Qeveria e Kosovës pritet të miratojë sot masat e reja anti-Covid, nga e hëna hapen shkollat dhe çerdhet, certifikatë vaksinimi në ambjentet e mbyllura
Ditën e sotme pritet që qeveria e Kosovës të miratojë masat e reja anti-Covid, pasi u shpallën ditën e djeshme nga ministri i shëndetësisë, Arben Vitia.
Në një konferencë për media, Vitia tha se në koordinimin me ministritë e linjës dhe me institucionet përkatëse shëndetësore kanë vendosur për masa të reja në vend, të cilat pritet të hyjnë në fuqi të hënën e ardhshme.
Vitia deklaroi se tashmë në të gjitha institucionet publike dhe private që punojnë me palë, do të kërkohet certifikata e vaksinimit apo testet përkatëse që dëshmojnë që punonjësi nuk është i infektuar me Covid-19.
“Ashtu siç kemi paralajmëruar tani nga institucionet shtetërore dhe një mori e institucioneve private do të kërkohet që të paraqesin certifikatën e vaksinimit, apo testeve përkatëse para hyrjes në objektet ku operojnë. Kjo vlen për aktivitete si qendra tregtare, call center, gastronomia në ambientet e brendshme dhe të gjithë punonjësit në institucionet publike dhe private që punojnë me palë.
Lokalet dhe restorantet do të vazhdojnë të punojnë deri në orën 21:30, do të hapen hapësirat brenda lokaleve, por aty do të lejohen vetëm personat me dëshmi të vaksinës apo testeve përkatëse.
Lëvizja e qytetarëve është e kufizuar pas orës 22:00, deri në orën 05:00.
Rruga Press