Kurti nuk ka rënë në kurth-Plani djallëzor i Serbisë, ja me kë po bashkëpunon që ta fajësojë atë për dështimin e dialogut
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se nuk do të ketë takim në mes të Kurtit dhe Vuçiqit, gjatë këtij muaji.
Këtë e bëri të ditur dje pas takimit në Bruksel me kryenegociatorin e palës serbe, Petar Petkoviq takim i ndërmjetësuar nga Emisari Miroslav Lajçak.
Ai ka thënë se takimi nuk do të mbahet pasi nuk ka përparim të mjaftueshëm në dialog.
“Nuk ka përparim të mjaftueshëm të prekshëm për të organizuar një takim të udhëheqësve”, ka deklaruar Bislimi të mërkurën në Bruksel.
Ai ka thënë se tema e vetme gjatë takimit trepalësh, ka qenë çështja e të pagjeturve, ku palët kanë shprehur gatishmërinë për të pasur qasje në arkivat shtetërore.
“Në një moment zoti (Petar) Petkoviq është pajtuar që ne të kemi qasje të plotë në të gjitha arkivat, përfshirë edhe arkivat ushtarake në Beograd si dhe të ketë qasje në arkivat e UÇK-së. Nuk ka arkiva të UÇK-së, por ka arkiva shtetërore për UÇK-në në Kosovë dhe ne jemi dhe kemi qenë të hapur për të ndarë këto informacione”, tha Bislimi.
Por, sa mund të ndikojë kjo në ecjen përpara të dialogut dhe marrëveshjen finale, që të shtyhen takimet dhe që thuhet se tani nuk ka përparim?
Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi.
Ai ka thënë se ishte e pritur që të dështonte pasi Kosova dhe Serbia kanë synime të ndryshime në përcaktimin e agjendës.
“Ishte e parashikueshme se takimi i dy delegacioneve, të ashtuquajtura teknike, do të dështonte. Kosova ka interesa tjera në përcaktimin e agjendës, ndërkohë që të tjera janë synimet e Serbisë. Ne kemi parë në këto 10-11 vite bisedime sesi Serbia ka imponuar agjendën e vet në bisedime me qëllim që të përfitojë benefite specifike në çdo marrëveshje dhe në fund të kërkojë gjithë pjesën në marrëveshjen përfundimtare që nga prania e saj në Kosovë e deri te territoret e saj”, është shprehur ai.
Sipas Bytyçit, Kurti dhe Vuçiq u takuan dhe u përplasen pas asnjë marrëveshje, derisa thotë se Serbia përmes disa zyrtarëve në Prishtinë e Tiranë dëshiron ta fajësojë kryeministrin Kurti për dështimin e bisedimeve.
“Takimet e qershorit dhe korrikut ishin disi ndryshe midis dy palëve. Së paku në ato dy raunde u arrit që të shihen në katër sy dy protagonistët kryesorë të dialogut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. U përplasën me njëri-tjetrin dhe u larguan pa asnjë marrëveshje për t’u marrë vesh. Takimet e dy ditëve të fundit midis zotit Bislimi dhe përfaqësuesit serb ishin thjesht takime formale, për të mos thënë se “palët nuk janë dakord të bisedojnë”! Shoh që secila palë i druhet akuzës së fajësisë për “bojkot”! Pala serbe përmes disa shqiptarëve në opozitë në Prishtinë dhe disa zyrtarëve në pushtet në Tiranë po tenton ta fajësojë Albin Kurtin për dështimin e bisedimeve. Duket sikur këta shqiptarët tanë duan ta shtyjnë zotin Kurti drejt kompromisit me Beogradin dhe pranimit nga ana e tij e opsioneve serbe të zgjidhjes”, ka thënë profesori.
Por, ai vlerëson se Kurti nuk ka rënë në kurth, ai ka deklaruar se çështja e të pagjeturve është e vetmja që do të diskutohet.
“Por Kurti as në këtë raund të tretë bisedimesh nuk ka rënë në kurth. Ai është deklaruar se e vetmja çështje për të cilën ka interes të bisedohet është gjetja e eshtra të shqiptarëve të masakruar nga ana e Serbisë. Janë mbi 1600 persona të zhdukur ende. Ishin dyfish në fillimin e bisedimeve. Serbia nuk ka asnjë interes që të pranojë këtë kërkesë të palës shqiptare. Sepse do të dëshmojë para botës që territori serb është i mbushur me varre shqiptarësh, të cilët nuk kanë qenë banorë të atyre territoreve. Është njësoj si akti i Hitlerit kur ngarkoi hebrenjtë në trena dhe i shkriu në furrat e shkrirjes në Poloni. Por së paku Hitleri i merrte njerëzit të gjallë dhe pasi I çonte në destinacion i asgjësonte. Këta hitlerianët e Beogradit i morën shqiptarët e masakruar si kufoma në dhoma frigoriferike dhe i dërguan 500 km larg vendit të krimit. Dyfishuan hapësirën e tyre kriminale”, ka theksuar Enver Bytyçi për “Bota sot”.
Më tej, ai thotë se pala serbe është e zënë ngushtë dhe zbulimi i krimit makabër e bën atë fajtore, derisa shton se mallkimi duhet ta ndjek Vuçiqin dhe anëtarët e tij të delegacionit.
“Prandaj pala serbe është e zënë ngushtë. Zbulimi i këtij krimi makabër e bën Serbinë fajtore në përmasat e holokaustit. Por një tokë e mbushur me varre njerëzish të pafajshëm është dhe duhet të jetë tokë e mallkuar. Mallkimi duhet t’i ndjekë Vuçiqin dhe anëtarët e tij të delegacionit në dialog edhe në përballjen me Albin Kurtin, zotin Bislimi dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë. Ndaj e quaj një taktikë dhe qëndrim të zgjuar të kryeministrit dhe krerëve të institucioneve të Kosovës që këmbëngulin fort në gjetjen e eshtrave të viktimave të pafajshme të masakruar nga ana e regjimit të Millosheviçi, Daçiçit dhe Vuçiqit”, ka deklaruar Bytyçi.
Sa i përket marrëveshjes finale, profesori ka thënë se nuk duhet kërkuar atë nga Prishtina por atë duhet imponuar.
“Marrëveshja finale nuk duhet kërkuar nga Prishtina zyrtare. Ajo duhet imponuar. Të imponosh këtë marrëveshje do të thotë më së pari të imponosh agjendën e bisedimeve. Dhe është e drejtë e viktimës ta bëjë këtë. Nuk ndodh që në një dialog midis agresorëve dhe viktimave të imponojë as agjendën, as zgjidhjen agresori. Agresorët kërkojnë ndjesë dhe nëse viktima e pranon ndjesën, atëherë agresori duhet të jetë shumë i lumtur”, ka vlerësuar ai.
Krejt në fund, Bytyçi ka thënë se Serbia po përpiqet që ta rikthejë kohën e konflikteve të dhunshme, luftërave e vrasjeve në Ballkan, derisa ka shtuar se marrëveshja finale duhet të vije përmes presionit ndaj Beogradit.
“Ndryshe përsëritet historia dhe ne po shohim çdo ditë sesi qeveria dhe presidenti i Serbisë përpiqen të rikthejnë kohën e konflikteve të dhunshme, luftërave e vrasjeve në Ballkan. Janë në sulm kundër Kosovës, kundër Malit të Zi dhe kundër Bosnjë-Hercegovinën. Ndërsa Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë presidenti i Serbisë i ka në xhepin e vogël të xhaketës. Marrëveshja finale duhet të vijë përmes presionit ndaj Beogradit dhe jo përmes lëshimeve të Kosovës. Këtë duhet ta mësojnë edhe disa opozitarë në Kosovë, edhe kryeministri dhe qeveria e Tiranës, edhe Ali Ahmeti dhe hismeqarët e tjerë të Serbisë”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi.
Rruga Press