Opinion/Aktualitet

Vlera e kredisë me probleme ulet në 370 milionë euro

Kredia me probleme e sektorit bankar ka rënë jo vetëm si raport, por edhe në vlerën absolute të portofolit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në mesin e këtij viti stoku i kredive me probleme ra në vlerën e 45 miliardë lekëve ose 370 milionë eurove.

Që nga fillimi i vitit, kredia me probleme ka pësuar një rënie prej 5 miliardë lekësh ose 11%. Ndërkohë, raporti i kredive me probleme, sipas të dhënave më të fundit (të muajit korrik) ka zbritur në nivelin 7.05%, që është niveli më i ulët që prej vitit 2009. Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, në përmirësimin e cilësisë së kredisë, kontributin kryesor e ka dhënë rënia e tepricës në klasat ‘nënstandard’ dhe ‘të dyshimta’, si edhe zvogëlimi i ndjeshëm i fluksit të kredive të reja me probleme. Prurjet e reja në klasat e kredive me probleme ranë me 70% gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Në pakësimin e stokut të kredive me probleme, sipas masës së kontributit, kanë ndikuar rritja e masës së shlyerjeve në dy klasat e para të kredive me probleme, ristrukturimi i një pjese të tyre, dhe në një masë më të vogël fshirja e kredive të humbura nga bilancet e bankave.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Në krahasim me një vit më parë, cilësia e kredisë është përmirësuar sidomos për kredinë me maturitet afatmesëm, kredinë për bizneset dhe kredinë në valutë. Megjithatë, këto kategori mbajnë në të njëjtën kohë raportet më të larta të kredive me probleme, përkatësisht kredia për bizneset me 8.4%, kredia në valutë me 7.9% dhe kredia afatmesme me 7.5%. Cilësia e kredisë në valutë e pambrojtur nga luhatjet në kursin e këmbimit është përmirësuar dukshëm në krahasim me fundin e gjashtëmujorit të kaluar dhe një vit më parë. RKP për këtë kredi ra në 6.2% në fund të qershorit 2021, në krahasim me 7.1% në dhjetor 2020 dhe 7.9% në qershor 2020. Në përmirësimin e cilësisë së kredisë së pambrojtur ka ndikuar pakësimi në stokun e kredive me probleme për investime në pasuri të paluajtshme dhe në monedhën Euro.

Megjithatë, zhvillim negativ brenda strukturës së kredisë me probleme është rritja e peshës së huave të humbura. Zakonisht, kredi të humbura klasifikohen ato që nuk janë paguar prej më shumë se një viti. Pesha e kredive të humbura në tepricën e kredive me probleme arriti në 52% nga 47% një vit më parë.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Edhe në gjysmën e parë të këtij viti, raporti i kredive me problemeve për kredinë jorezidente ngeli në nivele të ulëta. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky raport ishte pranë nivelit 2% dhe gjatë periudhës nuk ka pasur zhvillime të rëndësishme në stokun e kredive me probleme për këto subjekte. Pothuajse i gjithë stoku i kredive me probleme të mbajtura nga jorezidentët është klasifikuar në klasën e kredive të humbura dhe përfaqësohet nga kredi të marra nga bizneset në Euro.

Masa e mbulimit të kredive me probleme me fonde rezervë u zgjerua me 2.7 pikë përqindjeje në krahasim me dhjetorin 2020 dhe një vit më parë, duke arritur në 68% si pasojë e rënies më të shpejtë në stokun e kredive me probleme në krahasim me tkurrjen e fondeve rezervë. Raporti i provigjionimit për bankat individuale luhatet midis intervalit 55% dhe 85%./E.Shehu/MONITOR

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *