17 vite nga vdekja e Gramoz Palushit, i riu shqiptar që u vra barbarisht në rrugët e Greqisë për ngjyrat kuqezi
Kanë kaluar 17 vjet nga vrasja barbare e Gramoz Palushit, tifozit shqiptar, të cilit i morën jetën në rrugicat e shtetit grek vetëm e vetëm pse mbajti flamurin kombëtar në dorë. Ai u sulmua dhe u ther nga një grek (me banim ne Cikago) për faktin se po festonte fitoren e kombëtares shqiptare të futbollit ndaj asaj greke.
Në ishullin Zakinthos, 20-vjeçari shqiptar Gramoz Palushi kishte dalë të festonte, por u godit për vdekje me thikë nga 22-vjeçari greko-amerikan Panajotis Kladhis. Palushi u nderua si hero në Shqipëri, ndërkohë që edhe disa nga lojtarë të kombëtares shqiptare shkuan për ngushëllim në familjen e tij. Vëllai i Gramozit, Mirush Palushi, një student i shkëlqyer i “Financë-Kontabilitetit”, rrëfen për gazetën ato momente të dhimbshme për të, i cili në atë kohë ishte vetëm 12 vjeç.
Intervistë e vëllait të tij në vitin 2015:
“Janë 11 vite dhe më shumë di nga ç’më kanë thënë dhe ç’kam lexuar në atë kohë dhe më vonë, ndërsa vetë kujtoj veçse imazhe e copëza të atyre ditëve si të një fëmije 12-vjeçar”, kanë qenë këto fjalët e para të Mirushit, i cili pavarësisht dhimbjes së madhe, tregon me kujdes gjithçka që ndodhi atë ditë. Ai thekson faktin se ashtu si vëllai i tij dikur, ndjek të gjitha ndeshjet e Kombëtares brënda në Shqipëri, ndërsa bën me dije se atë ditë u plagos edhe kushëriri i tij. “Në fakt kanë qenë në një lokal në qendër të ishullit ku punonte prej rreth 4 viesh e së bashku me dy kushërinjtë, njëri prej tyre i plagosur gjithashtu. Pas përfundimit të ndeshjes, kanë dalë duke festuar së bashku me turmën. Pas festimeve të gjata duke përshkruar rrugën për në shtëpi, por njëkohësisht duke festuar, janë sulmuar nga pas një grup prej 4-6 personazh me armë të ftohta në duar. Ata nuk njiheshin me agresorët për të thënë se kishin ndonjë konflikt, por veç arsyeja e ndeshjes. Duke i qëlluar nga pas dhe pabesisht dhe pa iu lënë mundësi rezistence, ata arritën të godasin nga pas 8 persona, mes tyre ishte dhe Gramozi dhe janë larguar me shpejtësi me tre motorë. Të gjithë janë dërguar me shpejtësi në Spitalin e Ishullit, po duke qenë se shumica e tyre ishin pa dokumente të rregullta, spitali nuk ka pranuar t’jua japë ndihmën e parë menjëherë. Por me forcë dhe me detyrim nga shqiptarët e tjerë që ishin mbledhur, mjekët pranuan! Por, fatkeqësisht për Gramozin ishte tepër vonë”, është shprehur Mirushi duke treguar se vëllai i tij u godit dy herë nga shtetit grek, nga qytetari i tij në rrugët e ishullit dhe nga spitali që nuk i dha ndihmën e duhur.
Edhe pse kanë kaluar 17 vite, 4 shtatori i 2004 nuk do harrohet kurrë për këtë ngjarje të rëndë, por edhe për fitoren e Shqipërisë. Edvin Murati dhe Adrian Aliaj u bënë heronj kombëtarë në zemrat e gjithë shqiptarëve kudo në botë, teksa me golat e tyre të shkëlqyer bënë që Shqipëria të gjunjëzonte Greqinë. Shqipëria kundër Greqisë ishte një sfidë e shumëfishtë, që dilte jashtë planit sportiv. Kunjave midis dy vendeve iu shtua edhe armiqësia e shpallur midis dy trajnerëve gjermanë, Hans Peter Brigelit të Shqipërisë dhe Oto Rehagelit të Greqisë. Ky i fundit, vetëm dy muaj më parë, e kishte udhëhequr kombëtaren helene drejt një mrekullie të pabesueshme, titullit kampion Evropë në Euro 2004, zhvilluar në Portugali. Greqia doli e pamposhtur në dy përballje me Portugalinë, me Spanjën, Francën e Çekinë, por u gjunjëzua pikërisht atje ku ndoshta do ta dëshironte më pak, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” të Shqipërisë. Humbja ishte një poshtërim i vërtetë për tifozerinë greke, e cila u irritua edhe më tepër nga festa e emigrantëve shqiptarë në Greqi, të cilët dolën rrugëve me flamujt kuqezi, duke brohoritur për triumfin, pa e ditur fundin e hidhur të tij.
Rruga Press