Dy partitura të Schumann-it zbulohen mes dorëshkrimeve të Cvajgut
Dy partitura të panjohura më parë, që mbajnë autorësinë e Robert Schumann (1810-1856) janë gjetur në koleksionin e dorëshkrimeve të mbledhura nga shkrimtari austriak, Stefan Cvajg (1881-1942). Zbulimi u bë në Zvicër, në Fondacionin Martin Bodmer. Këto nuk janë veprat e vetme të pabotuara që dolën nga fondi: përveç tyre u gjetën edhe një partiturë nga Georges Bizet (një aranzhim për piano solo, e panjohur më parë) dhe një kompozim nga Charles Gounod.
“Një pjesë e madhe e dorëshkrimeve të Fondacionit vijnë nga shitja e koleksionit të Stefan Cvajgut“, shpjegoi Muriel Brandt, kuratore e seksionit muzikor të edicionit online të gazetës letrare franceze “Actualittè”. “Megjithëse karriera e Cvajgut si shkrimtar është e njohur, fakti që ai ishte një koleksionist i madh nganjëherë anashkalohet: në sytë e tij, koleksioni i tij përfaqësonte një vepër të mendjes, më e rëndësishme se librat e tij,” citohet Brandt nga Avvenire.
Kështu, pasi u largua nga Austria në shkurt 1934, menjëherë pas instalimit të nazizmit në Gjermani, shkrimtari që ishte transferuar në Londër vendosi të shiste koleksionin e tij. E organizuar me ndihmën e bibliotekarit tregtar Heinrich Hinterberger, shitja u zhvillua midis viteve 1936 dhe 1937 dhe përfshinte tre lote. Martin Bodmer ishte dyzet vjeç në atë kohë dhe e pa shitjen si një mundësi të rrallë për të blerë koleksionin e Cvajgut dhe për të zhvilluar koleksionin e tij.
Martin Bodmer dhe Stefan Cvajg u takuan disa herë, edhe pse të gjitha shkëmbimet u zhvilluan përmes Hinterberger. Në letrat e tij, Cvajg shprehej i lumtur që kishte gjetur “një njohës të vërtetë” për koleksionin e tij, një person që i interesonin vlerat kulturore dhe jo komerciale.
Pjesët u studiuan dhe u transkriptuan nga David Burkhard, një muzikolog në Universitetin e Gjenevës, dhe nga Isabell Tentler, një studiuese që po punon në botimin e operës së plotë të Schumann.
Kompozimi i parë Vom Reitersmann (Dal Cavaliere) duhej të ishte pjesë e koleksionit Liederalbum für die Jugend Op. 79, por në atë kohë u përjashtua. E dyta titullohet Käuzlein. Një version krejt tjetër i saj është i njohur për muzikologët./res/