Studentët dhe largimi i shumë prej tyre për punësim jashtë Shqipërisë
Janë ditët e fundit të shtatorit dhe universitetet kanë nisur të rigjallërohen. Në koridoret e fakultetit të Infermierisë, në Universitetin e Shkodrës, shihen të rinj që përgatiten të regjistrohen për herë të parë ose të japin ndonjë provim të prapambetur.
Gjatë tre-katër viteve të fundit, disa prej degëve të studimit në Universitetin e Shkodrës kanë rrezikuar të mbyllen për shkak të numrit të pakët të studentëve, ndërkohë që në fakultetin e infermierisë kërkesat janë në rritje.
Shefi i departamentit të infermierisë, Emiliano Pjetri, i tha Zërit të Amerikës se, edhe këtë vit, interesimi i të rinjëve për tre degët e infermierisë është i lartë dhe se, që në raundin e parë të regjistrimit, janë plotësuar të gjitha kuotat, ndërkohë që më shumë se 500 të rinj të tjerë janë në pritje për regjistrim në raundin e dytë.
“Programet, që ne ofrojmë, janë të përshtatura me kurikulat më të mira europiane dhe më gjërë. Kemi realizuar vite më parë edhe standartizimin e kurikulës në Ballkanin Përendimor, nëpërmjet një programi të Bashkimit Europian dhe, duke u bazuar edhe në evidencat e mëparshme, vetë maturantët janë shumë të interesuar për të studiuar pranë këtyre degëve”, tha zoti Pjetri.
E reja nga Kelmendi i Malësisë së Madhe, Jorgena Pllumaj, është studente e vitit të tretë, dega infermieri. Ajo thotë se, me mbarimin e studimeve, synon të shkojë jashtë vendit, si një mundësi për aftësimin profesional.
Por i riu nga Dajçi i Bregut të Bunës, Enriko Daka, student i ardhshëm në master profesional psikologji shëndetit, thotë se do të shërbejë në vendlindje.
Dajçi është një nga zonat problematike të Nënshkodrës, që rrezikohet çdo vit nga përmbytjet dhe, nga ku, gjatë 30 viteve të fundit kanë emigruar drejt Italisë një pjesë e madhe e banorëve.
Studentja Sabina Dushaj, nga Postriba e Shkodrës, shprehet se edhe ajo dëshiron të shërbejë në vendlindjen e saj, por kushtet e vështira dhe pagat e ulëta i detyrojnë të rinjtë të largohen.
Shefi i departamentit te infermierisë, Emiljano Pjetri, thotë se nuk ka të dhëna të sakta për numrin e studentëve që kanë përfunduar fakultetin e infermierisë dhe që janë larguar jashtë vendit.
“Por duhet të theksojmë se studentët, që tërheqin programin e studimit pranë universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, që nga viti 2018 besoj se duhet të jenë diku rreth 500 studentë, të cilët kanë tërhequr programe studimi për t’i ekuivalentuar jo vetëm në Europë, por edhe më gjërë”, thotë ai.
Pandemia COVID-19 nxorri në pah nevojën e madhe që ka Shqipëria për mjekët dhe infermierët, gjë që shtyu qeverinë të rrisë, në fillim të vitit, rrogat e tyre me 40 përqind. Largimi i mjekëve dhe infermierëve është një investim i humbur i shtetit shqiptar, që shpenzon para për shkollim e tyre dhe, që më pas, një pjesë prej tyre largohen drejt përëndimit./VOA/