Opinion/Aktualitet

AKEP nuk ka ende një zgjidhje për operatorët celularë virtualë

Shqipëria ngelet një nga vendet e pakta në Europë ku nuk ekzistojnë ende operatorë celularë të rrjeteve virtuale ose MVNO (Mobile Virtual Network Operators), siç njihen në terminologjinë e tregjeve të komunikimit.

Operatorët virtualë janë kompani që nuk kanë një infrastrukturë rrjeti të tyre, por shfrytëzojnë me marrëveshje rrjetin e operatorëve ekzistues të rrjeteve celulare (MNO). Operatorët MVNO janë të pranishëm në shumicën e tregjeve të telekomunikacioneve në Europë dhe në disa raste pjesa e tregut të tyre operatorëve arrin deri në 15%. Në vitin 2018, në AKEP u paraqitën për herë të parë kërkesa zyrtare për marrjen e autorizimit për ofrimin e shërbimeve si MVNO. Dy operatorët e interesuar për të ofruar shërbime viruale të telefonisë celulare janë Neofone dhe Digicom.

Neofone është një operator me aktivitet sidomos në shërbimet për bizneset, si për shembull tranzimit i thirrjeve, instalimi i sistemeve të komunikimit satelitor apo sisteme telefonike për biznese call center, por që ka autorizime edhe për shërbime telefonie dhe interneti me pakicë. Ndërsa Digicom është një operator i ofrimit të shërbimeve broadband me linja fikse, që prej vitit 2019 është blerë nga operatori kombëtar i rrjetit të fibrës optike, ATU.

Lexo më shumë  Shteti bektashi ka planifikuar rrëmbimin e Mësonjëtores së Korçës

Pavarësisht se kanë kaluar tre vjet nga shprehja e interesit të operatorëve, AKEP nuk ka ende një qëndrim përfundimtar nëse kuadri aktual ligjor dhe rregullator është i mjaftueshëm për të licencuar operatorë celularë virtualë.

Për çështjen e operatorëve MVNO është shprehur në vitin 2019 edhe Autoriteti i Konkurrencës. Në një paketë rekomandimesh për AKEP, ky institucion kërkon krijimin e lehtësirave për hyrjen në treg të MVNO-ve, duke vendosur detyrime të qarta për akses dhe interkoneksion dhe përdorimin e përbashkët të faciliteteve të rrjetit. Në thelb, Autoriteti i Konkurrencës kërkonte që Operatorët me Fuqi të Ndjeshme në Treg (OFNT) të detyrohen t’iu japin akses në rrjetin e vet operatorëve virtualë të interesuar. Por, vitin e kaluar AKEP vendosi të mos shpallte asnjë OFNT në tregun me shumicë të akses–origjinimit në rrjetet celulare. Ky qëndrim, në mënyrë të tërthortë, nuk krijon hapësira për vendosjen e detyrimit për akses karshi operatorëve potencialë MVNO.

Lexo më shumë  Pozicionimi i Perëndimit ndaj Serbisë, qëndrimi i opozitës dhe  Sindromi i Fregolit

Licencimi i operatorëve virtualë do të ishte një risi e rëndësishme në tregun e komunikimeve celulare në vend. Këta operatorë shihen edhe si e vetmja mundësi reale për të shtuar numrin e operatorëve në shërbimet celulare me pakicë. Modeli i biznesit të operatorëve MVNO mund të jetë i ndryshëm. Disa prej tyre janë pak më shumë se rishitës të shërbimeve të operatorëve të rrjeteve celulare (MNO), duke i tregtuar këto shërbime me markën e tyre dhe duke ndjekur strategji të veçanta marketingu. Por, ka edhe operatorë MVNO që zotërojnë një infrastrukturë teknike mbështetëse, që iu mundëson t’i krijojnë vlerë të shtuar shërbimeve të ofruara përmes rrjetit të MNO-ve./MONITOR/

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *