Art & Kulturë

“Banksy” i Jemenit

Jemeni mbetet kriza më e madhe humanitare në botë, thonë organizatat humanitare. Në Festivalin e Filmit për të Drejtat e Njeriut në Berlin, artisti Murad Subay komenton tmerret e luftës

Shtatë portrete bardh e zi rreshtohen në një sfond të kuq. Vrima të mëdha të zeza zëvendësojnë sytë e figurave. “Luftërat janë një nga rrënjët e liga, duke i kthyer njerëzit në përbindësha, viktima dhe të tjerë që shikojnë dhe injorojnë”, shkruan artisti Murad Subay në një mbishkrim pranë pikturës së tij.

Artisti nga Jemeni ka paraqitur punën e tij të fundit në fasadën e një prej ndërtesave të Unionit të Atelierëve të Filmit në Berlin (BUFA), e cila shërben si kampus filmi. E vendosur pranë ish-aeroportit Tempelhof, studiot e para të filmit në atë vend u ndërtuan më 1912; filma klasikë si “Blue Angel” i Marlene Dietrich u xhiruan pjesërisht atje.

BUFA është gjithashtu lokacioni kryesor i Festivalit të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Berlin, i cili përfundoi më 25 shtator. Tani në vitin e tij të katërt, edicioni i sivjetmë i festivalit u zhvillua nën titullin “Arti i Ndryshimit”.

Si një nga këta artistë për ndryshim, Subay ishte i ftuar të merrte pjesë në një ekspozitë grupore gjatë festivalit dhe të krijonte këtë vepër.

Figurat janë pjesë e serisë së tij “Faces of War”, të cilat shprehin se si “tmerret e luftës gëlltisin gjithçka”, ka thënë Subay për DW.

Arti në rrugë si një simbol i shpresës

I lindur më 1987 në Dhamar, Jemen, Subay filloi të pikturonte në ndërtesa pas Revolucionit Jemen më 2011.

Ashtu si shumë të tjerë në protestat gjatë pranverës që shpërthyen atë vit në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, demonstruesit jemenas fillimisht po bënin thirrje për kushte më të mira ekonomike dhe reforma kundër korrupsionit.

Por, brenda pak muajsh, mbështetës të armatosur iu bashkuan opozitës, duke rezultuar në luftime të rënda në rrugë kundër forcave besnike të sigurisë në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa.

Ndërtesat e dëmtuara nga raketat u bënë “pëlhurë” e Murad Subay. “Doja të tregoja se ka art në këto vende, se ka shpresë, se njerëzit ende po luftojnë në një moment shumë dëshpërues, kur një vend po vendos për historinë e tij”, ka shpjeguar ai.

Edhe pse shpesh krahasohet me artistin politik, Banksy, Subay nuk punon vetëm dhe në mënyrë anonime. Ai më tepër përfshin popullatën vendase në serinë e tij të “fushatave” artistike, kështu edhe i quan projektet e tij të artit në rrugë.

Gjatë fushatës së tij të parë më 2012, të quajtur “Color the Walls of Your Street”, ai ftoi njerëzit që po ecnin në rrugë për t’u bashkuar me artistë dhe miq për të krijuar një hapësirë ​​krijimi bashkëpunues, duke i lejuar të gjithë kapnin një furçë boje ose thjesht të bisedonin me njëri-tjetrin.

Qëllimi i tij ishte të tregonte se “arti nuk është kurrë larg njerëzve”, ka thënë ai. “Në Jemen, ne nuk kemi galeri apo muze, kështu që arti duhet të shkojë te njerëzit në rrugë”.

Më shumë fushata pasuan, me artistin që nisi serinë e tij të pestë, “Ruins”, pasi konflikti pushtoi vendin në fillim të 2015-s.

Kriza më e madhe humanitare në botë

Image

Lufta civile e shumëanshme e Jemenit filloi në fund të vitit 2014, kur kryengritësit Houthi – rebelët shiitë me lidhje me Iranin dhe me një histori komplekse me myslimanët sunitë të Jemenit – morën kontrollin e Sanaas. Menjëherë pas kësaj, rebelët gjithashtu morën pallatin presidencial, duke çuar në dorëheqjen e qeverisë. Një koalicion i shteteve të Gjirit i udhëhequr nga Arabia Saudite më pas u përfshinë në konflikt.

Ndikimi i luftës në popullatë është katastrofik. “Kriza më e keqe humanitare në botë vazhdon të përkeqësohet me nivele të pakrahasueshme të nevojave”, thuhet në një deklaratë për media nga Drejtoria e Përgjithshme për Mbrojtjen Civile Evropiane dhe Operacionet e Ndihmës Humanitare (DG ECHO), botuar më 22 shtator.

Sipas DG ECHO, 20.7 milionë njerëz në Jemen kanë nevojë për ndihmë, që përfshin 66 për qind të popullsisë; më shumë se 16.1 milionë prej tyre nuk kanë qasje të sigurt të ushqimit.

Organizatat e të drejtave të njeriut gjithashtu vlerësojnë se ka 4 milionë njerëz të zhvendosur brenda vendit në vend, me më shumë se 10.000 familje që janë zhvendosur vetëm në vitin 2021 për shkak të luftimeve aktive.

Kritikimi i bashkësisë ndërkombëtare

Për shkak të konfliktit, Subay duhej të largohej nga Jemeni. Aktivistët dhe njerëzit me opinione pritej të mbanin anë, thotë artisti. “Por unë i kritikova të gjitha palët sepse të gjitha po kryejnë krime”.

Një nga vëllezërit e tij, një gazetar, u qëllua dy herë në gjunj pastaj Muradi u hetua në disa raste; ai nuk mund të pikturonte më lirshëm. Ata u nisën për në Egjipt. Murad shkoi në Paris dy vjet më parë përmes Fondit për Mbrojtjen e Artistëve, një program ndërkombëtar për të siguruar ndihmë dhe strehë të sigurt për artistët në rrezik.

Ai mbeti aktiv në Francë, duke krijuar si shembull një mural që denonconte shitjen e armëve franceze Arabisë Saudite. Gjermania gjithashtu kontribuon në konflikt, duke eksportuar armë në vendet që luftojnë brenda koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite.

“Fatkeqësisht, lufta po krijon fitime për shumë kompani në Evropë”, ka thënë Subay, i cili gjithashtu dënon heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare. “Jemenasit janë ata që paguajnë çmimin”.

Pavarësisht nga perspektivat e zymta për vendin e tij, artisti thotë se ajo që ka më shumë rëndësi për të është të mbetet i përkushtuar ndaj aktivizmit: “Qëllimi im tani është të përqëndrohem në arsim”, ka thënë ai. “Sepse të gjitha të këqijat vijnë nga injoranca”.

Marrë nga Deutsche Welle. Përktheu: Rina Statovci

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *