Bëhen përgatitjet për kthim në shkolla Nagavci: Shkollat janë institucionet e para që duhet të hapen, e të fundit që mbyllen
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për kthim të sigurt të fëmijëve në shkolla.
Nagavci në një mesazh drejtuar mësimdhënësve dhe nxënësve fton t’i respektojnë në përpikëri masat e rekomanduara nga ekspertët shëndetësor për t’u mbrojtur nga COVID-19.
“Mësimdhënës dhe prindër të nderuar, është shumë e rëndësishme bashkëpunimi në mes të gjithë neve, veçanërisht në këtë periudhë pandemie. Është e rëndësishme po ashtu, që të gjithë ne të jemi të vaksinuar. Përqindja e vaksinimit në mesin tonë duhet të jetë 100 për qind. Arsimi cilësor mund të ofrohet vetëm në shkolla, prandaj edhe shkollat janë institucionet e para që duhet të hapen dhe të fundit që duhet të mbyllen”, shpreh ministrja e Arsimit.
Për shkak të situatës me pandeminë viti i ri shkollor nuk kishte filluar më 1 shtator, ashtu siç parashihet. Fillimisht viti shkollor ishte shtyrë për dy javë, ndërsa më pas IKSHPK rekomandoi shtyrjen edhe për dy javë tjera.
Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia sot do të takohet me përfaqësuesit e Asociacionit të Komunave të Kosovës sot për të diskutuar për masat e reja anti-COVID.
Në takim pritet që të jepet rekomandimi nga IKSHPK-ja lidhur me hapjen shkollave.
Rruga Press