillestare mund të mbështetet vetëm në një argument kundërthënës, i cili pohon njëkohësisht detyrimin e ndërtimit të shtetit dhe të shoqërisë multietnike dhe monoetnike! Logjikisht, argumenti kundërthënës nuk është hiç argument, ose është zero argument, sepse njëri pohim mohohet plotësisht nga tjetri dhe shuma mbetet zero. Megjithkëtë, politika nuk është vetëm ushtrim i logjikës.
Detyrimi politik për zbatimin e atyre marrëveshjeve në formën e vet fillestare, në pikëpamjen ligjore, prodhon destabilizim dhe pasiguri ligjore. Lëkund përkufizimin kushtetues të shtetit dhe të shoqërisë së Kosovës si multietnike, sepse përkundër tij kërkon ndërtimin e institucioneve monoetnikë ose të bazuar në pakicat homogjene dhe që gëzojnë të drejta qeverisëse paralel me institucionet qendrorë. Sa kaq, ose të drejtën e bashkimit të tillë e fiton çdo pakicë, sido që ta definojë veten mbi identietin kulturor, ose e kundërta, shqiptarët e fitojnë të drejtën e përkufizimit të shtetit dhe të shoqërisë së vet si shqiptare, ku të tjerët gëzojnë vetëm të drejtat e pakicave sipas ligjeve ndërkombëtarë. Në të dy rastet rendi kushtetues i shpallur dhe kushtetuta vetë nuk ofrojnë më stabilitet, siguri dhe parashikueshmëri ligjore. Se cila palë fiton, vendoset vetëm nga ndeshja e vullneteve dhe forcës politike që arrijnë të fitojnë në mbështetje të veten. Unë do të mbështes mundësinë e fundit. Gjithsesi, vendin e forcës së argumentit politik e dialogues e zë argumenti i forcës.
Detyrimi politik i Kosovës për pranimin e atyre marrëveshjeve në trajtën e tyre fillestare, bazuar në njohjen nga përvoja e deritashmë, në pikëpamje politike prodhon një shtet të dështuar. Me ato marrëveshje humb argumenti i mbështetësve të pavarasisë së shtetit të Kosovës dhe fiton argumenti i kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës, sepse qysh në fillim këta e kanë parashikuar, e kanë parathënë që, edhe nëse Kosova bëhet shtet i pavarur, do të jetë shtet i dështuar. Nuk është në interesin e mbështetësve të pavarësisë së Kosovës të pranojnë që i gjithë projekti dhe të gjitha përpjekjet (e shpenzimet) e tyre të deritashme të rezultojnë në dështimin e projektit dhe të dijes politike të tyre, e në triumfin e dijes politike të kundërshtarëve të tyre. Kjo dije e kundërshtarëve të tyre nuk është “profeci që vetpërmbushet”, sepse kanë punuar shumë për dështimin e shtetit të Kosovës, duke përfshirë projektin për krijimin e Zajednicës. As projekti i mbështetësve të pavarësisë dhe shtetit të Kosovës nuk është “profeci që vetpërmbushet” duke bërë presion politik për realizimin e projekteve kundër “profecisë” së vet! Përkundrazi, interesat tona dhe të aleatëve tanë për shtet të qëndrueshëm të Kosovës përputhen. Prandaj ka shpresë se ata do t’i mirëkuptojnë argumentet tanë dhe sërish të jenë politikisht krah nesh. Ka shpresë se ata do të jenë kundër ngutisë për dialog, marrëveshje e kompromise, por që në afat të shkurtër, ose së paku jo aq të gjatë, i minojnë gjithë përpjekjet dhe arritjet e përbashkëta të deritashme. Ngutia nuk është këshilltar i mirë politik! Por as kjo shpresë dhe mundësi nuk është se “vetpërmbushet”. Për përmbushjen e saj duhet punë, bashkëpunim intensiv. Lëvizja Vetvendosje e ka fituar brenda Kosovës betejën kundër Zajednicës, tani mbetet që ajo dhe qeveria (bashkë me gjithë qytetarët) ta fitojnë betejën edhe në rrafshin ndërkombëtar.
P.S.: Sa më sipër, më shumë sesa për hir të qartësisë racionale, është shkruar për hir të qartësisë së vullnetit: kush e don shtetin vital të Kosovës, kërkon dhe gjen argumente kundër Zajednicës; kush nuk e don vitalitetin e Kosovës kërkon dhe gjen argumente për pranimin e Zajednicës. Në pyetje nuk është forca e argumentit, por vullneti: me llojin e argumentit që kërkon dhe mbron, secili e tregon çka don, e tregon vullnetin e vet, për të cilin angazhohet pastaj të gjej argumente. Në fillim të çdo veprimi është përcaktimi i vullnetit.
Gjithsesi, Zajednica është një ndër kostot që Kosova, të gjithë ne dhe Qeveria Kurti e trashëgoi nga pushtetarët e kaluar. Tani duhen kosto shtesë mendore dhe financiare për aktivitetet e politikës sonë të jashtme për paksimin e kostove të mëdha që na kanë lënë pas ata që shkuan e që kurrë mos… na ndodhtë më!
©Rruga Press