OKB dënon sulmet me dronë në Sudan, 17 civilë të vrarë në qytetin Ed Damazin
OKB-ja dënoi të mërkurën sulmet me dronë në shtetin Blue Nile të Sudanit, të cilat, sipas saj, shkaktuan vdekjen e 17 civilëve në kryeqytetin e këtij shteti, Ed Damazin.
“Ne mbetemi thellësisht të shqetësuar për përshkallëzimin e armiqësive në shtetin Blue Nile, të cilat, sipas raportimeve, kanë shkaktuar vdekjen dhe plagosjen e civilëve”, u tha gazetarëve zëdhënësi Stephane Dujarric.
Duke iu referuar burimeve lokale, Dujarric tha se një valë sulmesh me dronë goditi të martën disa lokacione në shtet, përfshirë Ed Damazinin dhe qytetin Roseires, në veri të tij.
“Ne i dënojmë fuqimisht sulmin dhe humbjen e jetëve që pasoi”, tha ai.
“Edhe një herë, u kujtojmë të gjitha palëve në konflikt se civilët dhe infrastruktura civile nuk duhet të jenë kurrë objektiv sulmesh dhe se ata mbrohen nga e drejta ndërkombëtare humanitare”, shtoi ai.
Dujarric përsëriti kërkesën e OKB-së drejtuar të gjitha palëve “për të mundësuar qasje të menjëhershme, të sigurt dhe të vazhdueshme humanitare për të gjithë ata që kanë nevojë”.
Veçmas, Dujarric tha se i dërguari personal i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për Sudanin, Pekka Haavisto, mori pjesë në konsultimet e organizuara nga Kuinteti me Aleancën Themeluese të Sudanit, koalicionin e Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), i njohur si Tasis.
Kuinteti përfshin OKB-në, Bashkimin Afrikan, Autoritetin Ndërqeveritar për Zhvillim (IGAD), Ligën Arabe dhe Bashkimin Evropian (BE).
Ai tha se takimi “ofroi një mundësi për të trajtuar shqetësimet dhe për të sqaruar pyetjet e ngritura nga Aleanca Themeluese e Sudanit”.
Observatori Sudanez për të Drejtat e Njeriut njoftoi më herët të mërkurën se të paktën 19 civilë u vranë dhe afro 25 të tjerë u plagosën në sulmet me dronë të së martës, për të cilat fajësoi RSF-në.
Grupi tha se RSF-ja lëshoi më shumë se 30 dronë shpërthyes drejt lagjeve të banuara dhe objekteve në al-Damazin, ku strehohen dhjetëra mijëra persona të zhvendosur.
Sipas tij, 17 anëtarë të katër familjeve u vranë në qytet, ndërsa dy persona të tjerë u vranë në al-Roseires, ku shumica e të plagosurve ishin fëmijë.
Autoritetet dhe RSF-ja nuk kanë komentuar mbi viktimat e raportuara../AA
Rruga Press

